Fjalim i fuqishëm i Edi Ramës për Kosovën: Periskopi sjell 10 pjesë që nuk duhet t’i humbisni

Fjalim i fuqishëm i Edi Ramës për Kosovën: Periskopi sjell 10 pjesë që nuk duhet t’i humbisni

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka mbajtur sot një fjalim të jashtëzakonshëm për Kosovën, në Kuvendin shqiptar.  Më poshtë, Periskopi sjell 10 pjesë kryesore – transkriptuar nga ky fjalim: 1.Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën, po edhe në detyrën e tij, të miratojë rezoluta të kësaj natyre, të cilat i drejtohen për mbështetje […]

 Më poshtë, Periskopi sjell 10 pjesë kryesore – transkriptuar nga ky fjalim:

1.Kuvendi i Kosovës është jo vetëm në të drejtën, po edhe në detyrën e tij, të miratojë rezoluta të kësaj natyre, të cilat i drejtohen për mbështetje politike e institucionale, fuqive aleate dhe organizmave ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës nuk bën pjesë.

Pyes: Po Kuvendi i Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE, i cili ka ulësen, ka të gjitha rrugët e komunikimit institucional me botën demokratike, ka ambasadorët e vet në të gjitha organizmat e politikës ndërkombëtare, kujt ia drejton këtë rezolutë?

Cilat parlamente të vendeve anëtare të NATO-s apo kandidate të BE-së,  miratojnë, si të ishin asamblera parlamentare të përbëra nga shumë shtete, rezoluta të tilla drejtuar organizatave të komunitetit euro-atlantik, ndërkohë që janë vetë pjesë e tij dhe cili është qëllimi i një nisme të tillë, përtej propagandës kinse patriotike për audiencën e brendshme kombëtare?

 Draft-rezoluta të tilla të kuvendit tonë shfaqen me shpejtësi të rrufeshme, herë si zgjatim i thonjve të krizës në veriun e Kosovës, herë si politikë ditore e llojit më të ulët me viktimat e Millosheviçit në Kosovë, madje deri në Bosnjë, e herë deri edhe si thirrje në skenë të viktimave të Enverit, për të luftuar me qeverinë në parlamentin e shekullit XXI. Cilit planet i përshtatet kjo kategori mocionesh për debat dhe me sherrnajë pararendëse, me barrikada trupore si ajo e seancës së shkuar, e me akuza për tradhëti e tradhëtarë? Botës demokratike jo njëherë! Fatmirësisht e në të njëjtën kohë fatkeqësisht për Shqipërinë, bota nga vijnë këto shkulma dëshpërimi politik ekstrem, i përket një planeti tjetër nga i yni, i cili e ka marrë botërisht së fundmi edhe emrin e vet të merituar:  Planeti NonGrata!

2.Lajmi i vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali të paekuivok përshkallëzimi të konfliktit në atë skenë, ku prej kohësh tanimë, prodhohet tensioni që kthen mbrapsht sistematikisht procesin e dialogut të normalizimit mes Kosovës e Serbisë dhe ndez llampën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike. Zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjes pas shpërthimit, kishte pamjen e një materiali arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ku ngujimi i kriminelëve serbë në një manastir ishte si një ftesë tejet provokuese, për ta çuar konfliktin e armatosur në një pikë pa kthim dhe prodhuar alibira haluçinante vetëmbrojtjeje nga terrori imagjinar i shtetit të Kosovës.

Fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk ranë në kurthin e dëshiruar prej organizatorëve, po me gjakftohtësi të admirueshme dhe profesionalizëm të lartë, e neutralizuan rrezikun e zgjerimit e të zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme, provokimit djallëzor të grupit kriminal serb.

Ndërsa epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës, ishte shembëlltyra e gjallë e hijes të së shkuarës, e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, mu si hija që e ndjek kudo njeriun, sapo del drita.

 Si reagoi Shqipëria përmes qeverisë shqiptare ndaj asaj ngjarjeje kriminale, sa tragjike për humbjen e jetës së një shërbëtori të ndershëm e të pafajshëm të shtetit të Kosovës, aq edhe domethënëse për rrezikun e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit në veriun e Kosovës?

 Për herë të parë në të paktën 10 vjetët e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Europian.

 Ajo deklaratë ishte kryekëput për Kosovën e për detyrat e saj në procesin e dialogut. Asnjë gërmë për Serbinë.

