Kurti nuk dialogon, por kërcënon grevistët – Kryesindikalistët me paralajmërime radikale nëse u cënohet buka e gojës

Ministria e Financave sot ka marrë vendim që t’u ndalen pagat të gjithë punëtorëve të sektorit publik që i bashkëngjiten grevës së përgjithshme. Përkundër faktit që BSPK me muaj kërkon shtesën prej 100 eurove dhe Ligjin për Paga, Qeveria Kurti ka zgjedhur që të mos dialogojë por t’i ndëshkojë. Rrahman Jasharaj nga SBASHK’u e Ali […]
Më shumë se një vit, që kur Sindikatatat e Bashkuara të Kosovës nisën protestat e njëpasnjëshme si shenjë e refuzimit të kryeministrit Albin Kurti për të dialoguar rreth kërkesave të tyre, që janë shtesa prej 100 eurove dhe Ligji Për Paga, gjë që ende nuk është finalizuar, sot nisi greva e përgjithshme nëpër shumë insitucione publike. Pas kësaj, nuk pamë përgjigje nga Qeveria, por vetëm vendim ndëshkues dhe kërcënues, siç erdhi ai për ndalje të pagave të kujtdo që grevon qoftë edhe për një orë të vetme.
Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj në një deklaratë për Periskopin e ka quajtur skandal këtë vendim, duke paralajmëruar masa edhe më radikale e katastrofale në vend.
‘’’Po uroj që ky vendim nëse ekziston, të jetë vendim që është marrë nën emocione, përndryshe do të krjojë situata të tmerrshme në Kosovë sepse po luftojmë edhe për një kafshatë goje, e nëse na ndalet edhe kjo kafshatë, lëvizjet do të jenë të paparashikuara dhe Qeveria Kurti duhet ta dijë këtë.’’, tha Jasharaj.
‘’Por le të hyjnë fillimisht le ta lexojnë Ligjin për Greva, por ne po angazhohemi fillimisht që t’ua shtojmë familjeve të tyre nga një kafshatë buke dhe nëse Qeveria Kurti do t’ua ndalë edhe bukën që e kanë tani, le ta dijë që është në përplasje dhe është duke e shkelur Ligjin dhe kështu nuk do mund të quhet shtet demokratike por shtet në diktaturë, dhe do të ishte një skandal i tmerrshëm dhe ne pastaj s’mund të përgjigjemi se çka do të ndodh. Do të ketë edhe konflikte, edhe përplasje, edhe përkeqësim të situatës dhe të qetësisë sociale sepse nëse i len njerëzit pa bukë, i len fëmijët e tyre të uritur dhe kjo do të jetë detyrë e Qeverisë që të ulet sot me ne dhe të gjejë zgjidhje e jo të marrë hapa ndëshkues’’, shtoi Jasharaj për Periskopin.
Se nuk do lënë mekanizëm pa u drejtuar pas kësaj qasje të Qeverisë, thotë për Periskopin nënkryetari i Këshillit Grevist të BSPK’së, Ali Gashi.
Ai e quan qeveri populiste, që thirret në emër të qytetarëve, por që del merr vendime kundër mirëqenies së punëtorëve të këtij shteti.
Është shqetësuese, e paparashikuar që një qeveri e Kosovës, e cila thirret në emër të qytetarëve, të popullit, bën një veprim të tillë, në kundërshtim me gjitha normat e legjislacionin në fuqi, me konvetën ndërkombëtare. Edhe shërbyesit, edhe të punësuarit në sektorin publik janë qytetarë të Kosovës, kanë familje, kanë fëmijë. Në vend që në këtë kohë krize Qeveria të dalë e të kërkojë falje pse ka detyruar të futen në grevë dhe të japë alternativa si të dilet Zot në këtë situatë të rënduar,ai merr edhe një vendim që është iprecendentë edhe për Evropën e mekanizmat ndërkombëtarë se si një qeveri demokratike, që plot gojën e ka populizëm del dhe ndëshkon punëtorët e vet’’, tha Aliu.
Ai thekson se koha e presioneve ka përfunduar dhe se Qeveria duhet të ulet për dialog me sindikatat.
Në fund të fundit qeveria nuk do duhej të kishte punë me punëtorët, grevistët, nëse ka punë duhet të kenë punë me sindikatat . Qeveria të reflektojë në të kundërtën edhe ne kemi mekanizmat tanë. S’do mbetet mekanizëm, organ, vendor e ndërkombëtar që nuk do drejtohemi për këtë situatë, por edhe ne do fillojmë masat e konsultohemi. Do t’i shfrytëzojmë masat ligjore.’’, shtoi ai.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, konfirmoi se masa e ndalimit të pagës së grevistëve po bëhet duke respektuar nenin 18, pikën 1.
“Kemi garantuar të drejtën e grevës por që kemi njoftuar që duhet zbatuar edhe dispozita ligjore që kërkon pezullimin e kontratës së punës. Neni 18, paragrafi 1 është i qartë. Neni 18, pika 1: Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”, thuhet në përgjigjen e Spahiut.
Për këtë veprim, ka reaguar edhe deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami. Ajo thekson se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe është vepër penale.
Është KMDLNJ që doli e tha është se kërcënimi i qeverisë për ndalje të pagave, është shkelje e të drejtave të njeriut. Të njëjtin konstatim e ndau edhe Ehat Miftaraj.
Ai tha se pezullimi i pagave nga ana e shtetit ndaj grevistëve është “cenim i rëndë i të drejtave të punëtorëve”.
Kujtojmë që kryeministri Albin Kurti dje deklaroi se nuk është koha e bojkoteve dhe grevave, por e punës. Ndërkohë që nuk pranon në asnjë formë dialogun me sindikatat apo zgjidhjen e situatës e mënjanimin e trazirave sociale në Kosovë. /Kaltërina Misini – PERISKOPI/












