Lajmi më i keq i javës që shkoi, por sikur e injoruam të gjithë

Shtrenjtimi i rrymës, mashtrimet e deputetëve me shpenzimet për udhëtime, mashtrimi i Presidentes Vjosa Osmani me paratë e udhëtimit, çartja e Prindonit, tentimi i VV’së për retushimin e historisë, Ukraina, braktisja e vendit nga kosovarët, njohja e patent-shoferëve nga Gjermania, ishin disa nga lajmet që e dominuan debatin publik të javës që lam pas. Por […]
Java që lam pas ishte e mbushur me lajme dramatike.
Më në fund ndodhi ajo që pritej. Ndërmarrja e përbashkët Qeveri – ZRRE – KESCO, përkundër paknaqësive të mëdha dhe kundërshtimit të qytetrëve, ia dolën të shtrenjtojnë energjinë elektrike
Shtrenjtimi i energjisë disi u mjegullua nga mashtrimet e deputetëve tanë me shpenzimet për udhëtime nga komunat tjera.
E papritura nga këto mashtrime që u publikuan ishte se shumica e deputetëve që kishin abuzuar me paranë publike ishin nga Lëvizja Vetëvendosje, dikur partia më e zëshme kundër keqpërdorimeve të tilla.
Si të mos mjaftonte kjo, më pas doli që edhe Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani kishte mashtruar me këto shpenzime, duke deklaruar se kishte jetuar në Mitrovicë, por në fakt jetonte në Prishtinë dhe merrte meditje udhëtimi.
Publikimi i mashtrimit të saj irritoi shumë bashkëshortin e saj Prindon Sadriu, i cili u lëshua në sulm frontal kundër mediave.
Sadriu me terminologji të Gjykatës Speciale mediat i quajti “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Ky cilësim i bashkëshortit të Presidentes nxiti reagime të mëdha nga mediat vendore, shoqëria civile, organizata ndërkombëtare, e deri tek eurodeputetja Viola von Cramon.
Por, asgjë nuk e bindi as atë e as bashkëshorten e tij, Vjosën, që t’i kërkojë falje falje indistruisë së medias, që punëson mijëra gazetarë.
Më vonë, Osmani e pranoi edhe vet që për disa vite radhazi kishte marrë nga 80 euro në muaj, por u arsyetua se nuk i kishte vërejtur dhe se ato para po i dilnin në xhirollogarinë e saj bankare.
Debat publik zgjoi edhe përkujtimi i demonstratës së VV’së më 10 shkurt 2007 kundër Pakos së Ahtisarit, që hapi rrugën për Pavarësinë e Kosovës.
Në atë protestë ishin vrarë edhe dy demonstrues, Mon Balaj dhe Arben Xhaldini. Dy të vrarët e asaj proteste, Presidentja Vjosa Osmani i dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave, çka ngjalli reagime të mëdha si një përpjekje e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmani, siç u quajt nga publicist i njohur Halil Matoshi, për “retushim stalinist të historisë më të re të Kosovës.”
Në këtë frymë java vazhdoi edhe me dy deklarata të pakoordinuara të zyrtarëve të VV’së rreth shpalljes së pavarësis së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
I pari, filozofi i pakënaqur nga Tirana, Elvis Hoxha, deklaroi se Pavarësia e Kosovës është shpallur më 10 shkurt 2007, ndërsa më pas Salih Zyba nga Bukoshi i Suharekës deklaroi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte e ngutur, dhe ishte shpallur nga njeriu jo i duhur (Hashim Thaci, v.j)
Opinioni me pak reagime, deklaratat e të dyve i cilësoi si deklarata të dy personave të përhantë dhe shpirtra të pakënaqur politikë.
U fol pak edhe për migrimin masiv të kosovarëve drejt vendeve perendimore, ndërkohë që lajmi i vetëm i mirë i javës ishte njohja e patentë-shofërëve të Kosovës nga Gjermania.
Në mungesë të ndonjë rezultati konkret për një vit qeverisje të gjithë bënë turr në marrjen e meritave për këtë njohje, në fund për të mos u ditur fare se kush ishte meritori për këtë vendim të Bundestag’ut gjerman.
Por, lajmi që do të duhej të ishte edhe shqetësimi ynë kryesor, kaloi pa u vërejtur.
Fjala është për një reportazh të Ekonomia Online me drejtorin e Klinikës së Onkoligjisë, Ilir Kurtishi, i cili tregoi shifrat alarmante të të sëmurëve nga kanceri.
Sipas, Kurtishit, vetëm në janar të këtë viti, brenda 25 ditëve, janë diagonstifikuar me kancer 115 raste reja.
Pak kush, ose fare, u mor me këtë temë. Kjo shifër e frikëshme askujt nuk i bëri përshtypje.
Qytetarët e Kosovës jetojnë në ambientin më toksik në kontinent, ndoshta edhe më gjërë. Kosovarët thithin ajrin ndër më të ndotur në botë, e shpesh edhe me të ndoturin, pijnë ujë që nuk ia dijnë cilësinë, konsumojnë pemë e perime për të cilat nuk ekziston asnjë lloj kontrolli, e kualitetin e ushqimeve që janë në treg nuk e kontrollon askush.
Degradimi i mjedisit jetësor në Kosovë, si faktor i drejpërdrejtë që ndikon në shfaqjen e shumë sëmundjeve, është kritikuar edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë. Në raportet e tyre, Kosova ishte renditur në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimore dhe në Evropë.
Ndërkohë, qeveritë e njëpasnjëshme, përfshirë edhe këtë të Kurtit, vazhdimisht theksojnë se mbeten të përkushtuar të zbatojnë kërkesat për mbrojtjen e mjedisit.
Por, përtej aksioneve verbale nuk kanë shkuar më tej./Periskopi