 3.Duhet të jetë shumë e qartë gjithashtu, se ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoralsiç janë prej kohësh tanimë e fatkeqësisht, një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë, përmes zërash të dytë e të tretë – po mbajtëm një qëndrim parimor e politik, në funksion të nxitjes së Brukselit, për të siguruar një qëndrim të unifikuar të të 27 vendeve anëtare lidhur me ngjarjen e me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj saj. Jo vetëm me fjalë, po edhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë.

Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithashtu, si edhe vetëviktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy, falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut, e bëjnë jo fort të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, të cilën ne e kemi vazhduar në çdo instancë e rrethanë të mundshme, siç ishte edhe samiti i Komunitetit Politik Europian në Granada, ku së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, kemi folur me aktorët politikë të pranishëm për nevojën e një qëndrimi adeguat të BE-së ndaj këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, sepse Beogradi zyrtar mban një përgjegjësi të madhe, përderisa jo vetëm nuk e dënoi agresionin, po e mbuloi atë me flamurin kombëtar të zisë.  Kështu e lexuam, gjykuam dhe trajtuam ne shpërthimin e fortë paralajmërues të Banjskës.

4.Puna është se në Tiranë, po edhe në Prishtinë, ka disa që nuk duan ta kuptojnë se Shqipëria e sotme nuk është më ajo e djeshmja në arenën ndërkombëtare. Nëse sot ne respektohemi si absolutisht të barabartë në çdo instancë e rrethanë, vlerësohemi për dinjitetin dhe qartësinë që tregojmë me fjalë e me vepra, pyetemi nga të gjithë aktorët kryesorë të komunitetit euro-atlantik që na konsultojnë rregullisht për problematikat rajonale, çmohemi si një vend të cilit i besohen role me rëndësi në tryeza kryesore ndërkombëtare më e fundit zgjedhja e Shqipërisë dy ditë më parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB, mes vetëm 15 vendeve të botës apo na kërkohen mikpritje samitesh të rëndësishme të këtij komuniteti këtu në Shqipëri – gjëra të paimagjinueshme vetëm deri disa vite më parë – kjo nuk ndodh as se unë vesh atlete nëpër samite, as se ata që na besojnë nuk dinë çfarë të bëjnë apo nuk kanë se ku të mblidhen bashkë.

Kjo ndodh vetëm e vetëm, sepse ne e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri, politikën tonë të jashtme në një stad të ri, pozicionin e shtetit tonë në rajon në një majë të re dhe shembullit në fakt të kahershëm të këtij vendi, si faktor paqeje e stabiliteti rajonal, i kemi dhënë një rrezatim të ri, prej një anëtari të denjë e të përgjegjshëm të komunitetit euro-atlantik, aktiv në mbrojtjen e interesave të veta kombëtare dhe të interesit strategjik të paqes, stabilitetit e progresit në këtë rajon.

Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritë paraardhëse ta thonë me krenari, Shqipëria është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon?

5.Ja pse në Prishtinë e në Tiranë, nga profile publike, politike a mediatike apo nga profile fallco pa hesap, përmes rrjeteve sociale, portaleve e kanaleve televizive, u nxit menjëherë pas ngjarjes në Banjskë, furia kinse patriotike e radhës kundër meje personalisht, si “vëllau i Vuqiqit” dhe si “i kapuri nga Vuçiçi”. Ridoli rrufeshëm në mexhelis akt-akuza groteske e tradhëtisë time, në një prej shfaqjeve më mbresëlënëse të trushpëlarjes propagandistike.

Ishte e dhimshme të shihje në të dyja anët e kufirit, daljen aq ashiqare në pah të synimit të ulët të keqshfrytëzimit të jetës së humbur të policit të vrarë, për të rritur mbështetjen elektorale, duke  lëshuar rrugëve mediatike gjuhët më të përdala të mexhelisit politik të shqiptarëve, bashkë me trollsat e mexhelisit digjital, që të rentabilizohej politikisht revolta legjitime të shqiptarëve në Kosovë e në Shqipëri për vrasjen e efektivit të policisë, me ushqimin e ndjenjave armiqësore ndaj personit tim, gati – gati si të isha bashkëorganizator në atë vrasje – më e keqja, duke harruar apo më saktë, duke mos e çarë kokën hiç asfare, për efektet përçarëse në bashkësinë shqiptare të këtij marifeti politik të radhës.

