Gërvalla e skandaleve: Për çka do ta mbajmë mend kryediplomaten Donikë në vitin e parë të mandatit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla që nga marrja e detyrës, më shumë është përmendur për deklarata e veprime skandaloze, se sa për punën e saj në këtë mision kaq të rëndësishëm për vendin. Madje, prej shumë zërave kritikë, është cilësuar si diplomatja më e dobët deri tash në historinë e vendit. […]
Qeveria Kurti u votua me shumicë votash pikërisht sot një vit. Më 22 mars të vitit 2021. Kur jemi tek diplomacia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, Kosova vlerësohet të mos ketë pasur shumë progres deri në këto momente kur po shkruajmë e ju po lexoni. Përveç se dështoi në sigurimin e ndonjë njohje të re e aplikimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare, ajo u bë pjesë e disa skandaleve përgjatë muajve. Në këtë rast, patjetër duhet të përmendim deklaratën e saj ndaj Greqisë se ‘’nuk ju lusim për njohje’’.
Një nga të thënat e Gërvallëss që u kritikua me të madhe ishte ajo për Gjykatën Speciale.
‘‘Gjykata Speciale nuk është instaluar nga Serbia’’. Kundër saj ishin vendosur edhe posterë në Prishtinë me shkrimet si “Ministre e Kurtit, dëshmitare e Vuçiqit”. Kur jemi tek Gjykata Speciale e cila po mban të burgosur ish-krerë të UÇK’së, Gërvalla e kishte lëshuar edhe këtë deklaratë.
”Disa nga ish-krerët e UÇK-së kanë bërë krime ndaj kundërshtarëve politikë”. Madje në CV të saj ,i quan ‘ekstremistë të luftës. Edhe ky ishte një skandal në vete.
E shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla- Schwarz ishte cak i kritikave në opinionin publik lidhur me shumë çështje të ndryshme, duke filluar nga kërkesa e saj për gazetarët që “të heshtin” e deri tek mosvendosja e flamurit amerikan në takim me përfaqësues të SHBA-ve. Pikërisht kjo huqje, kishte ndodhur gjatë takimit të saj me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Matthew Palmer, Schwarz kur nuk e vendosi fare flamurin amerikan, por vetëm atë të Kosovës dhe atë të Bashkimit Evropian.

Ky gabim nuk kaloi pa u vërejtur edhe nga ambasada e SHBA-ve në Kosovë, pasi në komunikatën e tyre zyrtare përdoren një fotografi tjetër dhe jo atë të takimit me Schwarz.
Tutje, në një takim me Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Gërvalla në fillim të deklaratës kishte aluduar se “Për herë të parë në cilindo vend të Ballkanit, shumica e votuesve kanë votuar të çlirohen nga korrupsioni dhe krimi”, duke lënë të kuptohej që Kosova ishte bërë “Meksikë”.
Gërvalla top lajm nëpër media, shumë shpesh ishte bërë edhe për gabimet apo huqjet në llogaritë zyrtare të saj në Twitter, ku shpeshherë ngatërronte flamujt e shteteve, e nuk linte pa bërë ngatërresa as në gjuhën shqipe e angleze.
Ja po i rendisim disa nga ato:
-Vendosja e flamurit të OKB-së në vend të atij të NATO-s teksa kishte tentuar të përshkruajë takimin me Sekretarin Gjeneral të Organizatës Euro-Atlantike.

-Teksa kishte uruar shtetin e Andorrës me rastin e ditës së pavarësisë, kishte vendosur flamurin e shtetit të Moldavisë.

-Në një postim me rastin e vdekjes së gjeneralit gjerman Klaus Reinhardt, Gërvalla i është referuar gabimisht këtij të fundit si “komandanti i parë i trupave të KFOR-it në Kosovë”

E në kohën kur Kosovës po i duheshin lobimet në shtetet ku Kosova nuk është njohur si shtet, ministrja vendos të shkarkojë 12 ambasadorë, me arsyetimin se nuk kanë qenë të emëruar politik e më pastaj edhe duke vonuar emërimin e tyre. Ky vendim në skenën politike u quajt edhe si skandali më i madh në politikën e jashtme.
Edhe pse shkarkimi i diplomatëve u bë në muajin maj, institucionet e Kosovës nuk kanë qenë në gjendje t’i gjejnë përfaqësuesit e rinj diplomatikë.
Tash së fundmi, kur konsulli i Kosovës në Hamburg, Gramoz Begolli ia qiti në pah një skandal gogja të madh. Është mënyra se si Gërvalla kishte tentuar të ndërhynte në organizimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës atje. Si rezultat, nuk kaluan pak, ditë dhe me anë të një vendimi e ktheu konsullin në vend, si shenjë ‘hakmarrjeje’. Duhet ta kujtojmë, që masë disiplinore asnjëherë nuk kishte marrë ndaj ushtruesit të detyrës së ambasadorit në Shkup, Prindon Sadriut, ndonëse ‘Zotëri i Parë’ i kishte quajtur mediat ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale./PERISKOPI/












