Keqpërdorime, skandale e afera korruptive: Çka po shohim te Qeveria Kurti nga ardhja në pushtet

Qeveri e skandaleve! Në pak kohë që nga marrja e pushtetit. E tillë po vlerësohet kjo e Kurtit, së cilës veç dje iu dolën në pah dy afera korruptive. Dyshohet se të përfshirë janë ministrat e Albinit. Prej stikersave 5 eurosh e deri tek ryshfeti 30 mijë eurosh, Periskopi ju sjell pëmbledhjen e disa skandaleve […]
Po ia nisim prej dy më të fundit që u zbuluan brenda ditës. Afera Liburnia, që shpërfaqë ryshfet e që dyshohet se lidhet me ministrinë e udhëhequr nga Liburn Aliu. Nëpërmjet emisionit Ditari i Buzhalës, u publikuan përgjime që e përfshijnë këshilltarin e Aliut, Florent Ramqaj. Aty përmendej 30 mijë euroshi ryshfet për të çuar email tek autoritetet se janë kryer punët.
‘Jam i pastër’, ishte reagimi i vet Ramqajt, që në postimin e tij sulmues paralajmëroi padi ndaj medias që ka plasuar informacionin. Reagim pati edhe prej zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, që i dukej e pabesueshme një aferë e tillë në institucionet e tyre. Sot, Prokurori i Shtetit nisi hetime për këtë rast.
Keqpërdorim i 1.1 milion eurove. Akuzat vijnë prej PDK’së se dy ministrat e Kurtit, Donika Gërvalla e Fitim Damka janë të përfshirë në rast. Fjala është për një “Memorandum Bashkëpunimi”, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës dyshohet se po shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Edhe për këtë, Prokuroria Speciale doli e njoftoi se kanë nisur hetimet. Nga të apostrofuarit, edhe Gërvalla edhe Damka e mohuan se është keqpërdorim.
Po vazhdojmë me tentim-zhvatjen e popullit me stikersa të shtrenjtë nga ministria e Liburn Aliut, për të cilën kishte raportuar para disa muajsh redaksia jonë. Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi pati nënshkruar një kontratë pesë vjeçare me një kompani të vogël që do të ofronte tiketa ngjitëse për automjete.
Kur jemi tek diplomacia e jashtme, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla që nga marrja e detyrës, më shumë është përmendur për deklarata e veprime skandaloze, se sa për punën e saj në këtë mision kaq të rëndësishëm për vendin. Asnjë njohje e vetme nga vendet e botës për Kosovën, deklarata të paprecedenta për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkarkime, huqje të mëdha nëpër paraqitje publike e nëpër postime zyrtare.
Kthehemi tek një çështje që e preku direkt mirëqenien e xhepin e popullit. Tarifat e shtrenjta të rrymës, të cilat u vendosën nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës. Përpos që u kundërshtua masivisht, edhe Gjykata e Apelit e vërtetoi se ishte vendim i jashtligjshëm. Kjo çështje ka mbetur e pezulluar. Autoritetet nuk tregojnë nëse qytetarëve do u kthehen paratë. ZRRE s’po shkarkohet.
‘Iu punësua në KEK kushëriri, shoku, militanti i Vetëvendosjes etj’, ishin nga fjalët më të shpeshta që kemi dëgjuar pas shpërthimit të skandalit me punësimet e njerëzve të afërt të Vetëvendosjes në Koorporatën Energjetike të Kosovës. Pati reagime të ashpra, si nga opozita ashtu edhe nga qytetarët në përgjithësi. Pushteti qiti deklarata arsyetuese e mbrojtëse. Pati veç anulim të konkursit.
Një skandal tjetër, të cilin e kishte zbuluar pikërisht Periskopi ishte se si Qeveria Kurti propozoi kandidatë për Bord të OSHP-së njerëz që nuk aplikuan fare në konkurs. E ky proces ka ngecur tash e sa kohë dhe ‘gjykata e tenderëve’ ka mbetur tutje pa bord.
Nuk ishte e papërmendur për skandale këta muaj as ministrja Rozeta Hajdari e ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Prap Periskopi kishte raportuar se si ajo shkolloi me 12 mijë euro Sekretarin e Ministrisë – me paratë u morën nga kredia e shtetit për bizneset prodhuese. Mirëpo, dallimi është që në këtë rast pati reagim nga pushteti. Irfan Lipovica u shkarkua.
Po e përmbyllim me një skandal tjetër të Liburn Aliut. Ministri lidhi marrëveshje me UBT-në, ku është i punësuar bashkë me shefen e kabinetit të tij. Pati reagime të shumta, por jo edhe tërheqje nga Aliu. Përpos, ai doli dhe e arsyetoi veprimin e tij.
Në fund krejt, po rikthejmë disa deklarata të kryeqeveritarit, z. Albin Kurti se si qeveria e tij është dhe do të jetë e pakorruptuar. Madje si prioritet të parë të punës së tij, e ka të renditur luftën kundër krimit e korrupsionit.
“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile.’’/PERISKOPI/












