Historia e bujshme e lobistit zviceran në panelin e Kurtit

Dr.Thomas Borer që duket në krye të panelit në Samitin e Investitorëve të organizuara nga Qeveria e Kosovës në Cyrih të Zvicrës, ka një histori të bujshme të lobimit. Madje, ai ishte edhe lobist i kompanisë së oligarkut rus, Viktor Vekselberg. Kryeministri Albin Kurti, ka organizuar në Cyrih të Zvicrës Samit të Investitorëve ku thotë […]
Kryeministri Albin Kurti, ka organizuar në Cyrih të Zvicrës Samit të Investitorëve ku thotë se ishin të pranishëm 60 ndërmarrës nga fusha e infrastrukturës, energjisë, prodhimit dhe teknologjisë së informacionit. Për këtë organizim, Periskopi më herët raportoi, se Zyra e Kryeministrit Kurti, ka dhënë mbi 58 mijë franga zvicerane që nënkupton mbi 58 mijë euro. Dhe këtë, Qeveria e ka barë pa asnjë procedurë prokurimi, por në bazë të një vendimi qeveritar.
Por, kush ishte ne krye të panelit të këtij Samiti?
Në krye të tij, edhe sipas fotografive që ka shpërndarë kryeministri edhe në profilin e tij në Facebook, mes tjerësh, ishte zoti Thomas Borer.
Përveç tij, në panel ishte edhe z.Lulëzon Jagxhiu, këshilltar i kryeministrit Kurti për teknologji.
Kush është zvicerani Thomas Borer?
Thomas Borer, është i njohur si lobist i fuqishëm zviceran dhe ka qenë diplomat i Zvicrës. Ai ka shërbyer si ambasador i Zvicrës në Gjermani.
Pas një karriere të bujshme në udhëheqjen e task forcave të ndryshme të themeluara nga qeveria zvicerane, z.Borer, në vitin 2002, Borer lë shërbimet politike e diplomatike dhe kthehet në Zvicër.
Pas një kohe të shkurtër bëhet konsulent strategjik për oligarkun rus Viktor Vekselber – i afërt me Vladimir Putinin dhe në vitin 2005, bëhet anëtar i Bordit të Drejtorëve në ‘Renova Grup’, kompani e oligarkut rus.
Borer ishte tërhequr nga kjo kompani në vitin 2010 dhe që atëherë, punon si këshilltar strategjik për kompani të ndryshme private dhe publike.
Tetë vjet pasi Borer kishte lënë punën në kompaninë ruse, e njëjta kompani kishte hyrë në mesin e kompanive të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2018, si përpjekje e Uashingtonit ndaj sulmeve të Moskës ‘kundër demokracive perëndimore’.
Emri i oligarkut rus, Viktor Vekelsberg, u bë i njohur me fillimin e luftës në Ukrainë, ku në prillin e vitit 2022, iu sekuestrua jahti në vlerë prej 90 milionë euro me urdhër të SHBA-së, nga një operacion i FBI dhe Gardës Civile spanjolle.
Sipas Forbes, shkaku i sanksioneve të vendosura ndaj biznesmenëve të shumtë rusë nëpër botë pas fillimit të luftës në Ukrainë, pasuria e ngrirë e rusit Vekelsberg në bankat zvicerane dhe ruse, aktualisht është 1.5 miliardë dollarë./Periskopi












