Ngatërruan kufomat e më pas zhvarrosën njërin pa e njoftuar familjen, paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë ditë ndaj të pandehurve M.N. dhe E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”. Sipas njoftimit të Gjykatës, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, gjykata ka vlerësuar se […]
Sipas njoftimit të Gjykatës, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Me datë 09 shkurt, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin ta dërgojnë në Prizren për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndërkaq, po sipas kësaj Gjykate, trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe i është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K.
“Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D. Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekur, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K”, theksoi Gjykata në njoftimin për media.
E gjithë kjo, sipas Gjykatës, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policorë.
“Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë”, theksohet më tej në njoftim.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura penale është në fazën fillestare, dhe se në rrjedhën e mëtejme të procedurës hetimore do të mblidhen edhe prova tjera me qëllim zbardhjen e kësaj çështje penale, andaj është konstatim i Gjykatës se “nëse të pandehurit lihen në liri mund të asgjësojnë apo fshehin provat materiale, si dhe të ndikojnë në dëshmi të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve”.
“Gjithashtu, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, se me veprimet e tyre të pandehurit kanë cenuar rëndë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, si dhe duke marrë parasysh vendosmërinë e të pandehurve për të kryer veprën penale, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”, u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prizren.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, por që ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.












