Klinaku i kërkon Gjykatës Speciale t’ia publikojë bisedat me të akuzuarit në Hagë

Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale në Gjykatën Speciale që t’ia publikojë bisedat me bashkëluftëtarët e tij, që po mbahen në Hagë, nëse veç janë përgjuar. “Nëse ZPS më ka përgjuar edhe mua kur kam qenë në vizitë të 8 bashkëluftëtarëve në Hagë, […]
Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale në Gjykatën Speciale që t’ia publikojë bisedat me bashkëluftëtarët e tij, që po mbahen në Hagë, nëse veç janë përgjuar.
“Nëse ZPS më ka përgjuar edhe mua kur kam qenë në vizitë të 8 bashkëluftëtarëve në Hagë, mirë bëjnë që ta publikojnë, sepse veç për realitetin kemi folur”, ka shkruar Klinaku të premten në Facebook.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Gjykata vendosi t’ua ndalojë kontaktet tre të akuzuarve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, bazuar në kërkesën e Prokurorisë që pretendonte se tre të akuzuarit kanë shkelur urdhrat e trupit gjykues, duke zbuluar identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur apo duke e shpërndarë përmbajtjen e dëshmisë konfidenciale për personat që i vizitojnë.
Nga ZPS-ja është pretenduar se ata deri më tash i kanë shfrytëzuar vizitat për të çuar mesazhe te dëshmitarët dhe familjarët e tyre.
Prokuroria ka publikuar edhe transkripte që, sipas saj, janë nga bisedat me të tjerët që kanë realizuar Thaçi, Veseli e Selimi.
Në Hagë po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Pjetër Shala në paraburgim, ndërsa janë dënuar Nasim Haradinaj, Hysni Gucati dhe Sali Mustafa.












