Kuvendi pro zgjatjes së afatit të masave emergjente në furnizim e energjisë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot vendimin e qeverisë për vazhdimin e masave emergjente në furnizim me energji elektrike. Ministrja e Ekonomisë Artanë Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar duke thënë situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimit të furnizimit me energji elektrike në tregjet evropiane dhe se kjo […]
Ministrja e Ekonomisë Artanë Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar duke thënë situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimit të furnizimit me energji elektrike në tregjet evropiane dhe se kjo mund të reflektohet edhe në Kosovë.
“Situata e krijuar në Ukrainë e shton edhe më tej paparashikueshmërinë e çmimit dhe furnizimit me energji elektrike në tregjet evropiane dhe kjo mund të reflektohet edhe në Kosovë. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka tronditur tregjet globale gjatë ditëve të fundit duke shkaktuar rritje të çmimit të naftës dhe të gazit, dhe duke shkaktuar pasiguri shtesë në një ekonomie e cila tashmë është jashtë ekuilibrit në mbarë botën. Duke e parë këtë situatë dhe ndikimin që ajo vazhdon të ketë në Evropë e cila sa vjen e përkeqësohet, ne si qeveri e shohim të domosdoshëm vazhdimin e masave emergjente për furnizim me energji”, tha Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se sanksionet që po vendosen ndaj Rusisë do të kenë ndikim direkt në çmime të gazit dhe energjisë elektrike.
Më 29 dhjetor të vitit 2021 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar vendimin për masat emergjente në furnizim me energji në një afat prej 60 ditësh. Ndërsa më 24 shkurt të këtij viti, qeveria ka proceduar në Kuvend vendimin për zgjatjen e këtyre masave edhe për 30 ditë të tjera. Por këtë e kanë kundërshtuar partitë opozitare.
“Nuk duhet të vazhdohen këtu masa dhe sot ky vendim duhet të hidhet poshtë. Në anën tjetër s’ka pasur një transparencë të mjaftueshme sa i përket fondeve publike të shpenzuara për energji në formë të subvencioneve, konsiderojmë se kjo i jep më shumë argument se këto masa nuk duhet të vazhdohen. Rrjedhimisht GP i PDK-së nuk do të marrë fare në këtë votim”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërsa nga partia tjerë opozitare LDK kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votim.
“Ne si LDK nuk do të marrim pjesë në votim dhe e kundërshtojmë zgjatjen e mandatit për masat emergjente për energjinë elektrike”, tha Valentina Bunjaku.
Ndërsa Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës ka deklaruar që do të përkrahin vazhdimin e këtyre masave.
“Ne si GP i themi po vazhdimit të këtyre masave, duke marrë parasysh gjendjen aktuale dhe krizën energjetike”, tha ai.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar edhe Projektligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar.