 Një turravrap prej lukunie të etur për sherr, për të ardhur thellësisht keq për nivelin mizerabël etik e moral, dhe hipokrizinë pseudo-patriotike, të kepërdoruesve politikë e mediatikë të të gjithë atyre njerëzve të zakonshëm, në Kosovë e në Shqipëri, që u besojnë, i ndjekin, i dëgjojnë a i lexojnë besnikërisht kepërdoruesit e tyre.

 6.Le të kthehemi tek armata e hedhur në veprim përmes të gjitha kanaleve, portaleve e socialeve nga Prishtina e deri në Tiranë, për të masakruar “vëllaun e Vuqiqit” apo “të kapurin nga Vuçiçi”, sipas së cilës unë kërkova të njëjtën gjë si armiku në Beograd:Pushtimin e veriut nga KFOR-i.

 Sa herë akt-akuza ndaj meje, rivjen në sallën e gjyqit nacional-folklorik të televizorëve e të smartfonëve të mexheliseve tona, këtej e andej bjeshkëve, rivijnë bashkë me akt-akuzën edhe thirrjet nga salla kundër Europës, si “kuçka e vjetër që s’na ka dash kurrë” dhe që “i duhet tregu veni me bashkim kombëtar”, apelet për armatosje gjer në dhëmbë për luftën finale me serbin, se “kuçka e vjetër do na lejë në baltë” e lloj – lloj klithmash nacionaliste, që tingëllojnë si të folurat me vete gjatë delirit të gjatë në bunkerin enverist.

Këtyre thirrjeve të zakonshme momentesh të pazakonshme, iu shtuan këtë herë edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n, që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado,  prej nga hyjnë serbes armatime, drogë e dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme.

Këtë të forcave të pakta e thonë vetë së fundmi edhe udhëheqësit e Kosovës në fakt, ndërkohë që KFOR-i ka shprehur jo njëherë pakënaqësitë për nivelin e bashkëpunimit me shtetin e Kosovës, sepse përtej arsyeve të tjera që mund të ketë, qartësisht nuk ka forca të mjaftueshme për të kontrolluar situatën e rënduar dhe pastaj i duhet të justifikohet, por ja që, si gjithmonë, edhe kur unë them të njëjtën gjë si udhëheqja e Kosovës, për plot të armatosur me fejsbuk andej e për disa të helmuar nga ai planeti tjetër këndej, jam po aq Esad Pashë, sa edhe kur nuk them të njëjtën gjë me udhëheqjen e Beogradit.

7. Ç’është e vërteta kjo më siguron që kam thënë gjënë e duhur për interesin e Shqipërisë dhe të Kosovës bashkë. Po cili sovranitet iu rrezikuaka Kosovës nga shtimi i forcave të NATO-s në veri dhe si duhet kuptuar ky sovranitet, kur në atë zonë ndizet e shuhet konflikti sipas axhendës së individëve e grupeve, që jo vetëm janë një miks i politikës ultra-nacionaliste serbe me llumin e krimit të organizuar, po gëzojnë edhe mbështetjen e turmave të indoktrinuara dhe të varfëruara nga izolimi të banorëve të atjeshëm, të cilët ushqehen me lëmoshat e Beogradit e të tutorëve të krimit të organizuar, ndërkohë që shtetit sovran të Kosovës nuk i njohin asnjë autoritet dhe nuk i paguajnë asnjë taksë, e madje asnjë faturë dritash?!

Ndjesë, po mua kjo mënyrë e qasjes ndaj një problemi kaq serioz, më duket si alibi për të mbajtur gjallë burimin e konfliktit dhe jo si shqetësim logjik për sovranitetin e territorit të Republikës së Kosovës, garanti më i fortë e më i padiskutueshëm i të cilit është prania NATO-s, jo turma e sherrxhinjve me profile publike e me profile fallco, që mësyjnë në rrugët e komunikimit në këto raste!

KFOR-i nuk është një ushtri pushtuese në Kosovë, po është njësia e çlirimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës apo nuk e mbajnë më mend të gjithë këtë? – se helbete koha kalon dhe kur tjetri të ruan shpinën prej shumë vitesh, pasi të ka shpëtuar kokën, ekziston edhe mundësia që të të gënjejë mendja sikur rreziku nuk ekziston më, madje sikur edhe kokën e ke shpëtuar pa ndihmën e askujt, prandaj mund të të duket deri edhe sikur ai që të ruan, në fakt po të spiunon për llogari të atij nga i cili të shpëtoi kokën!Por fakti i thjeshtë është se KFOR-i do të vazhdojë të rrijë në Kosovë, deri kur dialogu i normalizimit me Serbinë të jetë kryer me sukses, të jetë garantuar paqja përfundimtare dhe Kosova të jetë njohur përfundimisht si shtet nga të gjithë.Kështu që kush e sheh sovranitetin e Kosovës të kërcënuar nga kërkesa ime për KFOR-in, duhet të shpjegojë pse rrjeta e kufirit në veri është e çarë nga të katër anët?

