Murati për deklaratat e ashpra të QUINT’it: Qeveria duhet t’u paraprijë gjërave, e jo të dalim keq para ndërkombëtarëve

Qeveria Kurti refuzoi propozimin e vendeve të QUINT-it për mbajtjen e zgjedhjeve paralamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit. E ky refuzim nuk u pranua mirë nga ana e tyre. Ato reaguan ashpër përmes një komunikate të përbashkët, duke thënë se qëndrimi i Qeverisë do të cënojë aspiratat evropiane, shkruan Periskopi. “Ne e pranojmë se […]
“Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendos nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare. Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të cenojë aspiratat evropiane”, thuhej ndër të tjera në reagimin e QUINT.
E, refuzimin e këtij propozimi nga Qeveria Kurti, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati e komenton në dy këndvështrime.
Në një prononcim për Periskopin Murati ka thënë se nëse Qeveria e ka bërë këtë veprim për të përfituar poena atëherë kjo është e dëmshme për Kosovën.
“Nëse e shikojmë veprimin e Qeverisë si veprim të izoluar, ky veprim është krejt parimor dhe i takon një vendi sovran me e marrë. Në politikë gjërat janë më të komplikuara dhe duhet me i pa në proces dhe ne jemi në një proces negocimi me Serbinë dhe nëse ky veprim është bërë për të përfituar qeveria poena politikë, atëherë është e dëmshme për Kosovën. Nëse është bërë si pjesë e një strategjie për me zgjidh problemin me Serbinë, atëherë mund të jetë e frikshme”, ka thënë Murati për Periskopin.
Murati shtoi se Kosova po gabon, përmes veprimeve të veta po lejon që të tjerët t’i bëjnë presion.
“Kosova do të duhej të kishte një qëndrim të qartë për bisedime, do duhej me iu tregu ndërkombëtareve se çfarë do. Gabimi kryesor është se ne si Kosovë po e sjellim veten që me veprimet tona me na bë presione të tilla. Na duhet me i parapri situatës duke pasur qëndrime të qarta për bisedimet në mënyrë që ne të jemi ofensiv dhe të mos vijmë në këso situata që të dalim në defansive në raport me Serbinë dhe kur ne dalim keq në bashkësinë ndërkombëtare”, përfundoi ai./PERISKOPI/












