Për tenderin e Autostradave, Ministria e Liburn Aliut lidhi kontratë me kompaninë që ofertoi me 0.004 euro

Nuk është aspak fshehtësi se shefi i deritashëm i prokurimit, Nexhat Krasniqi në Ministrisë së Infrastrukturës dhe Valon Ademi, pronar i kompanisë “2A Group”, janë jaranë. Ata shihen shumë shpesh bashkë në kafenetë në qendër të Prishtinës, shkruan Periskopi. Kompania e Ademit “2AGroup” u rekomandua për kontratë para pak javësh në tenderin për Mirëmbajtjen e […]
Kompania e Ademit “2AGroup” u rekomandua për kontratë para pak javësh në tenderin për Mirëmbajtjen e Autostradave. Tenderi është i ndarë në katër pjesë dhe kjo kompani u shpall fitues për pjesën e dytë në një vlerë prej 3.4 milionë euro. Pas shumë zvarritjesh edhe përfoljeve për shkelje të ligjit, kontrata është nënshkruar para pak ditëve. Në kohën kur u rekomandua për kontratë, kompania e lartcekur shumë kompani ofertuese u ankuan që u eliminuan që kishin çmim më të lirë, dhe sipas ligjit kërkuan që t’ia shihnin ofertën fituesit sepse dyshonin nuk i kishte plotësuar kushtet. Shefi i prokurimit nuk u lejoi qasje kompanive.
Tash, pas publikimit të kontratës, duket që ka dal në shesh edhe arsyeja se pse ish shefi prokurimit nuk lejonte qasje në ofertë të dostit. Periskopi ka gjetur se oferta e “A2 group” nuk i ka plotësuar kushtet që të bëhej kontratë valide.
Ne ju kemi referuar vetëm pjesës së fundit të kontratës që ka të bëjë më çmimet e ofruara “përmasës dhe parallogarisë” dhe jemi ndalur vetëm tek një artikull. Janë 100 artikuj /pozicione në të cilët kompanitë kanë vendosur çmim e tyre. Vlera e sasisë nuk ka qenë e definuar, por është shënuar vetëm 1 (një), dhe aq sasi sa porositë ministria, më çmimin e vendosur në to, bëhet pagesa. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë 1 për secilin artikuj. Pastaj përmes mbledhjes së çmimeve vendosë për fituesin e kontratës. Shpeshherë kompanitë janë të njoftuara se çka duhet e çka nuk duhet të punojnë në atë projekt, dhe varësisht kësaj diku vendosin çmim shumë të larta, diku shumë të ulëta.
Periskopi ka parë që kompania “A2 grup”, sipas paramasës, tek pozicioni Parallogaria 2 (Pozicioni 2.2) operatori ka ofruar një çmim prej 0,004 euro për artikullin “ngarkim dhe transportim te kripës si dhe shpërndarje”.

Ky çmim i ofruar është në kundërshtim me udhëzimet e Komisionit Rregulltiv të Prokurimit Publik, dhe më vetë logjikën financave, pasi 0. 004 euro nuk është vlerë monetare. Njësia me e vogël e valutës (euro) është 0.01 (një) cent. Pra, kjo ofertë është dashur të vlerësohet si jo valide
Periskopi ka kërkuar një interpretim ligjor nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP, lidhur më atë se “Cila është procedura që duhet ndjekur nga Autoriteti Kontraktues në rast se Operatori Ekonomik vendos çmimin “0.004” euro në një artikull/pozicion. A duhet të pranohet, apo duhet të refuzohet oferta?”, por KRPP-ja nuk ka dhënë akoma një sqarim lidhur më këtë pyetje.
Një procedurë e tillë nuk është e rregulluar me dispozita të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik dhe as me legjislacionin dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj, megjithatë KRPP -ja ka dhënë një udhëzim se si të procedohet në këtë rast. Ky institucion jep sqarime për operatorët ekonomikë dhe palët e ndryshme, dhe të njëjtat i publikon.
“Nëse Operatori Ekonomik ofron çmimin “0.00” në një nga pozicionet, tenderi duhet të refuzohet ngase në “Përshkrimin e çmimeve” kërkohet të vendoset çmimi në vlerë të caktuar për secilin artkiull/pozicion të kërkuar në specifikimin teknik”, ka shkruar KRPP. Pra, Komisioni Rregullativ i prokurimit ka thënë se operatori duhet të vendos çmim në vlerë të caktuar për secilin artikull, ndërsa kompania ofertuese ka shkruar një numër në një artikull që nuk është vlerë monetare.

