Ministria e Zhvillimit Rajonal flet për Periskopin rreth rastit të Alijit: Organet s’na kanë kërkuar ende asnjë informacion

Të enjten u publikuan audio-incizime të cilat implikojnë zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji në një aferë ryshfeti. Edhe Policia e Prokuroria tashmë po merren me rastin. Dyshimet çojnë në përfshirjen e tij në këtë aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh. Veliji përpos zv.ministër, për një kohë ishte edhe këshilltar i kryeministrit […]
Me të nisur vitin e ri, doli një skandal i ri nga Qeveria Kurti. Bëhet fjalë për zv/ministrin e Zhvillimit Rajonal të emëruar pikërisht nga Kurti, zotëri Alijin.
Ky audio-incizim, pos tjerash dëshmon që për këtë grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh, zëvendësministri Veliji, pos telefonatave kishe zhvilluar edhe takim.
Ministria e Zhvillimit Rajonal të Kosovës përmes një përgjigje për Periskopin ka deklaruar se për rastin janë informuar nga mediat dhe se deri tani organet s’ju kanë kërkuar atyre ndonjë informacion.
‘’Ministria e Zhvillimit Rajonal, për rastin të cilin ju keni pyetur, është informuar vetëm nga mediat ndërsa deri më tani nuk ka pranuar asnjë kërkesë për informacion nga organet e kompetente lidhur me rastin për të cilin ju keni pyetur dhe i cili është shfaqur në media’’, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zëdhënësja Arta Maloku.
Që nga viti 2021 një seri rastesh për keqpërdorim të granteve qeveritare, me theks të veçantë atyre në bujqësi janë hetuar nga Prokuroria. Një pjesë e tyre tashmë janë deponuar në Gjykatë me aktakuzë.
Rasti i fundit ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar ku Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 15 të akuzuarve për rastin e njohur “Subvencionet II”.
Audio-incizimi i publikuar nga Insajderi tashmë është në posedim edhe nga Policia e Kosovës që po e hetojnë këtë rast.
“Referuar kërkesës suaj mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës posedon informacionin si dhe është në fazën fillestare të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Prokuroria për Periskopin: Kemi autorizuar policinë të mbledh prova për zv.ministrin Aliji
‘’Referuar pyetjes së parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe provave lidhur me këtë çështje.’’, ka thënë Prokuroria.
Kush është zv.ministri i Kurtit që u kap në flagrancë duke kërkuar ryshfet
Almir Veliji është i emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal nga Albin Kurti. Ai vjen nga komuniteti boshnjak.
Në ditën kur është bërë zv.ministër ai përmes një postimi në Facebook ishte zotuar se detyrën që mori “do ta kryejë me përkushtim, vullnet dhe guxim.
‘’Sot pranova detyrën e zv.Ministrit ne Ministrin e Zhvillimit Rajonal e falenderojë z.Albin Kurtin, Kryeministrin e Republikës së Kosvës per besimin që ma ka dhene.
Me këtë rast zotohem se detyrën që mora do ta kryej me përkushtim, vullnet dhe guxim, duke garantuar angazhim maksimal sidomos për komunitetin #Boshnjak.Për t’i përmbushur objektivat tona si komunitet, e që janë edhe pritjet tuaja, do ta shfrytëzoj përvojën time institucionale në mënyrë që ta arrijm më të mirën për vendin tonë dhe për komunitetin.’’
“Jam njeriu më i pastër në botë” – Çka thotë zëvendësministri
Aferën e mohon vet zëvendësministri, duke thënë se ndjehet njeriu më i pastër në botë.
Ai rastin e cilësoi si lojë politike që po bëhet ndaj tij ndërkohë që bën thirrje që rasti të hetohet.
“Jam njeriu më i pastër dhe më i lumtur dhe do të jap kontribut për qytetarët, kurrë në jetën time kurrkujt si kam marrë një cent. Nëse 1 cent i kam marrë dikujt, unë veç shkojë në burg. E këto lojëra politike nga prapa që i bën dikush është Policia është Prokuroria le ta qojnë rastin deri në fund sepse unë nuk mundem me dhënë më intervista se qeshtu ka ndodhur edhe para 2 muajve. Organet e drejtësisë le të merren me rastin, unë jam njeri më i pastër në botë”, ka deklaruar Veliji për Insajderin.
Duda Balje: Jam shumë e sigurt se zëvendësministri nuk e ka bë këtë
Duda Balje, ajo e cila e propozoi emrin e Velijit tek Kurti për zëvendësministër në një prononcim për Periskopin, tha se është e sigurt që zv.ministri Almir Veliji nuk është i përfshirë në një skandal të tillë.
“Është e vjetër pak, është në procedurë policore, nën hetim. Nuk po dua me dhënë ndonjë deklaratë që me i prish hetimet ose diçka. Shumë shppejtë do të dalin me të vërtetën dhe cila është e vërteta unë do ta përkrah. Por jam shumë e sigurt se zëvendësministri nuk e ka bë këtë”, tha Balje për Periskopin.
81 cent në bankë : Kjo është pasuria e deklaruar nga zv/ministri i Kurtit që po dyshohet për ryshfet
Në regjistrin e fundit në deklarimin e pasurisë, zv.ministri Aliji deklaroi se ka vetëm 0.81 cent në bankë.
Aliji në Qeverinë e Kosovës, si zv.ministër ka një pagë prej 1 mijë e 71 euro.
Shiko këtu deklarimin e plotë të pasurisë së zv.ministrit Aliji./Kaltërina Misini – PERISKOPI/












