Menduan ‘zhdukjen e opozitës’ dhe ‘beteja’ me të: Tash po e kërkojnë për Zajednicën

Opozita e ka pranuar draftin zyrtar të statutit të Asociacionit, javën e kaluar. Një javë më vonë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, paralajmëron takime me partitë politike opozitare, për ta diskutuar draftin. Por historia e diskursit – referuar vetëm dy muajve të fundit – e pushtetit për opozitën, nuk është edhe aq Rreth dy muaj […]
Rreth dy muaj më parë, kryeministri Albin Kurti, do të deklaronte se kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakoshme, nuk do të ishte gjë e duhur. Kjo, sipas tij, do të mundësonte ‘zhdukjen e opozitës’.
“Kam dëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të parakoshme.
Më lejoni të ju them se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as Qeverisë e as opozitës.
Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i hupë, e Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita”, pati deklaruar kryeministri Kurti.
Po në atë kohë, çështja e mos-emërimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj, do ta shtynte Presidenten Osmani, të përgjigjej kështu në pyetjen rreth mundësisë së dërgimit në Kushtetuese këtë lëndë:
“A në qoftë se për arsye politike zgjedhin një rrugë të tillë, atëherë kjo për mua është vetëm betejë politike, nuk është betejë ligjore. Dhe kushdo që do betejë politike me mua, betejë politike do të ketë”- pati deklaruar Osmani, përcjell Periskopi.
Rreth dy muaj pas këtyrë deklaratave, Presidentja Osmani dje (5 dhjetor 2023) paralajmëroi takim me opozitën kosovare, lidhur me draftin e Asociacionit.
“Së shpejti do t’i thërras edhe partitë opozitë në takim, meqë e kanë marrë edhe ata draftin, cilat janë vlerësimet e tyre, komentet e tyre, apo çështjet që dëshirojnë të sqarohen”, deklaroi Presidentja Osmani.
Emisioni i debatit Pressing, në televizionin 7, mbrëmë e ka diskutuar këtë temë, ku gazetari Ilir Mirena, mendon se thirrja e tillë për opozitën, është një ‘poshtërim për ta’.
Cila është vlera e fjalës së opozitës tash? U kry krejt procesi, e tash hajde po iu pyesim juve. Kjo është në njëfarë mënyre është edhe poshtërim për opozitën, po nëse opozita e pranon këtë poshtërim, është çështje e tyne. Tensioni mbi opozitën që po bëhet tani, tregon se Kurti dhe Osmani janë në krizë të numrave dhe legjitimitetit dhe për me e kry një draft-statut të Zajednicës, iu duhet një legjitimitet edhe me një pjesë të opozitës që me e nda përgjegjësinë për një Republikë Srpska që Kurti po don me e kriju në Kosovë”, tha Mirena në Pressing, përcjell Periskopi.
Çka thotë opozita?
Ende nuk ka ndonjë deklaratë nga partitë opozitare lidhur me ftesën e paralajmëruar të Presidentes Osmani për draftin e statutit të Asociacionit.
Qëndrimi i opozitës, çka dihet deri tash është i përmbledhur në një fjali, kështu: Marrëveshja e Ohrit dhe drafti i Asociacionit, i qarkulluar për disa javë në opinionin publik ‘është tejkalim i Marrëveshjes 2013 (Thaçi) dhe asaj të vitit 2015 (Mustafa).
Mesazhi i ambasadorit amerikan Hovenier për opozitën
Para pak ditësh, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, në një intervistë për T7, la të nënkuptohet se ashtu siç ‘opozita e ka kritikuar Kurtin’ kur ai lëndoi raportet me bashkësinë ndërkombëtare, ‘tani duhet t’ia jap mbështetjen për këtë draft Asociacioni’.
“Dua të theksoj se disa muaj më parë më erdhi shumë mirë kur disa nga liderët dhe partitë opozitare i shprehën në mënyrë publike shqetësimet e tyre se qeveria e kryeministrit Kurti ndoshta nuk ishte plotësisht në sinkronizim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara ose me aleatët tanë perëndimorë lidhur me dialogun dhe ata shuë hapur bënë thirrje që qeveria e Kosovës të punojë ngushtë me ne dhe të jetë në një vijë me ne, si dhe të sigurohet që gjërat që ne kërkonim të bëhen pjesë e qëndrimeve të qeverisë. Thjesht, dëshiroj të them se besoj që vazhdon të jetë kështu”, tha Hovenier në T7, përcjell Periskopi.
LEXO EDHE KËTË:
Kurti ka të drejtë kur thotë: ‘Nuk është Zajednicë’ [Sepse është shumë më shumë]












