Gjenerali turk Ulutash merr detyrën e komandantit të KFOR-it

Gjeneral-major Ozkan Ulutash e ka marrë të martën detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas sulmit të muajit të kaluar në veri të vendit. Kjo është hera e parë që KFOR-i do të udhëhiqet nga një komandant turk. […]
Gjeneral-major Ozkan Ulutash e ka marrë të martën detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas sulmit të muajit të kaluar në veri të vendit.
Kjo është hera e parë që KFOR-i do të udhëhiqet nga një komandant turk.
Ulutash e mori detyrën nga komandanti i deritanishëm italian, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, gjatë një ceremonie në Prishtinë, duke u bërë komandanti i 28-të i misionit të NATO-s në Kosovë që nga viti 1999.
Duke folur pasi e mori detyrën, Ulutash tha: “Si komandanti i parë turk i KFOR-it e kuptoj përgjegjësinë që e kam marrë. Duke e parë gjendjen e ndjeshme në Kosovë, po e marr komandën me përkushtim për t’i bërë të gjitha përpjekjet dhe për ta përdorur gjithë përvojën për tu siguruar se ky unit i shquar do të shërbejë suksesshëm në të ardhmen sic ka bërë në të kaluarën.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan në manastirin e fshatit, u vranë tre sulmues serbë.
Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.
Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-kryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Më 3 tetor, Radoiçiqi u arrestua, u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në paraburgim policor deri në 48 orë, para se të lirohej një ditë më vonë.












