Ku është njohja nga Greqia?

Tri vjet në pushtet asnjë njohje e re. Qeveria Kurti ka dështuar totalisht në diplomacinë e jashtme, duke mos arritur të realizojë as edhe një njohje të vetme. Përveç ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, edhe tentativat e kryeministrit Kurti ishin të kota që një shtet i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkruan […]
Përveç ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, edhe tentativat e kryeministrit Kurti ishin të kota që një shtet i ri ta njohë pavarësinë e Kosovës, shkruan Periskopi.
Sikurse në vitin e kaluar, edhe këtë vit është përmendur “njohja nga Greqia”, si shteti më afër njohjes së Kosovës nga pesëshja e BE-së. Por këtu, shto edhe faktin se kryeministri Kurti pothuajse cdo vit shkon në Symi për të marrë pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar, por edhe me shpresën se ky vend do të bëjë një lëvizje drejt njohjes së vendit tonë.
Ku është njohja nga Greqia?
Përveç kryeministrit Kurti, edhe ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, në një emision vendor kishte deklaruar se “Greqia mund të jetë nga të parat shtete të BE-së që do të na njohë, por nuk mund të japë një datë të caktuar”.
Ajo kishte folur edhe për raportet ndërshtetërore me Greqinë dhe kishte thënë se me Athinën zyrtare kanë raporte shumë të mira, madje më të mira se me disa shtete që e kanë njohur Kosovën por që Prishtina zyrtare s’ka ndonjë raport.
“Me Greqinë i kemi raportet jashtëzakonisht të mira. Me Greqinë diskutojmë ndoshta më intensivisht sesa me shtetet që na kanë njohur. Greqia është në kërkim të një momenti të mirë për të bërë edhe hapin final. Aq më tepër që Kosova është dëshmuar si partner serioz evropian. Mendoj që me Greqinë , unë nuk dua të them data ose të parashikoj çfarë do të ndodh. Por raportet janë shumë të mira dhe diskutojmë shumë tema”, kishte thënë Gërvalla, përcjell Periskopi.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e kishte vlerësuar si ‘avancim në diskurs’ qasjen e Greqisë ndaj Kosovës.
Madje, ai në një konferencë për media kishte thënë se takimet në shtetin grek nuk i bën “as me tupan as me vuvuzela për shkak që është e dëmshme”.
Fatkeqësisht, Greqia nuk po ndryshon qëndrim dhe nuk do ta njohë Kosovën.
Kështu të paktën kishte deklaruar ambasadori grek në Serbi, Giorgos Giakofotakis dhe ka shtuar se nuk ka presion ndaj vendit të tij për ta bërë këtë.
“Gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd (3 qershor), ministri i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias përsëriti se qëndrimi i Greqisë mbetet i pandryshuar dhe se ajo nuk ka ndërmend të njohë pavarësinë e Kosovës”, thoshte diplomati grek për Tanjug, përcjell Periskopi.
Ndërkohë, edhe ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias, në kohën e tensioneve në veri të vendit, kishte folur kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Për opozitën në Kosovë, ky është një dështim i madh i qeverisë në arenën ndërkombëtare
”Në arenën ndërkombëtare vlerësoj që nuk kemi qenë ndonjëherë më keq si shtet për shkak se nuk kemi asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Për me tepër vlerësoj që është një dështim që nuk e kemi asnjë njohje e pesëshes refuzuese nga Bashkimi Evropian”, ka deklaruar për Klanin shqiptar, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu–Shoshi.
Kurse deputetja e LDK, Rrezarta Krasniqi deklaroi se në rrafshin e politikës së jashtme ka vetëm regres.
”Kemi vetëm regres dhe ju e dini që jemi përjashtuar nga ‘Defender 23’, ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme nuk vjen të raportojë edhe përkundër 20 ftesa që i kemi bërë”.
Ndërsa nga AAK, Time Kadriaj tha se politika e jashtme është “dështim total”.
”Dështim totale e politikës së jashtme, nuk kemi asnjë njohje e asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, degradim i dialogut dhe dëmtim i subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.
Por Vetëvendosja në pushtet e konsideron si të suksesshëm vitin 2023 dhe nuk i sheh fortë të rëndësishme njohjet e reja.
”Sa i përket asaj që Kosova ka bërë në aspektin e subjektivitetit ndërkombëtarë mendoj që nuk ka bërë asnjë Qeveri në të kaluarën”, thotë deputetja e VV-së, Arbëresha Kryeziu Hyseni.
Sipas Vetëvendosjes, nisja e aplikimit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe kalimi i fazës së parë në Këshillin e Evropës janë disa nga sukseset në arenën ndërkombëtare për Kosovën.
Ndryshe, Greqia bashkë me Spanjën, Sllovakinë, Qipron dhe Rumaninë mbeten pesëshja evropiane që nuk e ka njohur ende Kosovën. /Periskopi/












