Sibel Halimi: Në prapavijën e humanistes Nënë Tereza dhe në shtëpinë e ligjeve ndodhë një ‘lavdi marrëzisë’

Kuvendi i Kosovës ka pritur nxënës të shkollave fillore, të cilët kanë shkuar për vizitë, në prag të 14-vjetorit të Pavarësisë. Por, në rrjete sociale është kritikuar një fotografi që po qarkullon në rrjete sociale, ku disa nxënës shihen me fotot e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentarit Glauk Konjufca në duar. Për këtë ka reaguar […]
Për këtë ka reaguar edhe Sibel Halimi e LDK-së ku e ka cilësuar si ‘lavdi të marrëzisë’ fotografimin e fëmijëve me foto të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca, përcjell Periskopi.
“Në prapavijën e humanistes Nënë Tereza dhe në shtëpinë e ligjeve ndodhë një ‘lavdi marrëzisë’. Fëmijëve u japin në duar fotografi të dy politikanëve edhe atë të ndara në gjini”, shkruan Halimi.
Halimi u shpreh gjithashtu se kjo pamje shpërfaq qartazi, pse ligjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nuk po gjejnë zbatim.
“Kjo pamje shpërfaq qartazi, pse ligjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve nuk po gjejnë zbatim. Për të ndryshuar këtë mentalitet na duhet pikërisht të mos i edukojmë fëmijët në frymën e shndërrimit të politikanëve në kult. Paradigmat tradicionale në mënyrën se si edukojmë vajzat dhe djemtë, na duhet urgjentisht t`i largojmë nga pamjet e tilla si kjo dhe jo vetëm! Fëmijët tanë e meritojnë të jenë të barabartë dhe politikanët në shërbimin e tyre për një fëmijëri të dinjitetshme”, shtoi ajo.
Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe shefi i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, ku ka shprehur keqardhje për fotografinë ku shihen disa fëmijë me fotografitë e politikanëve: presidentes Osmani dhe kryeparlamentarit Konjufca.
“Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjes mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tone”, shkroi Kërçeli.












