Imazhet satelitore zbulojnë lëvizjet e reja të Rusisë drejt Ukrainës, Putini mund të urdhërojë pushtimin

Imazhet e reja satelitore të marra nga CNN tregojnë se një bazë e madhe që përmban tanke ruse, artileri dhe mjete të tjera të blinduara pranë kufirit me Ukrainën është kryesisht e zbrazur dhe pajisjet me sa duket janë zhvendosur shumë më afër kufirit. Baza është në Jelnja, në juglindje të qytetit të Smolensk dhe […]
Baza është në Jelnja, në juglindje të qytetit të Smolensk dhe rreth 418 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Sasi të mëdha armësh u zhvendosën atje në fund të vitit 2021, duke përfshirë rreth 700 tanke, automjete luftarake dhe lëshues raketash balistike, shkruan CNN.
Shumica e këtyre pajisjeve tani mungojnë, sipas imazheve satelitore të marra më 6 shkurt. Në foto shihen gjurmët e automjeteve që po largohen.
Konrad Muzyka, ekspert për monitorimin e lëvizjeve ushtarake në Rochan Consulting, thotë se ajo që ndodhi në Jelnja është një nga disa “ndryshimet e rëndësishme në përbërjen e forcave ruse dhe vendndodhjet e tyre”.
“Ne po hyjmë në një fazë të re ku shohim njësitë e para-pozicionuara duke u mbushur me staf shtesë dhe se pajisjet ka të ngjarë të zhvendosen”, shtoi ai.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan tha së fundmi se ka shumë mundësi që presidenti rus Vladimir Putin të lëshojë urdhër për një sulm mbi Ukrainën.
Zyrtarët amerikanë i thanë CNN gjatë fundjavës se Putin tani i ka mbledhur 70 për qind të personelit ushtarak dhe armëve që do t’i nevojiteshin për një pushtim në shkallë të plotë në kufijtë e Ukrainës.












