Nga droni tek fishekët, çfarë u gjet në makinën e rusëve

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e ndodhur më 20 gusht me 2 rusët dhe ukrainasin në Uzinën e Gramshit. Në dosjen e Prokurorisë janë zbardhur detaje lidhur me objektet e sekuestruar 3 shtetasve të huaj, në bazë të të cilave nga organi i akuzës është ngritur akuza se këta shtetas kanë ardhur në […]
Në dosjen e Prokurorisë janë zbardhur detaje lidhur me objektet e sekuestruar 3 shtetasve të huaj, në bazë të të cilave nga organi i akuzës është ngritur akuza se këta shtetas kanë ardhur në Shqipëri të infiltruar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara.
Mes objekteve të sekuestruara ka dhe muncione, çka ka shtuar ndaj të arrestuarve edhe akuzën e mbajtjes pa leje të munioneve ushtarake.
“Shtetasve të lartpërmendur i janë gjetur dhe sekuestruar: 1 automjet Chevrolet, 2 dronë, sasi të konsiderueshme monetare, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, 1 lap top, karta sim, hard disk i jashtë, 1 fishekë model 56, kalibër 7, 62 mm, një predhë fisheku arme zjarri me kalibër 12,7 mm, dokumente identifikimi dhe udhëtimi, pajisje kampingu, një bombul e përdorur në formë spraj neurparalizuese, 6 telefona celularë”, lexohet në dosjen e Prokurorisë.
Incidenti në Gramsh:
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave” dhe “Mbajtja e munioneve ushtarake”.
Për këtë ngjarje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh një ditë më parë se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se hetimet vijojnë. Nga opozita nuk mungojnë akuzat dhe theksohet se është cenuar siguria kombëtare.












