Lirim i masave? Gastronomët kërkojnë kthim në normalitet, tregojnë çka u tha MSH’ja në takim

Ministria e Shëndetësisë të Kosovës ka bërë ditur se sot pasdite do të bëhet shqyrtimi i masave kundër COVID-19, nga komiteti për menaxhimin e pandemisë. Ndonëse nuk ka ende asgjë zyrtare, nga dje kanë qarkulluar raportime se gastronomia do të zgjatet deri në orësn 23:00. Mirëpo, nga Shoqata e Gastronomëve thonë se ende asgjë nuk […]
Arian Vranica, përfaqësues i Shoqatës së Gastronomëve ka deklaruar për Periskopin se dje është takuar me zv.ministrin e Shëndetësisë, mirëpo prej anës tij nuk kanë marrë asnjë premtim konkret.
‘’Unë kam qenë dje në takim me zv/ministrin, shefen e kabinetit dhe këshilltaren politike dhe ata thanë se se diçka ka me u hjek, por jo cka qysh e tek. Nuk dojshin me na premtu diçka që bëhet ose jo. Kështu që presim dhe sot e marrim vesh’’, ka thënë Vranica për Periskopin.
Tutje ai ka treguar se cilat janë kërkesat e tyre, të cilat bazohen në kthim në normalitet.
‘’Nuk është e konfirmume kërkah se deri në çfarë ore ka me u zgjat. Ne dje kemi qenë në takim dhe i kemi propozu kërkesat tona qysh ish dasht me funksionu. Kërkesa jonë ka qenë në bazë të rregullores komunale e se qysh do të bëhet nuk e di. Rregulloret komunale thonë që gjatë dimrit, deri në orën 23:00 kurse verës 00.00. Për klubet e natës, deri në orën 03.00. Ne kemi kërku me u hap të gjitha. Sa ka me u bo nuk e di. Kemi kërku edhe muzika me qenë në të njëjtin funksionim si në orarin e biznesit.’’, ka thënë ai.
Kujtojmë që edhe Avokati i Popullit para pak ditësh ka dalë me një opinion juridik përmes së cilit i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i rishqyrtojë masat anti-COVID që janë në fuqi. Ndërkohë zëri është ngritur edhe nga qytetarët, e fqinjët nga Shqipëria, të cilët e manifestuan me protestë vendimin e Qeverisë Kurti për tri doza vaksina. Kundërshtime pati edhe nga Lugina e Preshevës e Maqedonia Veriore./PERISKOPI/












