Shfaqet pak Rusia në problemin e barrikadave: Ne s’po nxisim tensione, veç e mbështesim Serbinë

Serbët në Mitrovicë ngritën barrikada të reja të martën, disa orë pasi Serbia tha se e kishte vënë ushtrinë e saj në gatishmërinë më të lartë luftarake pas javëve të përshkallëzimit të tensioneve. E Kremlini tha të mërkurën se mbështet përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur serbët etnikë në veri të Kosovës”, por mohoi akuzat […]
E Kremlini tha të mërkurën se mbështet përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur serbët etnikë në veri të Kosovës”, por mohoi akuzat e Prishtinës se Rusia në një farë mënyre po nxiste tensionet në një përpjekje për të mbjellë kaos në të gjithë Ballkanin.
I pyetur në lidhje me deklarimin e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synonte të destabilizonte Kosovën duke mbështetur pakicën serbe, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për Reuters-in se ishte “gabim” të kërkohej për një ndikim destruktiv rus.
“Serbia është një vend sovran dhe është absolutisht e gabuar të kërkosh ndikimin destruktiv të Rusisë këtu”, tha Peskov.
“Serbia është një vend sovran dhe natyrisht, ajo mbron të drejtat e serbëve që jetojnë afër në kushte kaq të vështira dhe natyrisht reagon ashpër kur shkelen këto të drejta”.
Serbia mohon se po përpiqet të destabilizojë fqinjin e saj dhe thotë se thjesht dëshiron të mbrojë pakicën e saj atje. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të martën se Serbia do të “vazhdojë të luftojë për paqen dhe të kërkojë zgjidhje kompromisi”.
Kremlini tha se mbështet Beogradin.
“Duke pasur marrëdhënie shumë të ngushta aleate, marrëdhënie historike dhe shpirtërore me Serbinë, Rusia po monitoron me shumë vëmendje se çfarë po ndodh, si respektohen dhe sigurohen të drejtat e serbëve”, tha Peskov.
“Dhe, natyrisht, ne mbështesim Beogradin në veprimet që po ndërmerren”.












