Ministria e Drejtësisë së Danimarkës sqaron për Periskopin ‘keqkuptimin’ për 300 qelitë me qira në Gjilan

Një marrëveshje e nënshkruar në dhjetorin e vitit të kaluar mes Ministrisë së Drejtëisisë së Kosovës dhe asaj të Danimarkës për 300 qeli me qira për shtetin danez, prej së cilës, Kosova do të përfitonte mbi 200 milionë euro, ditëve të fundit u përfol në media se ka dështuar. Nga Ministria e jashtme daneze e […]
“300 qeli burgu të Kosovës i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës, ku të burgosur në këtë shtet do të vuajnë dënimin në Kosovë”.
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar me 20 dhjetor të vitit të kaluar në Prishtinë nga ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup dhe ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu .
“Kjo është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, posaçërisht ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit, sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dalë ndër vendet që më së shumti respekton të drejtat e të burgosurve, sepse natyrisht është barrë e rëndë edhe për Danimarkën që t’i dërgoj në një vend ku nuk respektohen të drejtat e burgosurve”, pati thënë ministrja Haxhiu pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Por, media gjermane “Süddeutsche Zeitung” kishte shkruar se kjo marrëveshje po kritikohet ashpër nga aktivistët për të drejtat e njeriut. Shkak janë kushtet e këqija në burgjet e Kosovës, ku “Komiteti kundër Torturës i Këshillit të Europës, CPT, në vitin 2020 dokumentoi akuza për korrupsion dhe keqtrajtim”.
Në ndërkohë, ditë më parë u raportua se Danimarka ‘ka pezulluar marrëveshjen me Kosovën për burgjet’
Pezullimi i kësaj marrëveshjeje raportohej se kishte ardhur si pasojë e ‘telasheve financiare’, raportonte mediumi danez, ekstrabladet, sipas Shoqatës së Burgjeve.
Por, pas këtyre raportimeve, Periskopi ka kontaktuar më Ministrinë e Drejtësisë për të mësuar më shumë.
Përgjigja e zyrtare e ministrisë daneze është se “marrëveshja në mes Danimarkës dhe Kosovës nuk është ndërprerë” dhe se “raportimet e që thonë ndryshe janë të bazuar në keqkuptime”.
“Danimarka nuk ka ndërprerë, nuk ka anuluar dhe nuk pezulluar marrëveshjen për burgje në mes Kosovës dhe Danimarkës. Çdo lloj raporti në media që thotë ndryshe është i bazuar në keqkuptime. Një shumicë e madhe parlamentit të Danimarkës ka miratuar më herët gjatë këtij viti marrëveshjen dhe bashkpunimi me Kosovën në planifikimin dhe realizmin e projektit është duke vazhduar”, thanë për Periskopin nga Ministria e Drejtësisë së Danimarkës.
Sipas marrëveshjes, të burgosurit e huaj do të dërgohen në fillim të vitit 2023 në një burg në qytetin e Gjilanit. Pasi të kenë vuajtur dënimin, ata do të dëbohen nga Kosova.
Marrëveshja ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh dhe Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro. /Periskopi












