Dëshmitari kundër krerëve të UÇK-së në Hagë, ishte pjesëtar i Ushtrisë së Serbisë në kohën e luftës

Dragan Ivanisheviq ishte dëshmitari i 34-të kundër krerëve të UÇK-së në Hagë. Ky pretendon të jetë rrëmbyer bashkë me një tjetër serb në shkurt të vitit 1999, por që sipas tij, ia doli të arratiset. Por, Ivanisheviq që nga marsi ishte bashkuar me Ushtrinë e Serbisë në kohën e luftës. Detaje nga dëshmia e tij: […]
Detaje nga dëshmia e tij:
Më 9 shkurt të vitit 1999, Dragan Ivanisheviq, pretendon të jetë rrëmbyer nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkë me të ishte edhe serbi tjetër, Velko Markoviq. Ky i fundit që edhe sot figuron si i zhdukur.
Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga avokatët, dëshmitari e konfirmoi se ka qenë ushtar i Serbisë në kohën e luftës në Kosovë.
Ai ka thënë se në kohën kur ka filluar lufta ka qenë i mobilizuar në ushtri si dhe ka shërbyer në njësitin “Mbrojtja territoriale”, në Vushtrri.
“Në ‘99 u mobilizova, u mobilizova sigurisht kur filloi lufta. Që prej 25 marsit të vitit (1999) deri më 14 qershor 1999. Ishte njësiti i Mbrojtjes territorialenë Vushtrri”, tha Ivanisheviq.
“Kam qenë në këtë zonë. Ndonjëherë shkonim të ofronim ndihmë në vendet e tjera. Unë isha gjatë gjithë kohës në Vushtrri, por isha edhe në fshatrat rreth e rrotull. Kam qenë në fshatin tim. Kam qenë edhe në disa vende, në vende që na dërgonin për ndihmë”, tha dëshmitari Dragan Ivanisheviq.
Çuditërisht ai deklaroi se nuk është në dijeni të masakrave në Vushtrri që janë kryer nga Ushtria e Serbisë. Krejt kjo në kuadër të pyetjeve që ia bëri avokati i Thaçit, Luka Misetiq.
“Jo është herë e parë që e dëgjoj këtë. Është hera e parë që dëgjoj për këta 1 mijë persona”, tha dëshmitari.












