Prokuroria kërkon dënimin e rojeve të pyllit të akuzuar për korrupsion, mbrojtja aktgjykim lirues

Në fjalën përfundimtare të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj në gjykimin ndaj rojeve të pyllit, prokurorja Sebahate Sinani kërkoi dënimin e 13 të akuzuarve për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “Marrje ryshfeti”, e vepra tjera penale. Kurse, mbrojtja kërkoi lirimin e tyre nga akuza. Në këtë rast, të akuzuar janë: Sabedin Mustafa, Ramadan Ukzmajli, Bahri […]
Në këtë rast, të akuzuar janë: Sabedin Mustafa, Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ali Kosumi, Rasim Avdyli, Isuf Qerkini, Beqë Uka, Hasim Balija, Ahmet Bajraktari, Avdi Agushi, Naim Avdyli dhe Heset Neziri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë seancë, palët në procedurë kanë dorëzuar fjalën përfundimtare në formë të shkruar, kurse gjatë elaborimit të saj, prokurorja Sebahate Sinani propozoi që të pandehurit gjykata t’i shpallë fajtor për veprat penale si në aktakuzë dhe t’iu shqiptojë një sanksion me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Lumni Salihu deklaroi se e mbështet fjalën e prokurores dhe se nuk ka diçka për të shtuar.
Mbrojtësja me zëvendësim e të akuzuarit Sabedin Mustafa, avokatja Yllka Dashi dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ramadan Ukzmajli, avokati Liridon Jetishi, fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Beqë Uka, avokati Vehbi Kashtanjeva, tha se nuk është vërtetuar me asnjë provë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale si në aktakuzë, andaj gjykatës i ka propozuar të marrë aktgjykim lirues.
Edhe mbrojtësi i të pandehurit Hasim Balija, avokati Elmaz Zenuni, tha se me asnjë provë nuk është vërtetuar se është fajtor i mbrojturi i tij, andaj ka kërkuar të lirohet nga akuza. Ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje për të cilën Balija ka pranuar fajësinë, avokati Zenuni i propozoi gjykatës të vendos për një dënim të butë.
Mbrojtësit e të akuzurve: Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ahmet Bajraktari, Avdi Agushi, Naim Avdyli, Ali Kosumi, Rasim Avdyli dhe Isuf Qerkini, avokatët: Vllaznim Alijaj, Rafiz Shehu, Visar Musa, Bekim Sylejmani, Faton Neziraj, Burim Krasniqi, Kemajl Ademi dhe Elvira Heta-Vata, dorëzuan fjalën përfundimtare në formë të shkruar. Kurse, të mbrojturit e tyre deklaruan se përkrahin fjalën e dorëzuar nga avokatët.
Në këtë rast, sipas aktakuzës, Sabedin Mustafa, Beqë Uka, Hasim Balija, Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ibrahim Halilaj, Ahmet Bajraktari dhe Avdi Agushi, akuzohen për veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për të akuzuarit Sabedin Mustafa dhe Ahmet Bairaktari, për veprën penale “Keqpërdorim pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, (dispozitivi VI i aktakuzës së 5 korrik 2021), prokurorja më 11 dhjetor 2023 është tërhequr nga ndjekja penale.
Të akuzuarit Sabedin Mustafa, Hasim Balija, Bahri Baliu, Avdi Agushi e Ahmet Bajraktari sipas aktakuzës, ngarkohen edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Për çka, në seancën fillestare të mbajtur më 25 gusht 2021, për këtë vepër fajtor u deklarua vetëm Ahmet Bajraktari. Ndërsa më, 11 dhjetor 2023 prokurorja është tërhequr nga ndjekja penale për të akuzuarin Avdi Agushi.
Për veprën penale të “Marrjes së ryshfetit” aktakuza ngarkon të akuzuarit Ramadan Ukzmajli, Bahri Baliu, Ahmet Bajraktari e Naim Avduli, për këtë të fundit, prokurorja më 11 dhjetor 2023 është tërhequr nga ndjekja penale (dispozitivi XXI i aktakuzës së 5 korrik 2021).
Ndërsa, për veprën penale të “Dhënies së ryshfetit” ngarkohen të akuzuarit Isuf Çerkini, Ali Kosumi, Rasim Avdyli, dhe Heset Neziri, për këtë të fundit prokurorja më 11 dhjetor 2023 është tërhequr nga ndjekja penale (dispozitivi XXIV i aktakuzës së 5 korrik 2021).












