Burrat vazhdojnë të mos e kursejnë grushtin ndaj grave: Rreth 30 raste të dhunës për 5 ditë – Këto qytete prijnë

Java që po e lëmë pas ka rezultuar të jetë gogja tmerruese për gratë dhe jo vetëm. Dhuna ndaj tyre ka shpërthyer me të madhe thuajse në çdo rajon të Kosovës. Sipas raportit të Policisë së Kosovës, për pesë ditët e javës, të cilat i ka përmbledhur Periskopi, rezulton të kenë ndodhur afro 30 raste […]
Ndonëse nuk është një dukuri e re, shqetësuese vazhdon të mbeten rastet e shumta të dhunës ndaj grave në vendin tonë. Pothuajse nuk publikohet asnjë raport ditor i policisë pas evidenca edhe të dhunës ndaj gjinisë femërore. E mira e krejt këtyre shifrave, vlerësohet të jetë ngritja e vetëdijes së grave për të raportuar kur dikush u ushtron presion psiqik, apo çon dorë drejt tyre, çka në të shumtën e rasteve vijnë nga gjinia e kundërt.
Periskopi, bazuar në raportet e Policisë së Kosovës, të datave 15 gusht – 19 gusht 2022 ( e hënë- premte) ka përmbledhur rastet e dhunës ndaj grave, prej të cilave rezultojnë të jenë 27 sosh. Përveç tyre, janë evidentuar tri kanosje, dy dhunime dhe një ngacmim seksual.
Gjithmonë duke u bazuar në raportet e PK’së të kësaj jave që po lëmë pas, rezulton që më së shumti viktima gra të dhunës janë raportuar nga rajoni i Prishtinës e Prizrenit. Por raste ka edhe në rajone tjera, si Gjilan, Pejë etj. (Të gjitha mund t’i lexoni më poshtë).
Në përmbajtjen e disa prej këtyre rasteve, si arsye të dhunës ndaj grave theksohen xhelozia dhe mosmarrëveshjet brenda familjes. Madje, në disa thuhet se ka pasë dhunë të vazhdueshme deri tek momenti i raportimit tek organet.
Raportimi i dhunës vlerësohet pozitiv!
Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në një deklaratë për Periskopin ka thënë se gratë tashmë janë më të informuara rreth të drejtave të tyre dhe po i raportojnë shumë më shumë rastet e dhunës.
‘’Kjo duhet të shihet se një gjë pozitive sepse grate tani janë më të informuara për të drejtat e tyre dhe nuk jetojnë në ambiente dhunuese në të cilat cenohet dinjiteti i tyre çdo ditë. Padyshim që mbetet pikëpyetje përgjigja institucionale dhe se si institucionet trajtojnë rastet e dhunës në familje por është gjë pozitive që gratë raportojnë dhunën. Shoqëria civile në këtë drejtim ka bërë një punë të mrekullueshme duke vetëdijësuar gratë për të drejtat e tyre dhe përgjegjësinë institucionale. Institucionet tona vazhdojnë të mos mbrojnë grate nga dhuna dhe nga vrasja nga burrat’’, thotë Breznica.
Çka po e shkakton dhunën në familje?
Sociologu Blerim Shabani, për Periskopin ka dhënë një analizë pse po shohim ende shumë raste kur mirëqenia e gruas po cenohet, qoftë në familje apo shoqëri.
Ai renditë arsyet ekonomike, papunësinë, gjendjen mendore, tradhtinë etj si shkaqe të mund të çojnë deri tek pika e dhunës.
‘’Faktorët janë të shumtë nga ata personal, familjar e komunitar. Dhuna në familje ndodh për arsye të kushteve ekonomike, papunësisë, varfërisë, gjendjes mendore të njërit çift apo si rezultat i përdorimit të substancave psiko aktive dhe konsumit të alkoolit. Faktorë tjerë janë aspekti i edukimit dhe dallimeve në pikpamje dallimet socio-kulturore për jetën dhe të ardhmen, faktorë tjetër janë tradhëtitë, niveli të larta të gjendjes stresuese. Dhuna ndaj në familje dhe me bazë gjinore është vepër penale dhe dënohet në bazë të dispozitave ligjore.’’, ka thënë Shabani për Periskopin.
Shabani tutje tregon rolin e institucionit të Qendrës për Punë Sociale, për çka thekson sfidat me të cilat përballen në procese të tilla.
‘’Institucionet siç janë Qendrat Për Punë Sociale bëjnë përpjekje të vazhdueshme të ofrojnë shërbime dhe të ndërrmarrim të gjitha veprimet për të ofruar përkahjen e duhur karshii nevojave të viktimave dhe detyrimeve, por janë të sfiduara me numër shumë të vogël stafi dhe kushte jo të duhura pune të profesionisëve të shërbimeve sociale’’, tha ai.
Kujtojmë që në Kosovë ekziston Ligji i ri për Mbrojtje nga Dhuna në familje, i cili parasheh mbrojtje dhe mundësi të ofrimit të shërbimeve për viktima nga aspekti i trajtimit e deri te procesi i ri integrimit. Në kuadër të zingjirit të institucioneve që kanë nivel të përgjegjësisë janë: Policia e Kosovës, mbrojtësit e viktimave, prokuroria, QPS, strehimoret dhe Gjykatat. Ndërsa në nivel të hartimit të politikave, janë institucionet gjegjëse për mirëqenie sociale dhe drejtësi./Kaltërina Misini – PERISKOPI/
Më poshtë mund të lexoni të gjitha rastet e dhunës, kanosjeve dhe dhunimeve përgjatë pesë ditëve të kësaj jave:
-Fushë Kosovë 15.08.2022-08:15. Ankuesja femër kosovare ka njoftuar se ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësorë. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt.Bresje, Fushë Kosovë 15.08.2022-22:00. Viktima femër kosovare ka pësuar lëndime, pasi që i dyshuari mashkull kosovar-bashkëshorti i saj, për motive xhelozie dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.
