Kurti takon deputetët gjermanë: Politika gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim deputetët e Parlamentit gjerman, Christian Petry nga Partia Social Demokrate SPD dhe Boris Mijatoviq nga Partia e Gjelbër. Deputeti Petry theksoi se është i gëzuar që Kosova është rreshtuar me shtetet që shkojnë drejt Bashkimit Evropian. Si socialdemokrat, Petry tha se ka pasur dëshirë që të […]
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim deputetët e Parlamentit gjerman, Christian Petry nga Partia Social Demokrate SPD dhe Boris Mijatoviq nga Partia e Gjelbër.
Deputeti Petry theksoi se është i gëzuar që Kosova është rreshtuar me shtetet që shkojnë drejt Bashkimit Evropian. Si socialdemokrat, Petry tha se ka pasur dëshirë që të uroj edhe personalisht kryeministrin Kurti, për qeverinë e re nën udhëheqjen e tij.
Kryeministri Kurti e falënderoi Petry për mbështetjen e tij të vazhdueshme që nga viti 2019, kur u njoftuan gjatë një lojë futbolli në Berlin, e cila u zhvillua mes shoqatës Dardania Bamberg dhe klubit të futbollit të Bundestagut. Ndërsa deputetit Mijatoviq, kryeministri ia uroi mandatin e parë në Parlamentin gjerman.
Deputetët u interesuan për situatën aktuale si dhe marrëdhëniet bilaterale me shtetet fqinje. Kryeministri theksoi se shpreson që kancelari Scholz e rikthen Procesin e Berlinit në vëmendje të akterëve në Bashkimin Evropian.
Deputeti Mijatoviq theksoi rëndësinë e faktit që në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane është i theksuar integriteti territorial i Bosnjës dhe se kjo vlen për tërë rajonin.
Në takim u diskutua mbi situatën me COVID-19 dhe masat e reja mbrojtëse. Kryeministri Kurti tha se mbi 60% e popullatës mbi 16-vjeç tashmë janë të vaksinuar, ndërsa po vazhdon vaksinimi edhe me dozën përforcuese.
Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, reformë të drejtësisë dhe qeverisje të mirë.
Deputetët gjermanë theksuan që politikë-bërja gjermane do të ketë vëmendje të shtuar për Kosovën dhe rajonin, si dhe premtuan mbështetjen e tyre për objektivat e përbashkëta.