Si hyjnë aq kollaj në atë zonë prej vitesh tanimë armatimet e panumërta?

Çfarë garancish ka që vrasja e efektivit të policisë nuk do të përsëritet, largqoftë edhe më keq? Cila është rruga alternative e përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga aleatët strategjikë, për të garantuar rend ligjor, qetësi e sovranitet të plotë shtetëror në atë territor? Dhe, mbi të gjitha, për cilën arsye në botë duhen harxhuar kaq shumë energji, kohë e kredite ndërkombëtare të Kosovës, në një rrugë kaq zhgënjyese, si për nga rezultatet reale të dialogut, ashtu edhe për aleatët strategjikë të Kosovës, ndërkohë që problemi i vërtetë është, se pikërisht sovraniteti shtetëror i Republikës së Kosovës mund të lëndohet prej një rruge të tillë, nuk është lëndimi imagjinar i sovranitetit nga rritja e konsiderueshme e trupave të KFOR-it dhe vënia nën kontroll real e atij territori, ku çdo ditë mund të sjellë një telash të ri antishtet për Republikën e Kosovës!

8.Unë Albin Kurtin e kam mik më shumë se sa Ramush Haradinajn, me të cilin në një segment të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin s’kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje në nivelin personal e kam kënaqësi çdo bisedë me të. Por, me kryeministrin aktual të Kosovës kam divergjenca botëkuptimore, mbi mënyrën se si arrihet tek qëllimi i përbashkët kombëtar. Prandaj marrëdhënia miqësore, nuk ka më ka penguar me të tjerë më parë dhe nuk ka se si më pengon sot,  as që t’i kem dhe as që t’i shpreh divergjencat e lidhura pazgjidhshmërisht me detyrën time si kryeministër i Shqipërisë, jo me mua si person. Por gjithashtu fakti që me Ramushin kemi pasur një krisje në miqësi, nuk ka sesi më pengon që të shpreh këtu, publikisht, neverinë time të madhe, për një video propagandistike të shpërndarë ditët e fundit përmes tastierave të luftës civile digjitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe bëhej copë nga trollsat e trushpëlarjes kinse patriotike!

Po e dini çfarë? Ramush Haradinaj, si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste dhe si çdo luftëtar që ka fituar luftën me armë të vërteta me Serbinë, duke varrosur vëllezër e shokë lufte të vrarë e duke rrezikuar ta marrë edhe vetë plumbin e armikut në ballë, e nuk ka luftë imagjinare për të bërë, duke hapur varre digjitale në fejsbuk për ata që mendojnë ndryshe, pa rrezikuar asgjë, i fshehur pas një eprori a një profili fallco, nuk ka sesi ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në një koktej krejt të zakonshëm, madje në praninë e mediave mesa pashë – se mund të ishte edhe në një mjedis privat dhe prapë do të ishte e neveritshme, po të sulmohej për këtë me kësi mjetesh të ulëta.   Kush nuk ka mizë nën kësulë dhe e hedh gurin pa e fshehur dorën, bën luftën kur është për të bërë luftën dhe bën paqen kur është për të bërë paqen!

8.Prandaj turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë me lehtësinë e një puple, se pa qindra e mijëra ramushët e UÇK-së, sot nuk do ta gëzonin, deri në mundësinë e abuzimit ekstrem, lirinë e shprehjes dhe as do kishin shans fare të derdhnin përditë plumba fjalësh, shqiptarë kundër shqiptarësh, për turpin e dheut, në një inerci ku përplasja demokratike mes kundërshtarësh politikë, ka degraduar në një luftë të vërtetë civile digjitale, e cila e merr frymëzimin nga kuvendet e Kosovës e të Shqipërisë dhe nga odat mediatike të debateve pa pikë yndyre, ku tjetri sulmohet për t’i shembur dinjitetin personal me akuza nga më monstruozet, jo për t’i rrëzuar argumentin, me forcën e logjikës së kundërargumentave. Mbase ata në Prishtinë i shtojnë votat duke eskpozuar mendjelehtësinë e Amerikës, dritëshkurtësinë e Europës apo moskokëçarjen e Ramushit për t’i thënë “Zhiveli” një serbi, si edhe duke shtuar agjentë e spiunë në listën e armiqve të popullit,i cili sipas manifestit të luftës për triumfin final të partisë, duhet t’i dijë kush janë e t’i masakrojë sa më shpesh në internetme libër shtëpie, deri në ditën e gjykimit me votë.

