Lajcak flet për takimin me Bislimin e Petkoviqin: Diskutimet ishin të dobishme

Emisari special i Bashkimit Europian (BE), për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se me kryenegociatorët e palës kosovare dhe asaj serbe, sot patën diskutime të dobishme për progres në shumë pika, shkruan Gazeta Metro. Këtë, Lajcak e shkroi në një reagim të tij në platformën X, ndërsa flet për takimin si raund tjetër i […]
Këtë, Lajcak e shkroi në një reagim të tij në platformën X, ndërsa flet për takimin si raund tjetër i bisedimeve Kosovë-Serbi.
”Sot prita kryenegociatorët, të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për një raund të takimeve të dialogut në Bruksel. Diskutimet tona ishin të dobishme për të bërë përparim në një sërë çështjesh në agjendën tonë”, tha ai.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre, derisa homologu i tij serb, Petar Petkoviq, ka thënë se draft-statuti për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka qenë tema kryesore e diskutimit.
“Gjatë javës së kaluar, zoti Lajçak na e ka sjellë një draft të ri, i cili e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e Marrëveshjes, apo zbatim më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që për këtë draft t’i japim komentet finale, në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm edhe për palën tonë. Mendoj se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë propozimet tona dhe të gjitha janë argumentuar mirë në detaje”, ka thënë Bislimi, pas takimit.
I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë, por pala kosovare e ka bërë të qartë qëndrimin e vet qysh më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me zyrtarët perëndimorë.
Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen
“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”.
Bislimi ka thënë se në takim është diskutuar edhe për çështje të energjisë, për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, dhe për mbajtje të zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës.
I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deri në fund të vitit, Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur datë konkrete.
“Është fakt që zgjedhjet në Serbi e kanë dëmtuar shumë procesin, për arsye se janë caktuar si obstruksion për ecurinë e procesit të dialogut. Kjo sjell paqartësi se si mund të ecim tutje. Sot gjatë takimit nuk është diskutuar assesi dhe asnjë moment opsioni për takime të radhës”.












