PSD pas masës ndaj Molliqajt: Kurti po do të na japë mësime të reja për protestën, por mësimet e reja do t’i japim ne

Partia Socialdemokrate ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkoi një muaj paraburgim për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistin Adem Megjuani. Sipas PSD-së, protesta masive dhe paqësore u sulmua nga të gjitha anët. “Sapo morëm vesh se Prokuroria ka kërkuar 1 muaj paraburgim për Dardan Molliqajn dhe Adem Megjuanin. Protesta masive dhe e […]
Partia Socialdemokrate ka reaguar pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkoi një muaj paraburgim për kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqaj dhe aktivistin Adem Megjuani.
Sipas PSD-së, protesta masive dhe paqësore u sulmua nga të gjitha anët.
“Sapo morëm vesh se Prokuroria ka kërkuar 1 muaj paraburgim për Dardan Molliqajn dhe Adem Megjuanin. Protesta masive dhe e përfunduar si paqësore u sulmua nga të gjitha anët për t’u kriminalizuar. Radha i erdhi policisë me 60 pjesëtarë të njësiteve të reagimit të shpejtë për ta rrethuar një studio televizive e arrestuar një person. Hallka e radhës është Prokuroria që caktoi mbajtjen prej 48 orësh dhe tash kërkon 1 muaj paraburgim”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Nga PSD-ja po thonë se pushteti i Albin Kurti po dëshiron t’u jap mësime për protestën.
“Kërkesa për masë të paraburgimit përbën masën më të ashpër të lejuar që mund ta kërkojë Prokuroria. Kjo kërkesë e parë së bashku me shkeljet procedurale e materiale që kanë ngjarë përgjatë procesit të privimit të lirisë tregon qartë se i gjithë ky proces penal nuk është i motivuar nga nevoja për të zbatuar ligjin. Qartazi motivet janë politike dhe hakmarrëse. Veprimet e organeve të drejtësisë mbi motive të tilla të ulëta janë në kundërshtim me shtetin e së drejtës që para së gjithash mban lart liritë dhe të drejtat e njeriut. Pushteti i Albin Kurtit dëshiron të na japë mësime të reja për protestën. Mësimet të reja do t’i japim ne!”, thuhet në reagim.