Edhe në rast se oferta do të konsiderohej valide, pra me një vlerë të caktuar monetare, ani pse disa herë më pak se 1 centë, prerësi oferta është dashur të refuzohet. Kjo për shkak se kemi të bëjmë me ‘çmim jo normalisht të ulët’, të cilin e sanksionon ligji. Bazuar në nenit 87, paragrafit 2, nën-paragrafit 2.8 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik, dhe të Legjislacionit dytësor si në vijim thuhet se: Kurdo që Autoriteti kontraktues ka për qëllim të lidhë një “kontratë me çmime njësi”, në përputhje me nenin 56.15 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik, në hapje publike të ofertave lexohet çmimi total i poentuar (peshuar) i cili shërben vetëm për qellim të vlerësimit të ofertave, ndërsa “Kontrata lidhet me çmime për njësi”, prandaj autoriteti kontraktues duhet t’i ekzaminojë me kujdes të shtuar çmimet për njësi dhe në rast se dyshon se tenderuesi ka ofruar çmime jo normalisht të ulëta në një apo më shumë artikuj/pozicione, duhet të veprojë në përputhje me nenin 61 të LPP-së dhe nenin 4 të Rregullave për çmime jo-normalisht të ulëta, i cili përcakton procedurat e shqyrtimit inter partes si në vijim:
4.2. Në rast se një tender (apo një pozicion i tenderit) duket të jetë abnormalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues duhet të kërkoj me shkrim nga operatori ekonomik i cili ka dorëzuar tenderin që duket të jetë jo-normalisht i ulët, një deklaratë me shkrim e cila përfshinë një zbërthim të detajuar të pjesëve relevant të tenderit dhe e cila përfshin një shpjegim për çmimin e ulët duke përdorur formularin standard të miratuar nga KRPP-ja “Shkresa standarde për tenderët jo-normalisht të ulët”.
4.3. Operatori Ekonomik do t’i përgjigjet me shkrim Autoritetet Kontraktues. Nëse jo, tenderi do të refuzohet.
4.4. Pasi që Autoriteti Kontraktues merr shpjegim me shkrim nga Operatori Ekonomik, Autoriteti Kontraktues duhet:
4.6.1. Nëse sqarimi është i mjaftueshëm, të trajtoj tenderin njëjtë me tenderët tjerë; ose 4.6.2. Nëse sqarimi nuk mjafton, të refuzoj tenderin dhe, në përputhje me nenin 61 të LPP-se të njoftoj KRPP, duke përdorur formën standarde të miratuar nga KRPP, “Njoftim për refuzim te tenderit abnormalisht te ulet”, brenda dy dite nga data e vendimit.
Periskopi ka parë që Autoriteti Kontraktues – Ministria e Infrastrukturës nuk ka kërkuar sqarime shtesë për këtë çmim, e as operatori ekonomik fitues nuk ka plotësuar ndonjë formularë, pasi nuk i është kërkuar kjo.
Për lot 2 janë shpërblyer më kontratë grupi i kompanive me lider kompaninë “2A Group” SHPK & NNT “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK. Por, çmimet i ka vendosur “A2 Group”
Periskopi ka kërkuar nga Servet Spahiu , Zv. Sekretar i Përgjithshëm i MMPH-së që të na flas lidhur më këtë procedure tenderuese, por i njëjti nuk ka pranuar.
Ne kemi kërkuar të marrim disa sqarime nga sekretari, pasi bashkë më zyrtarin e prokurimit dhe zëvendësministrin, Hysen Durmishi kanë vendosur firmën në kontrata.
Periskopi ka gjetur edhe një rreth të lidhjeve që mund ta ndërlidhë sekretarin më njërën prej kompanive fituese.
Pronarë, i kompanisë së shuar ka qenë, Arben Jetullahu. Tash në të renë është familjari i tij Mirsad Jetullahu. Arben Jetullahu është bashkëpronarë më Bekim Pireva tek kompania “PremiumBau” SH.P.K. Pirevën e ka bashkëortak edhe sekretari i ministrisë, Servet Spahiu, tek kompania ARSEKO SH.P.K.
Më 7 korrik, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ishte në Kuvend për Raportin e Auditimit të brendshëm për tenderin 16 milionësh, ku dyshohet se ka pasur parregullsi.
Aliu ka theksuar se do të bashkëpunojnë me hetuesinë e Prokurorinë.
“Për tenderin të cilin po flisni, parregullsitë i kemi marrë nga ankesat e operatorëve. Ankesat kanë qenë të bazuara dhe këtë raport e kam inicu vetë, bashkë me zëvendësministrin. Ka tregu që ka parregullsi dhe e marrim shumë seriozisht dhe e ftojmë Prokurorinë. Jemi të gatshëm dhe e kemi bërë gati materialin me u marrë pikërisht për këtë çështje”, ka thënë ai.“Jemi shumë të vendosur me i shku kësaj pune deri në fund. Është pikërisht ky raport i auditimit që është inicu dhe është ndalë ai proces. Ka prodhu edhe atë serinë e sulmeve mediatike që ka qenë ndaj meje. Por, sa i përket sulmeve e atyre, ne nuk e kemi problem atë punë. Kemi me u marrë me hetuesinë e Prokurorinë”, ka shtuar ai.
Vetëm pak ditë, pasi ai bëri këto deklarata, zëvendësi i tij, për të cilin flitet që nuk po komunikon më të, ka nënshkruar katër kontrata, pasi tenderi ka qenë i ndarë në katër pjesë .
Lot 1, e ka fituar grupi i kompanive me lider “Lika Company” SHPK & “Lika Trade”.
Lot 2: Grupi i kompanive me lider kompaninë “2A Group” SHPK & NNT “ABC” SHPK & “B CORP” SHPK & “JUBICA” SHPK.
Lot 3: Grupi i kompanive, me lider kompaninë “Damastion Project” Shpk & “Via” & “Company Eskavatori”.
Lot 4: Grupi i kompanive me lider kompaninë “Arbotec” SHPK & “Arbotec GMBH” –Dega në Kosovë.
Për këtë tender janë bërë dy auditme të brendshme. Ato kanë evidentuar parregullsi gjatë procesit. Njëri raport ka zbuluar se në dosje të tenderit janë vendosur kritere diskriminuese, ose favorizuese, ndërsa tjetri, pos evidentimit të kritereve të kundërligjshëm, ka gjetur se janë rekomanduar për kontratë kompanitë që nuk i kanë plotësuar kriteret që i ka vendosur vetë ministria.
Lidhur më këtë tender, Periskopi ka bërë disa raportime. /Mentor Buzhala -Periskopi/












