Në Gaza raportohen mbi 160 viktima pas raketimeve izraelite

Ministria e Shëndetësisë e autoritetit palestinez ka raportuar se 161 persona kanë mbetur të vdekur në Gaza, pas raketimeve izraelite, të cilat kanë ardhur si përgjigje ndaj sulmeve të militantëve të Hamasit në rajonin jugor të Izraelit. Lajmin e ka raportuar transmetuesi Al-Arabiya, duke cituar njoftimin e autoriteteve palestineze. Nga ana tjetër, bilanci paraprak në […]
Ministria e Shëndetësisë e autoritetit palestinez ka raportuar se 161 persona kanë mbetur të vdekur në Gaza, pas raketimeve izraelite, të cilat kanë ardhur si përgjigje ndaj sulmeve të militantëve të Hamasit në rajonin jugor të Izraelit.
Lajmin e ka raportuar transmetuesi Al-Arabiya, duke cituar njoftimin e autoriteteve palestineze.
Nga ana tjetër, bilanci paraprak në Izrael prej sulmit të Hamasit është prej 40 të vrarë dhe 740 të plagosur.
Lajmin e kanë bërë me dije mediat vendase, referuar edhe të dhënave të paraqitura nga Policia e Izraelit.
Sipas kësaj të fundit, pritet që luftimet të zgjasin për disa ditë, në një front të krijuar në kufirin me Gazën, ku palestinezët kanë marrë kontrollin e shtatë pikave kyçe të kalimit aty.
Me buldozerë, ata kanë shkatërruar gardhin rrethues, duke nisur inkursionin dhe duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë.
Raportohet po ashtu se 57 izraelitë, mes të cilëve edhe policë e ushtarë, janë marrë peng nga militantët e Hamasit.
Përtej faktit se luftimet mund të zgjaten në kohë, sipas shërbimeve izraelite, pak orë do të nevojiten për të rikapur pikat e kalimit dhe për të vendosur një lloj rendi në kufi me Gazan.
Vetë palestinezët në West Bank ndërkaq, është raportuar se janë në festë prej zhvillimeve të fundit, me festime masive në rrugë.












