Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia

Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë […]
Njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pika e parë e dialogut, thotë asistentja në Parlamentin Evropian, Federica Woelk. Kritika ka për Bashkimin Evropian për atë se si e ka trajtuar dialogun deri më tani, për çka shton se duhet të ndërrohen ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.
Në intervistë për KosovaPress, Woelk thotë se Bashkimi Evropian duhet të vendosë sanksione ndaj Serbisë dhe t’i heq masat ndaj Kosovës, porse thekson se në këtë drejtim po ndikojnë negativisht disa shtete anëtare.
Asistentja parlamentare e akredituar e eurodeputetes Ulrike Muller, Federica Woelk apelon palën kosovare që të lobojë më shumë për të drejtën e saj që të vihet në pah fakti se Kosova qëndron më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.
“Për të qenë e sinqertë, unë jam pak kritike se si BE e ka trajtuar dialogun deri më tani për disa arsye. Para së gjithash, sepse ndaj Kosovës kishte sanksione të cilat janë ende në funksion dhe për mendimin tim kjo është krejtësisht e padrejtë. Së dyti, sepse edhe Serbia nuk ka filluar t’i zbatojë marrëveshjet dhe Serbia nuk ka pasur pasoja për këtë, plus, për momentin po shohim që edhe Serbia ka pasur guximin të thotë përballë Von der Leyen se do nuk e njohin Kosovën dhe kjo duhet të jetë, për mendimin tim, pika e parë e dialogut”, thotë ajo.
E në mënyrë që të ndalet ndikimi i Serbisë në Ballkan e veçmas në Kosovë, Woelk thekson se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.
Sipas saj, pezullimi i fondeve të BE-së ndaj Serbisë derisa kjo e fundit të mos e njoh Kosovën është diçka që duhet të jetësohet.
“Sanksionet duhet të vendosen ndaj Serbisë dhe të hiqen nga Kosova…”, thotë ajo.
Ajo flet edhe për agresionin e Serbisë në Banjskë kur terroristët serbë sulmuan Policinë e Kosovës duke lënë të vdekur rreshterin policor, Afrim Bunjaku.












