Mustafa: Pasi ka pranuar Autonomi për serbët në Kosovë, Besnik Bislimi tha plot rrena të kulluara

Ish-kryeministri Isa Mustafa, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, thotë se statuti i Asociacionit që e ka pranuar Besnik Bislimi dhe Albin Kurti, është Autonomi politike dhe territoriale për serbët në Kosovë. Mustafa, duke iu referuar një interviste të Bislimit dhënë mbrëmë për RTK, thotë se ai tha të ‘rrena të kulluara’. Mustafa shkruan: ‘Besnik Bislimi […]
Ish-kryeministri Isa Mustafa, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, thotë se statuti i Asociacionit që e ka pranuar Besnik Bislimi dhe Albin Kurti, është Autonomi politike dhe territoriale për serbët në Kosovë.
Mustafa, duke iu referuar një interviste të Bislimit dhënë mbrëmë për RTK, thotë se ai tha të ‘rrena të kulluara’.
Mustafa shkruan:
‘Besnik Bislimi në një intervistë mbrëmë në RTK, bëri fushatë të ulët politike. Opozitën e quajti bashkëpunëtore të Serbisë, dhe për ta larë veten dhe qeverinë Kurti nga papërgjegjësitë për marrëveshjen e fundit me Serbinë, u mor edhe me mua. Nuk ndjej ndonjë kënaqësie kur njerëzit që nuk i konsideroj merren me mua, sepse si kundërshtar politik do duhej të merreshin me opozitën, pasi unë nuk po shfaqi pretendime t’ua marr pushtetin. Por dëshiroj të theksoj se çdo gjë që e tha mbrëmë në kontekst të dokumentit të vitit 2015 ishte një pavërtetë e kulluar, për fat të keq e dalë nga goja e një zëvendëskryeministri të Republikës së Kosovës dhe profesor i Kolegjit Amerikan në Prishtinë.
Statuti i Asociacionit që qarkullon në opinion dhe tani e kanë edhe deputetët, nuk konsiston në asnjë formë me Marrëveshjen e vitit 2013, vetëm thirret në mënyrë abuzive në te. Statuti, me të cilin është pajtuar z. Bislimi promovon Autonominë politike dhe territoriale të serbëve në Kosovë. Prandaj edhe nuk mund të jetë Statut i Asociacionit por është Statut mbi Autonominë!? Është diçka krejtësisht e re, që nuk mund të mbështillet me marrëveshjet e mëparshme. Janë të çoroditura edhe pikëpamjet e Bislimit mbi mënyrën sesi do ti përcillet ky statut në shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, sepse ajo nuk është mentore e Qeverisë dhe recenzente e vendimeve të saj, por ajo shqyrton se a është një akt juridik i qeverisë në harmoni me Kushtetutën; jo një akt i hartuar nga jashtë qeveria. Në këtë rast qeveria nuk mund ta luajë rolin e postierit por të vendimmarrësit.’
Çka tha Besnik Bislimi mbrëmë në RTK?
Bislimi në intervistë ka akuzuar partitë opozitare duke thënë se “kryeministri Kurti në shumë instanca i ka ftuar liderët e opozitës për të ndërtuar zërin e përbashkët unik karshi dialogut. Ka pasur hezitim, në fakt një pengesë e jona e madhe në dialog e në Bruksel ka qenë zëri opozitar. E kemi pasur lehtë të ballafaqohemi me Vuqiçin, por kur kanë thënë edhe opozita juaj mendon si Serbia, ju mendoni ndryshe. Kjo akuzë është thënë nga Lajçaku, s’e kam thënë unë”, ka thënë ai në “RTK Prime”.
Tutje ka folur për thirrjen e përbashkët me Lajçakun, duke thënë se ka marrë përgëzimet e tij për palën kosovare lidhur me konvertimin e targave ilegale.
“Diskutuam edhe për çështjen e targave, pati përgëzime për palën kosovare që e ka menaxhuar këtë proces jashtëzakonisht mirë. Tani që këto vetura janë regjistruar në veri, na duhen edhe qendrat e kontrollimit teknik atje në mënyrë që të merren patent shoferët e Kosovës”, ka thënë ai.
I pyetur nëse në draftin e dorëzuar nga emisarët në preambulë përmendet Rezoluta 1244 dhe pse duhej të përmendej ajo, Bislimi është shprehur:
“Po. – Si përmendet? Për këtë përgjigjen ata që e kanë hartuar. E kemi pasur lehtë ndoshta të ballafaqohemi me Vuçiqin, kur kanë thënë se edhe opozita juaj mendon sikurse Serbia, e ju mendoni ndryshe. Pyesni Lajçakun pse na e ka thënë këtë akuzë. Por nëse kjo që po e bëjmë tani ose që na është prezantuar tani qenka SuperZajdenicë, ku është problemi te Vuçiqi, i cili po thotë se nuk po e dua këtë SuperZajednicë por po e dua atë Zajdenicën e Isa Mustafës”, ka shtuar Bislimi./Periskopi












