SHBA e futi në listën e zezë, çka thuhet në vendimin për pezullimin e “Babës së Tenderëve” nga pozita në Ministrinë e Infrastrukturës

Pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Nexhat Krasniqi është pezulluar nga pozita e udhëheqësit të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI). Në vendimin e publikuar nga Gazeta Express, të datës 3 nëntor 2023, thuhet se pezullimi i Krasniqit, i njohur si “Baba i Tenderëve”, erdhi pas sanksioneve […]
Në vendimin e publikuar nga Gazeta Express, të datës 3 nëntor 2023, thuhet se pezullimi i Krasniqit, i njohur si “Baba i Tenderëve”, erdhi pas sanksioneve nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH)
“Vendimi për pezullim i z. Nexhat Krasniqit, ka ardhë si rrjedhojë e sanksioneve të vendosura ndaj tij nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke pasur parasysh marrëdhëniet ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi. Pezullimi do të jetë në fuqi deri në marrjen e vendimit përfundimtar sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.
Vendimi i nënshkruar nga zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MMPHI-së, Izedin Bytyqi, obligon Divizionin e Prokurimit, Njësinë e Burimeve Njerëzore dhe Divizionin për Buxhet dhe Financa, për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.
Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-zyrtar i prokurimit në Ministri të Tregtisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.
Pas saksionimit të Krasniqit, ka reaguar Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Sipas tij, saksionimi i Krasniqit tregon se sa me seriozitet e trajtojnë çështjen e korrupsionit.
“Ky njoftim rikonfirmon seriozitetin me të cilin Shtetet e Bashkuara i trajtojnë çështjet e korrupsionit. Ne do të vazhdojmë të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien dhe për të penguar sjelljen e ardhshme kriminale duke mbështetur institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit”, kishte shkruar Hovenier në Twitter.












