Mungesa e materialit për furnizim me pasaporta, flasin për Periskopin nga kompania gjermane

Qytetarët janë përballur me probleme në muajt e fundit në planet e tyre për udhëtim jashtë Kosovës, apo për të drejtuar automjetin. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka lëshuar pasaporta, letërnjoftim, e as patent shofer. Institucionet u arsyetuan se ka mungesë të materialit me të cilin prodhohen pasaportat. Është thënë se furnizimi do të […]
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka rekomanduar për kontratë në vlerë prej katër milionë eurove kompaninë gjermane “Veridos” për furnizimin me material për prodhimin e pasaportave për 12 muaj. Mirëpo edhe pse është premtuar se në fillim të janarit do të nisë pajisja e qytetarëve me pasaporta, ky vendim është shtyrë deri në fund të muajit nën arsyetimin se kompania nuk ka metariale.
Periskopi ka pyetur kompaninë gjermane “Veridos” se cila është arsyeja që nuk është bërë menjëherë furnzimi më pasaporta dhe se kur do të jenë të gatshëm ta bëjnë këtë. Në kompani kanë pranuar se kanë disa telashe në furnizime, por nuk kanë treguar se kur do fillojnë të implementojnë marrëveshjen.
“Sikurse edhe shumica e industrive përreth botës, edhe industria jonë po përballet me sfida në rrjetin furnizues. Në rastet individuale, kjo mund t’i prekë oraret dhe mund t’i ndryshojë datat e dërgesave. Ne shpresojmë se situata aktuale do të ndryshojë së shpejti. Sa i përket projekteve tona në Kosovë, ju lusim të mirëkuptoni se kontratat tona me autoritetet publike janë çështje të klauzolave strikte kontraktuale. Ne, Veridos GmbH, nuk mund të shpalosim më shumë detaje në lidhje me këtë çështje. Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj”, ka thënë për Periskopin Andrea Alton, zyrtarë për marrëdhënie më publikun nga kompania Veridos GmbH.
Janë lenë dy interpretime tek pjesa e përgjigjes ku thuhet se: “Sa i përket projekteve tona në Kosovë, ju lusim të mirëkuptoni se kontratat tona me autoritetet publike janë çështje të klauzolave strikte kontraktuale”.
Interpretimi është se, Ministria akoma mund të mos e ketë nënshkruar kontratën ose ta ketë nënshkruar më vonesë, dhe furnizimi do të bëhet pikërisht në datën që janë marr veshë palët.
Në ueb-faqen e E-prokurimit, tek tenderët për Ministrinë e Brendshme, dokumenti i fundit që është ngarkuar për këtë aktivitet të prokurimit ka të bëjë më ‘njoftimin për nënshkrimin e kontratës’. Megjithëkëtë, aty nuk është ngarkuar kontrata, që lë dyshime se ajo akoma nuk është lidhur ose po mbahet sekret.
Në një komunikatë për media Ministria e Punëve të Brendshme ka thënë se “ furnizimi do te nis nga fundi janarit dhe se shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”.
Më 7 janar, mediat kanë raportuar se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka dërguar letër zyrtare shtetit të Gjermanisë me lutje që të lejojë udhëtimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara deri në zgjidhjen e situatës.
Fillimisht, më 21 prill 2022 ishte hapur tender i vlerës së madhe nga zyra prokurimit e MPB-së me titull “Furnizimi me dokumente personale te identifikimit dhe mirëmbajta e sistemeve elektronike”. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 12 milionë e 524 mijë euro dhe siç shihet nga titulli, pos furnizimit përfshinë edhe mirëmbajtjen e sistemit.
Për tenderin në fjalë kishin aplikuar vetëm dy kompani:
“Augentic GmbH; IN Groupe shpk, me vlerën e ofertës prej 12329261, 27 euro, dhe Grupi i kompanive 1, “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK, me vlerë të ofertës prej 12456071, 43 eurove. Ky grup i kompanive, ndonëse ka ofertuar çmim pak më të lartë se grupi tjetër, ka qenë më i kompletuar me dokumentacion.
Grupi ‘Muhlbauer’ është i vetmi partner teknologjik në mbarë botën për prodhimin dhe personalizimin e kartave, pasaportave dhe aplikacioneve RFID që ofron gjithçka nga një burim i vetëm. Ka rreth 3500 punonjës dhe qendrat teknologjike i kanë në Gjermani, Malajzi, Kinë, Sllovaki, SHBA dhe Serbi.
