Spiuni i dyshuar rus, vëzhgues i OSBE-së i zgjedhjeve në Serbi

Një diplomat rus dhe spiun i dyshuar, i dëbuar nga Bashkimi Evropian për shkak të “veprimeve të paligjshme dhe përçarëse”, do të shërbejë si vëzhgues i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në Serbi, në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zbulon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë. Aleksandr Studenikin, […]
Një diplomat rus dhe spiun i dyshuar, i dëbuar nga Bashkimi Evropian për shkak të “veprimeve të paligjshme dhe përçarëse”, do të shërbejë si vëzhgues i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe lokale në Serbi, në kuadër të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), zbulon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.
Aleksandr Studenikin, 49 vjeç, ishte këshilltar në misionin e përhershëm të Rusisë në BE në Bruksel, kur ai dhe 18 diplomatë të tjerë rusë u shpallën persona të padëshirueshëm në prill të vitit 2022 – dy muaj pasi Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.
BE-ja tha se diplomatët rusë, të përfshirë në listën e zezë, u angazhuan në aktivitete “kundër interesave dhe sigurisë së BE-së dhe shteteve të saj anëtare”.
Tani, Studenikin është në mesin e një grupi prej 30 vëzhguesish zgjedhorë, të cilët do ta përfaqësojnë OSBE-në në zgjedhjet e Serbisë për Parlamentin dhe për 65 komuna, më 17 dhjetor.
Një raport i mediave pretendonte më herët se Studenikin ishte punonjës i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, i njohur si SVR. Një zyrtar i lartë evropian me qasje në informacione të klasifikuara i tha, gjithashtu, Radios Evropa e Lirë se Studenikin punon për SVR-në, edhe pse vetë ai e mohon çdo lidhje me inteligjencën.
Studenikin është një nga katër rusët në listën e vëzhguesve afatgjatë të misionit të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).
Sipas OSBE-së, këta vëzhgues janë përgjegjës për monitorimin e të gjithë procesit zgjedhor, “për të kuptuar thellë procedurat e përgjithshme administrative dhe mjedisin e fushatës”.
Grupi përfshin gjithashtu vëzhgues nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Gjermania, Franca, Danimarka, Bjellorusia dhe shtatë vende të tjera.
Detyra e Studenikinit në Serbi është e përkohshme, por ky vend është bërë destinacion për diplomatët rusë, të dëbuar nga BE-ja./teksti i plote: REL/












