Ngritja e çmimeve: Kontraktorët e shtetit pranë kolapsit

Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin janar 2022, në krahasim me muajin janar 2021 ishte 7.1 për qind. Çmimet janë në trend të rritjes edhe më shumë për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar lufta në Ukrainë. Pos që është prekur kualiteti i jetës së qytetarëve, punën hiq mirë nuk e […]
Janë rreth 700 milionë euro të cilat institucionet publike shpenzojnë përmes procedurave të prokurimit publik, duke lidhur kontrata, si për shërbime, punë e furnizime me bizneset në Kosovë.
Periskopi mëson se bizneset që kanë lidhur kontrata në vitin e kaluar me institucionet publike, e kanë bombarduar shtetin me kërkesa për rishikimin e tyre për shkak të ngritjes së çmimeve.
Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, nuk mund të ndryshohet më çmimi pasi të lidhet kontrata.
Skënder Krasniqi, kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës thotë se i kanë sugjeruar qeverisë që kontrata që i kanë me bizneset, t’i rishikojnë krejt institucionet publike për shkak të çmimeve.
“Në këtë plan janë dy mungesa. E para ka mungesë të materialit për furnizim të ushqimit dhe e dyta ka rritje mbi 100 për qind të çmimit të produkteve në krahasim me kontratat që janë shënuar si rezultat i gjendjes së jashtëzakonshme. Këtu duhet të analizohet gjendja, pasi nuk është e zakonshme. Të gjitha shtete në Evropë i kanë rishikuar kontratat, edhe ne kërkojmë që të rishikohen ato që janë lidhur në muajit dhe vitin e kaluar, përndryshe ata do t’i ndërprenë ato dhe do të ketë mungesë të furnizimit me ushqim edhe të sektorëve esencial, ushtrisë, policisë, spitalet, burgjet. Pra nuk mund të furnizohen me kontrata që i kanë lidhur më herët, pasi çmimet kanë fluturuar”, ka thënë Krasniqi për Periskopin.
Ndërsa Hasan Gigollaj, i cili drejton një biznes në Prizren ka kontrata aktive me disa nga institucionet. Thotë për Periskopin se është duke punuar me humbje.
“I kemi shkruar institucioneve për lëvizjet që kanë ndodhur në treg. Kontratat e mia kanë të bëjnë kryesisht me letër për institucionet lokale. Çmimet e letrës janë të gjitha në berëz, është dyfishuar rritja e çmimit, derisa kemi kontratë që e kemi lidhur para dy vjetëve që janë me validitet tre vjeçar. Aktualisht po punohet me humbje, dhe kemi kërkuar intervenim të menjëhershëm në rishikimin e kontratave”, tha Gigollaj.
Periskopi ka mësuar se disa kompani që merren me ndërtimin e rrugëve pritet të bëjnë kërkesë për shkëputje të kontratës. Kjo për shkak të rritjes së çmimeve enorme të materialit ndërtimor.
Nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani thotë se aktualisht nuk kanë marrë asnjë shkresë për shkëputje të kontratës, por shprehet se është në dijeni me situatën e krijuar.
“Në Pejë disa kontraktor kanë filluar që të punojnë me kontrata të vitit të kaluar, disa janë në pritje. Zyrtarisht me shkrim nuk kemi ende asgjë se ndonjë kontraktor do të tërhiqet nga kontrata. Kemi kërkesë gojore që duhet të presin edhe pak mos po ulën çmimet. Mirëpo më shkrim nuk kemi kërkesë për shkëputje të kontratave. Ne si komunë kemi kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP që të kuptojmë se çka po vendoset në nivel të Kosovës lidhur më kontratat që janë të nënshkruara. Nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, po presim mos po na referohen, sepse ligji i prokurimit nuk lejoni që të ri negociohen çmimet pas lidhjes së kontratës”, tha Asllani për Periskopin.
Nënkryetari i Pejës thotë se me kontratat e reja po veprojnë sipas çmimeve të tregut aktual.
“Me kontrata e reja është më lehtë sepse po i bëjmë me çmimet aktuale. Hallin e kemi të ato të vitit të kaluar”, shtoi ai.
Kontrata që nënshkruhen në mes institucioneve publike dhe kompanive janë një vjeçare dhe tri vjeçare. Tashmë janë qindra kontrata në implementim e sipër që janë nënshkruar në vitin e kaluar. /PERSIKOPI/












