Ku janë 30 biznesmenët që Kurti takoi në Greqi por s’jepte detaje shkaku i ‘armiqve’?

EKONOMIA është kryefjala e gati pothuajse çdo takimi që kryeministri Albin Kurti zhvillon sidomos jashtë vendit. Kështu ndodhi edhe nga vizita e djeshme në Austri, ku kryeministri u prit me nderime të larta. Por, çka konkretisht ka nga këto biseda për ‘bashkëpunim ekonomik’. Për shembull, çka ka lëvizur nga takimi i famshëm i Kurtit me […]
Kryeministri Albin Kurti është pritur me nderime të larta dje në Austri nga Kancelari Karl Nehammer.
Kurti tha në një intervistë në RTK, se është i interesuar që ‘të jetë një infrastrukturë për lidhje më të fuqishme ekonomike mes Kosovës dhe Austrisë’.
Gazetarja e RTK-së ia përmendi një forum ekonomik në Kosovë, ku kryeministri e ka ftuar edhe Kancelarin austriak që të jetë i pranishëm, por kryeministri Kurti, nuk foli diçka konkrete lidhur me këtë forum ekonomik të paraparë që të mbahet në Kosovë.
Kur u pyet që të flasë më konkretisht rreth forumit, Kurti nuk foli shumë konkretisht, por tha kështu:
“Unë besoj që qeveritë dhe politikanët duhet të jenë edhe infrastrukturë e zhvillimit dhe bashkëpunimit ekonomik, në këtë aspekt bashkë me kancelarin Nehamer, besoj që mund të kontribuojmë që më shumë investitorë të vijnë në Kosovë dhe shkëmbimi tregtar të rritet në përgjithësi dhe pse jo, të hyjmë në një fazë të re, ku Austria e Kosova takohen edhe me ndërmarrësit e biznesmenët e tyre, pra jo vetëm politike e diplomatike, në mënyrë që biznesmenët austriakë, të mund të komunikojnë, të bashkëbisedojnë për të mirën e vetë atyre. Pra, është e rëndësishme të hyjmë në një fazë zhvillimore ku takimet Kosovë – Austri nuk janë vetëm politike e diplomatike por edhe ekonomike”, deklaroi Kurti.
“Çka konkretisht”, nënkuptonte në pyetjen e saj edhe më tutje, gazetarja e njohur e RTK-së.
“Ne kemi programin tonë qeveritar, kemi një ekonomi shumë dinamike, do të bëjmë lehtësime në komunikime, pastaj bashkëpunimet që bën sektori privat natyrisht iu takon vetë këtyre operatorëve, ne jemi të interesuar për energjinë e ripërtritshme, zhvillimin infrastrukturor, mirëpresim interesimet e kompanive austriake, por nuk mund ta lidhi një projekt të veçantë me një ndërmarrësi të veçantë austriake. Por unë shërbej si infrastrukturë e zhvillimit ekonomik që nuk bëhet në mënyrë të përzgjedhur nga unë si kryeministër”, deklaron kryeministri.
(Intervista: RTK)
Historia e kryeministrit për ‘angazhim të heshtur rreth zhvillimit ekonomik’ është e bujshme përgjatë vitit, megjithëse rezultatet konkrete, ende nuk dihen, sidomos sa i përket investitorëve të huaj.
Para pesë muajsh, kryeministri Albin Kurti, pasi ishte kthyer nga një vizitë në Greqi, pati deklaruar se atje ka takuar 30 biznesmenë të huaj, por se nuk mund të tregonte më shumë detaje, shkaku se mund të ‘ndërhynin armiqtë’.
“Përveç takimeve që kam pasur me politikanë e diplomatë të huaj e vendor, kam takuar edhe 30 biznesmenë të ndryshëm, për çështjen e investimeve në Kosovë që janë nevojë e madhe për ekonominë tonë.
Nuk kanë qenë të gjithë grekë, kanë qenë biznesmenë evropianë e amerikanë që janë në Greqi tashmë.
Unë përpjekjen më të madhe që bëj edhe jopublike janë në fushën e investimeve të huaja, pra që sa më shumë ta paraqes Kosovën si vend atraktiv për investime. Por këto takime, në pjesën më të madhe nuk i bëj as me tupan e as me vuvuzela sepse do të ishte e dëmshme.
Në momentin që unë i bëj publike këto takime, s’do mend që shumë kollaj prej armiqve jo pak të Kosovës, do të mund të kontaktoheshin ata dhe pastaj ta nxijnë imazhin e Kosovës dhe në këtë mënyrë ta vënë në hezitim një investitor të ardhshëm”, do të deklaronte Kurti para 5 muajsh. /Periskopi












