Hoxhaj: Absurde se si shumica qeverisëse dhe parlamentare nuk duan ta mbështesin Policinë e Kosovës

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas kundërshtimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të futur në rend të ditës Rezolutën e propozuar nga PDK për fuqizimin e Policisë së Kosovës. Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se ky veprim i shumicës parlamentare është absurd. “Sot ishte absurde […]
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas kundërshtimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të futur në rend të ditës Rezolutën e propozuar nga PDK për fuqizimin e Policisë së Kosovës.
Hoxhaj në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se ky veprim i shumicës parlamentare është absurd.
“Sot ishte absurde që të shohim që shumica qeverisëse, shumica paralamentare nuk do të bëjë asnjë veprim në mbështetje të Policisë së Kosovës sa i takon shtesës së rrezikshmërisë, por edhe pensionimit të parakohshëm të tyre”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj tha se kjo rezolutë nuk ishte asgjë tjetër, veçse unitet, të cilin po e kërkojnë qytetarët e Kosovës dhe çdo shqiptar.
“Kërkoj nga ju si shumicë parlamentare të vendosni në seancën e ardhshme në rend të ditës një rezolutë të tillë, e cila duhet ta reflektojë realitetin e ri të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.
PDK propozon rezolutë për fuqizimin e Policisë, VV e kundërshton
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka propozuar rezolutë për fuqizimin e Policisë së Kosovës.
Tahiri tha se ‘kjo Rezolutë përmbana tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës’.
“Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, ju propozoj që ta plotësojmë ndryshojmë rendin e ditës së kësaj seance. Ashtu sic ishim unik para një jave, të jemi unik që pjesë e rendit të ditës së kësaj seance të jetë një rezolutë me të cilën do ta mbështesim Policinë e Republikës së Kosovës. Kjo Rezolutë përmban tri pika jashtëzakonisht të rëndësishme përmes të cilave Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria hyjnë në një agjendë mbështetëse për Policinë e Kosovës. Me anë të kësaj rezolute, ne propozojmë që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet Projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë”, ka thënë Tahiri.
Mirëpo, këtë propozim të PDK-së e ka kundështuar kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila.
“Ne vlerësojmë dhe shprehim mbështetjen e parezervë për Policinë e Kosovës. Ajo që ne si grup parlamentar kërkojmë, është të ulemi dhe të kemi një konsultim të detajuar. Nuk është ideja që të përplasemi dhe debatojmë se kush e sa e vlerëson Policinë e Kosovës, por të vendosim menjëherë si pikë e rendit të ditës, sic u kërkua kanë implikime buxhetore”
Ndërkaq, LDK ka mbështetur këtë propozim. Arben Gashi tha kështu:
“Nuk e kuptova kryetaren e grupit parlamanetar të Vetëvendosjes, se propozimi është konkret, ne si grup vlerësojmë se plotëson kushtet për të hyrë në rend dite dhe pastaj diskutojmë, debatojmë”./Periskopi
PDK propozon rezolutë për fuqizimin e Policisë, VV e kundërshton












