Scholz për situatën Kosovë-Serbi: E rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej

Sulmi terrorist në Banjskë, i organizuar nga krimineli Millan Radojiçiq, ka aktivizuar udhëheqësit e shteteve kryesore evropiane për të bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe rikthim në dialog. Një ndër vendet që po angazhohet për këtë çështje është edhe Gjermania. Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka bërë thirrje për ulje të tensioneve. Kancelari i Gjermanisë, […]
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai të mërkurën theksoi se për të është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë edhe më tej për Kosovën dhe Serbinë.
Më tej, ai ka thënë se shteti i tij Gjermania, si Franca e Italia, janë të aktive në drejtim për zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për mua është shumë e rëndësishme që situata të mos eskalojë më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Ne jemi shumë të përkushtuar për një zgjidhje paqësore. Gjermania, Franca dhe Italia janë veçanërisht aktive në këtë drejtim.” – ka thënë Scholz në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov, raporton agjencia e lajmeve AA.
Më tej, Scholz ka paralajmëruar se çështja e Kosovës dhe Serbisë do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten në një takim të udhëheqësve nga afro 50 vende evropiane në Granada të Spanjës.
Në ndërkohë, zëdhënësja e ministrisë së Jashtme gjermane, Katrin Deschauer ka thënë se situata në rajon është “mjaft shqetësuese” si shkak i sulmit në veri.
Ajo e quajti tërheqjen e trupave të Serbisë nga kufiri me Kosovën një “hap të rëndësishëm”, teksa ka kërkuar nga Beogradit të bëjë më shumë për të de-përshkallëzuar tensionet me Kosovën dhe këto hapa duhet të bëhen tani.
“Serbia e ka obligim që pa mëdyshje të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna. Në përgjithësi, situata është e tensionuar. Shenjat e para të reduktimit të trupave serbe janë një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit. Pavarësisht kësaj, ne duam të theksojmë përsëri se hapa të mëtejshëm drejt de-përshkallëzimit duhet të ndërmerren tani.” – ka thënë ajo.
Gjithashtu ajo ka theksuar se ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Berbock, gjatë udhëtimit të enjten në Shqipëri, do të bisedojë më ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomatja gjermane do të bisedojë me ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë gjatë takimit në kuadër të Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë.
Këto thirrje dhe kjo qasje e Gjermanisë po bëhet për shkak të sulmit terrorist të organizuar nga kryekrimineli, Milan Radojiçiq dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe që dha dorëheqje nga kjo pozitë dy ditë pas sulmit.
Radojiçiq u ndalua për 48 orë në Serbi, por pastaj u liruar me disa kushte, një nga to nuk i lejohet ardhja në Kosovë.
Në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjskë mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar, Afrim Bunjaku, ndërsa nga ana e terroristëve tre u vranë dhe dy të tjerë u arrestuan.
Ky sulm është dënuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
Duhet të kujtojmë se pas sulmit në Banjskë, NATO ka marrë vendim për shtimin e trupave të KFOR-it në Kosovëë.
Ndërkaq, Gjermania nuk ka planifikuar të dërgojë trupa ushtarakë shtesë në Kosovës.
Kështu të paktën ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes gjermane, Mihael Štempfle që ka thënë se nuk ka plane për rritjen e numrit të ushtarëve gjermanë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili aktualisht është 71.












