‘Do t’ju qëndrojmë afër e do t’ju ndihmojmë’ – Mesazhet që dha deputeti britanik në takimet me krerët e Kosovës

Pak para përvjetorit të 14’të të Pavarësisë së Kosovës, në një vizitë speciale në Prishtinë ishte i dërguari i kryeministrit britanik për tregti, Martin Vickers. Ai zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe ministreN për Tregti, Rozeta Hajdarin. Me gjithë këta përfaqësues të lartë institucionesh foli për zhvillimin e […]
Me gjithë këta përfaqësues të lartë institucionesh foli për zhvillimin e Kosovës në ekonomi, tregti e fusha të tjera, duke u fokusuar tek bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar.
Vickers në takimin me Presidenten Osmani, u fokusua në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat u vlerësuan të shkëlqyera me mundësi zgjerimi të mëtejshëm. Presidentja Osmani vlerësoi ndihmën e Britanisë së Madhe për Kosovën, duke shpresuar për intensifikimin e saj të mëtejshëm.

Deputeti Vickers u takua edhe me kryeministrin Kurti, i cili theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një partner i pazëvendësueshëm i Kosovës. Vickers vlerësoi veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit dhe shtoi se kryeministri Johnson me emërimin e një të dërguari në Ballkanin Perëndimor po tregon se e marrim rajonin shumë seriozisht.
“Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian, të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe t’ju ndihmojmë”, theksoi ai.

Përpos këtyre, Vickers nuk iku pa takuar as kryetarin Konjufca, ku ndër të tjera u diskutua për zhvillimet politike, bashkëpunimin ndërparlamentar, rritjen ekonomike dhe tregtinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kryetari Konjufca e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, si dhe në rrugën e zhvillimit dhe forcimit të vetëdijes ndërkombëtare.
Vickers konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

E Martin Vickers krejt në fund u takua edhe me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Vickers edhe tek ajo konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, si dhe përkushtimin për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Të dy palët çmuan marrëdhëniet e mira mes vendeve mike dhe u pajtuan për shkëmbimin e përvojave britanike me qëllim të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe rritjes së investimeve në Republikën e Kosovës./PERISKOPI/













