Pritet që Blinken në Izrael të bëjë thirrje për pauzim të luftimeve që të lejohen ndihmat në Gaza

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, mbërrin sot në Tel Aviv dhe pritet t’i kërkojë qeverisë izraelite që të pajtohet me pauzimin e luftimeve në Gaza, sipas Shtëpisë së Bardhë. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po avokojnë për një armëpushim të përgjithshëm, por një […]
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, mbërrin sot në Tel Aviv dhe pritet t’i kërkojë qeverisë izraelite që të pajtohet me pauzimin e luftimeve në Gaza, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po avokojnë për një armëpushim të përgjithshëm, por një pauzë “të përkohshme, të lokalizuar”.
Derisa po nisje nga Uashingtoni, Blinken tha se do të diskutonte hapat konkretë për të minimizuar dëmtimin e civilëve në Gaza gjatë vizitës së tij në Izrael.
Që kur militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1,400 izraelitë, të paktën 9,061 palestinezë janë vrarë në luftë, kryesisht gra dhe të mitur dhe më shumë se 32,000 njerëz janë plagosur, tha të enjten ministria e shëndetësisë në Gaza. Numri i të vdekurve është i paprecedentë në dekadat e luftës izraelito-palestineze, raporton Associated Press.
Më shumë se 3,700 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditë luftimesh – më shumë se gjashtëfishi i 560 fëmijëve që OKB-ja kishte raportuar të vrarë në 19 muajt e luftës në Ukrainë deri më 8 tetor.
Bombardimet kanë dëbuar më shumë se gjysmën e 2.3 milionë banorëve të territorit nga shtëpitë e tyre. Ushqimi, uji dhe karburantet po mbarojnë nën rrethimin e Izraelit dhe spitalet e mbingarkuar paralajmërojnë se janë në prag të kolapsit.