E ja bujrum, së fundi, rroftë sebepi i Serbisë, armiqtë e popullit nuk janë emra dosido, po deri edhe kryeministri i Shqipërisë, Edvin Ramoviçi dora vetë. Gëzuar! Zhiveli! Bjerini fort daulleve, burive e tastierave për të luftuar më shumë Ramoviqin, sesa vetë Vuqiqin!

Po ama këtu në Tiranë, ah, këtu vetëm thellohen fitoret imagjinare të armatës së kapur pas së shkuarës,

në përpjekjen e dëshpëruar për të marrë nën kontroll të ardhmen, siç ndodhi së fundmi edhe në Kukës, në kulmin e luftës me kryeministrin tradhëtar albanofob të kapur nga Vuçiçi, ku nismëtarët e këtij mocioni patriotizmi elektoral që po debatojmë sot, arritën një rezultat historik – natyrisht fitorja u vodh, sy për sy, nga dora e zezë e Beogradit, e futur në dorashkën e shitur të Tiranës, po rëndësi ka që ata jo vetëm fituan, po e thelluan fitoren. Edhe më shumë do ta thellojnë në zgjedhjet e ardhshme, keni për ta parë!

9.Por arsyeja e braktisjes ulëritëse të atyre atje në Hagë nga të gjithë ata që i kanë braktisur është një tjetër, sa banale aq edhe koherente me thelbin e qorrbelasë politike, e cila e përndjek shqiptarinë dhe shtetin shqiptar qysh prej vitit 1912.

E dini si e ka emrin? Urrejtje!Urrejtja për Hashim Thaçin, si fitimtar i luftës që donte medoemos të fitonte edhe paqen. Po atë shprehjen të djegësh jorganin për një plesht e mbani mend? Nuk ka kafshë më të keqe se njeriu kur humb arsyen dhe nuk ka egërsi të dytë si ajo e pleshtit të urrejtjes brenda njeriut! hashim Thaçi është një shqiponjë që edhe në kafazin e Hagës pengon jo pak koka politike apo të politizuara shqiptarësh, të mendojnë të lirë për se si duhet ta fitojnë luftën diplomatike, me Serbinë e mundur me armë tash thuajse çerek shekulli, nga Hashim Thaçi me shokë.E prandaj shumëkush andej e disa këtej kufirit janë gati të djegin jo jorganin e sigurisë së Kosovës, po vetë procesin e formësimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili kalon vetëm përmes shtegut të vështirë të dialogut, normalizimit dhe paqes përfundimtare me Serbinë, krah për krah me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.Me çdo teori dhe praktikë tjetër për t’ia dalë këtij kryeqëllimi ekzistencial për shtetin e Kosovës, mund t’u shiten iluzione votuesve për zgjedhjet e radhës duke u marrë mendjen sesi u çlirua Kosova nga Hashimi apo sesi po mbrohet Kosova në llogore nga Serbia e nga perëndimorët mëndjelehtë, po nuk mund të arrihet kurrë plotformimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Po të paktën është mirë që teoricienët dhe praktikantët e patriotizmit elektoral ta dëgjojnë sot, se nuk ka nder më të madh për mua në raport me Kosovën, se sa të jem i bashkakuzuar me Hashim Thaçin si tradhëtar dhe nuk ka provë më të madhe se sa kjo akt-akuzë e përbashkët me Hashimin, për dritëshkurtësinë e për papërgjegjshmërinë historike të  përpiluesve të saj. Ata kujtojnë se lufta diplomatike me Serbinë, fitohet duke zhgarravitur flamurin e fitores së lavdishme të UÇK-së, që do të jetë krenari shekujsh për shqiptarët, kur zhgarravitësve të tij t’u jetë harruar nami e nishani; duke u izoluar nga aleatët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët UÇK-ja nuk do ta kishte fituar dot kurrë luftën dhe Kosova nuk do të ishte njohur kurrë si shtet nga thuajse gjysma e botës dhe fatkeqësisht, duke nxitur armiqësinë ndaj qeverisë së Shqipërisë e ndaj meje personalisht. Keqardhje!