Ofertat ishin hapur që në qershor, por tek në nëntor MPB-ja ka vendosur që t’i hedhë të dyja poshtë. Kësisoj e ka anuluar në tërsi këtë aktivitet të prokurimit. Por, pas këtij vendimi ka marrë ankesa nga dy kompanitë, të cilat nuk janë pajtuar që të shpallen të papërgjegjshme. Ministria në afatin ligjor ka shqyrtuar ankesat e tyre dhe i ka hedhur poshtë të dyja, duke lënë në fuqi vendimin e vetë. Rruga e vetme për kompanitë ka qenë ankimi në Organin Shqyrtues të Prokurimit – OSHP. Menjëherë pasi është paraqitur ankesa në ketë institucion vetëm nga grupi ‘Muhlbauer’, ministria e ka pezulluar vendimin e vetë të anulimit të aktivitetit të prokurimit. Ky pezullim do të jetë në fuqi derisa Bordi i OSHP të merr një vendim lidhur me dy ankesat e paraqitura.
Sipas dokumenteve që janë të ngarkuara në E-prokurim, oferta e “Augentic GmbH; IN Groupe shpk” është vlerësuar si e papërgjegjshme për një sërë arsyesh.
Ankesa e “Muhlbauer ID Services GmbH; Ymako SHPK” që e ka bazën e prodhimit edhe në Serbi është hedhur poshtë me arsyetimin se: “Nuk keni dorëzuar në pajtueshmëri më kërkesat në dosjen e tenderit të specifikimit teknik pika 7.4 Hardueri për qendrën e procedimet, nuk është dorëzuar fare oferta teknike, janë bashkangjitur dhe katalogët nga të cilat nuk janë identifikuar kapacitete qe janë kërkuar sipas specifikacionit teknik në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit”, etj.
Pasi kompanitë kanë adresuar ankesë në OSHP, ky institucione ka autorizuar ekspertin e vetë shqyrtues që të shoshiste provat.
Periskopi ka parë që dy ekspertët, Majlinda Bedrolli dhe Kreshnik Spahiu kanë hartuar raportin e ekspertizës dhe të njëjtin ua kanë dërguar Bordit që të merr vendim. Raporti i ekspertëve ia ka kompiluar punën MPB-së, ngase e ka urdhëruar këtë institucione që të anulojë njoftimin për anulim të procedurës tenderuese, dhe të kthejë në rivlerësim edhe njëherë ofertat e kompanive garuese, ngase arsyetimi i MPB-së ka qenë i pa qëndrueshëm. Nëse do të merr vendim edhe Bordi i OSHP-së, ashtu siç kanë vendosur ekspertët, atëherë do të krijohej një situatë e re për ministrinë e cila tashmë është përcaktuar që të furnizohet nga kompania gjermane më të cilin lidhi marrëveshje të negocuar, duke e shmangur konkurrencën. Por, edhe nëse do të kthehet në rivlerësim tenderi i vlerës së hapur nga Bordi OSHP-së, ministria do gjejë ndonjë formë tjetër për të anuluar këtë procedurë të prokurimit. Rëndom institucionet e kanë obligim ligjor që të mos bëjnë asnjë lëvizje për tender, derisa të vendos Bordi i OSHP-së për një procedur tenderuese, por MPB-ja është thirrë në emergjenca ekstreme, dhe tash po lidh kontratë të negociuar me një kompani që nuk ka garuar fare.
Për shkak se procedurat nuk ishin zhvilluar më kohë, në gjysmën e shtatorit të vitit 2021, MPB-ja kishte lidhur kontratë me negocim me afat prej 12 muajve me kompaninë gjermane “Veridos GmbH” për tenderin “Furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve”. Vlera e kontratës në të cilën ka qenë e përfshirë edhe prodhimi i pasaportave ka qenë 3 929 080,00 euro. Kontratës i ka kaluar validiteti deri tre muajve dhe kompania kishte ndërprerë frazimin dhe ministria operonte me sasi shumë të vogël që patën mbetur në stok për emergjenca. /Periskopi/