-Viti, 15.08.2022-15:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga vjehrra e saj e dyshuara femër kosovare. Ankuesja posedon raport mjekësor për lëndime trupore. Në lidhje me rastin janë intervistuar edhe tri dëshmitare, ndërsa është arrestuar e dyshuara në lidhje me rastin dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar e dyshuara është liruar.
-Prizren, 15.08.2022 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka shkaktuar dhunë në familjen e tij. Viktima femër kosovare ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Malishevë 15.08.2022-09:35. Janë arrestuar një femër dhe një mashkull kosovar pasi që ata janë rrahur mes veti. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësorë dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
-Mitrovicë 15.08.2022-12:15. Viktima femër kosovare ka njoftuar se ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka refuzuar tretman mjekësorë. Rasti shkon në procedurë të rregullt.
-Vushtrri, 15.08.2022-11:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se kishte një mosmarrëveshje me ish bashkëshortin, mashkull kosovar lidhur me disa foto në rrjete sociale. Me vendim të prokurorit pas intervistimit rasti shkon në procedurë të rregullt.
-Gllogoc, 16.08.2022 – 00:05.Viktima femër kosovare ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.
-Prishtinë 15.08.2022 – 19:30.Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Rasti në hetime.
-Prishtinë 16.08.2022-12:30.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
-Rr. Skënderbeu, Lipjan 15.08.2022 – 18:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është kanosur nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
-Drenas 15.08.2022-NN. Lidhur me rastin me date 16.08.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar viktimën femër shtetase e huaj. Viktima është dërguar në strehimore, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
-Prishtinë 16.08.2022 – 12:46. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në trafik, është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari pas kryerjes së veprës është larguar nga vendi i ngjarjes. Rasti në hetime.
-Prizren 14.08.2022 – 23:30.Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Pas inicimit të rastit dhe intervistimit të palëve në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt.
-Prizren 16.08.2022-22:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka shkaktuar dhunë familjare duke pasur sjellje agresive ndaj familjareve dhe duke demoluar gjësende nëpër shtëpi. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Pejë 16.08.2022-13:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi qe i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
-Prishtinë 17.08.2022 – 07:20. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare nën dyshimin se ka kanosur viktimën femër kosovare. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit e dyshuara pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
-Prishtinë 17.08.2022 – 12:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ofenduar viktimën femër kosovare si dhe kishte dëmtuar orenditë shtëpiake. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
-Podujevë 17.08.2022 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
-Prishtinë 17.08.2022 – 15:40. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti nën hetime.
-Prishtinë 17.08.2022 – 09:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. Lidhur me rastin njërës nga viktimat i është ofruar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
-Podujevë 17.08.2022 – 11:00.Viktima femër kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
-Prizren 17.08.2022 – 11:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare të cilën dhe e ka kanosur. Lidhur me rastin viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Gjakovë 17.08.2022 – 07:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj duke i shkaktuar lëndime me ç’rast kishte pranuar trajtim mjekësor. Me vendim të prokurorit i njëjti është futur në kërkim policor. Rasti në hetime.
-Prishtinë 17.08.2022 – 21:30. Viktima femër kosovare ka pësuar lëndime trupore pasi që e njëjta dyshohet se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin më herët kishte bashkëjetuar. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
-Prizren 18.08.2022 – 02:00. Viktima femër shtetase e Shqipërisë ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar me të cilën bashkëjeton qe disa vite vazhdimisht ushtron dhunë psikike ndaj saj. Lidhur me rastin janë intervistuar palët dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti procedohet në procedurë të rregullt.
-Prizren 16.08.2022 – 18:10. Ankuesjafemër kosovare ka raportuar se si pasojë e një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar (bashkëshorti i saj) e ka kanosur duke ushtuar dhunë psikike ndaj saj. Njësitet policore janë duke hetuar rastin.
-Prizren 14.08.2022 – 16:00. Me datën 18.08.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili është parë në një video në rrjete sociale duke goditur fizikisht vajzën e tij të mitur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Rahovec 17.08.2022 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari i mitur mashkull kosovar nën dyshimin se kishte dhunuar viktimën e mitur femër kosovare. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara do të dërgohet në ekzaminim mjekësor.
-Rr. Afrim Zhitia, Prishtinë, 19.08.2022 – 12:40. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se është kanosur përmes telefonit nga një i dyshuar. Rasti është duke u hetuar.
-Shtime 19.08.2022 – 23:43. Është arrestuar i dyshuari pasi ai në vazhdimësi ushtron dhunë ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Prizren 19.08.2022 – 22:55.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Suharekë 19.08.2022 – 14:15.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij viktimës femër kosovare. Nga i dyshuari është konfiskuar një thikë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
-Gjakovë 19.08.2022 – 12:00. Janë arrestuar dy të dyshuar (një femër dhe një mashkull), pasi që janë përleshur në mes vete. Pas tretmanit mjekësor me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.