10. Kosova duhet të ulet krah për krah Shqipërisë në OKB e në të gjitha tryezat e komunitetit euro-atlantik, Shqipëria duhet të bëjë të sajën për Kosovën dhe për paqen. Këtë po bën dhe këtë do të bëjë. Asgjë më pak. Kush nuk e kupton sot s’ka problem, do ta kuptojë nesër. Por sot, unë vëlla e kam këdo që s’më kupton kur flas për paqe, po nuk e dëgjoj, sepse dëgjoj Ronald Reganin, që më thotë, paqja nuk është mungesa e konfliktit, po aftësia për ta trajtuar konfliktin paqësisht; sepse dëgjoj Desmond Tutun, që më thotë, nëse do paqe, nuk duhet të flasësh me miqtë, po duhet të flasësh me armiqtë; sepse dëgjoj Albert Kamynë, që më thotë, paqja është e vetmja luftë që ia vlen ta fillosh vetë; sepse dëgjoj Abraham Linkolnin, që më thotë, rruga më e mirë për ta shkatërruar armikun është ta bësh mik dhe nuk zmbrapsem e as nuk lodhem, sepse dëgjoj Andre Zhidin, që më thotë, është më e lehtë t’i çosh njerëzit në luftë, duke u ndezur pasionet, sesa t’i përmbash ata e t’i çosh drejt punës së durueshme të paqes.Po mbi të gjitha e të gjithë, sepse dëgjoj zërin e arsyes historike të kësaj bote, që më thotë, mes Serbisë e Kosovës luftën e ka fituar Kosova dhe ai që e ka fituar luftën është më i interesuar për paqen, sesa ai që e ka dalë i humbur nga lufta.Koha e botës ku jetojmë e solli më në fund që shqiptarët t’i fitonin luftrat që duhet të fitonin dhe Shqipëria që unë dua, në të gjitha drejtimet, është Europa e Ballkanit, ku nesër të gjithë fëmijët e shqiptarëve të kenë burimin e krenarisë e të besimit të tyre tek vetja, jo njëra nga copat e Ballkanit të ndarë nga Europa, ku akoma vihet në diskutim domosdoshmëria e angazhimit tonë kombëtar për paqen përfundimtare të rajonit. Shqipëria mund të barrikadohet në këtë rajon vetëm nëse, Zoti e di me çfarë po shohim këto vite, një luftë e vërtetë na e imponon. Këtu apo në Kosovë. Lavdi Zotit nuk do të jemi vetëm, po do të jemi në aleancën më të fortë ushtarake që bota ka parë deri më sot. /PERISKOPI/ 

 

 

 

 

 

Të ngjashme
"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

"Pesë shokët nga Kosova u futën në det..."- Krejt si ndodhi tragjedia në Shëngjin ku mbetën të vdekur dy të rinj kosovarë

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

KOMF: Fëmijët nuk janë mjet për promovim të subjekteve politike

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

“Kaçaniku nuk pret, Kaçaniku vepron” – Hamza me thirrje për ndryshim nga Kaçaniku

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Shqipëria e nis me humbje epokën Maran, Izraeli fiton në “Air Albania”

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

Analisti Bleron Baraliu: Ardian Gjini është lider i guximshëm e i mençur, Aleanca me potencial për ta zhbllokuar ngërçin politik

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

2 orë protestë në bulevard kundër projektit të Zvërnecit, qytetarët nuk i largon as shiu, thirrje për revolucion nga Kryeministria

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Me cilat dokumente lejohet votimi? Sqaron KQZ-ja

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Pas tragjedisë në Shëngjin, ambasadori i Kosovës në Shqipëri viziton të mbijetuarit: Janë në gjendje të mirë

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Gjashtë klube të Premier League pas talentit të Barcelonës

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ballafaqimi që VV po e eviton këto zgjedhje: Pse askush nga partia e Kurtit nuk guxon të dalë në debat me Dardan Krasniqin?

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Ismaili: Kurti e ka kthyer krizën në mënyrë qeverisjeje dhe përçarjen në mjet politik

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Stuhitë i afrohen Shqipërisë dhe rajonit

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?

Elmi Reçia publikon fakte: Si e bllokoi Qeveria Kurti projektin për Impiantin e Ujërave të zeza në Ferizaj?