Prokuroria e Prizrenit kërkon të ashpërsohet dënimi me burgim ndaj deputetes së Vetëvendosjes

Në rastin për rrënimin e aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren, Prokuroria Themelore e Prizrenit po kërkon ashpërsim të dënimit ndaj deputetes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Jetmire Vrenezi dhe ish-zyrtarit të Komunës së Prizrenit Islam Thaqi, derisa mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre ose rigjykim. Këto ankesa u shqyrtuan të premten, pranë Kolegjit të […]
Këto ankesa u shqyrtuan të premten, pranë Kolegjit të Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prizren më 17 maj 2022, ka shpallur aktjgykim dënues ndaj të akuzuarve Islam Thaqi dhe Jetmire Vrenezi për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku të njejtit i kishte dënuar me nga 3 vjet burgim dhe dy mië euro gjobë.
Ndërsa, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi ishin liruar nga akuzat.
Kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit referues nga Kolegji i Apelit, gjykatësi Xhevdet Abazi, ankesë ka ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren, ku sa i përket pjesës dënuese prokuroria konsideron se aktgjykimi duhet të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.
Kurse, sa i përket pjesës liruese, sipas gjykatësit Abazi prokuroria nuk është pajtuar me këtë pjesë, pasi që ka konsideruar se gjykata e shkallës së parë nuk i ka marrë parasysh të gjitha provat.
Tutje, gjykatësi Abazi deklaroi se, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren të aprovohet, të ndryshohet aktgjykimi ankimor dhe të shpallen fajtor edhe të akuzuarit tjerë, ndërsa sa i përket vendimit për dënim aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet edhe ndaj të akuzuarve të shqiptohet dënim më i ashpër.
Ankesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe propozimin e Prokurorisë së Apelit, e ka mbështetur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Taulant Hoda.
Sa i përket të akuzuarve që janë liruar, sipas avokatit Hoda gjykata e shkallës së parë ka ardhur në përfundim të gabuar lidhur me faktet dhe provat.
“Sepse provat që janë administruar në këtë gjykim dhe evidentuar në aktin gjykues në aktgjykim, në mënyrë të qartë vërtetojnë përgjegjësinë e tyre sepse me provat e njëjta janë shpallur fajtor edhe dy të akuzuarit tjerë dhe dëshmojnë se me veprimet e tyre të një pas njëshme të njëjtit kanë marrë pjesë në vendimin e rrënimit të objektit privat që ishte në procedurë të legalizimit”, ka thënë tutje avokati Hoda.
Sipas tij, të njëjtit me dashje kanë kryer veprën penale dhe në të njëjtën kohë të njëjtit i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshëm klientit të tij.
“Konsiderojmë se ka vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal, kështu që kjo gjykatë në rastin e shqiptimit për këtë pjesë të merr aktgjykim fajësues”, ka thënë ai.
Ndërsa, në lidhje me fajësinë e të akuzuarve avokati Hoda ka konsideruar se Gjykata Themelore në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, por sa i përket sanksionit penal ai tha minimumi i dënimit që është shqiptuar nuk është i përshtatshëm në lidhje me veprën penale për të cilën të njëjtit janë shpallu fajtor.
I njëjti tha se mbesin pranë kërkesës pasurore juridike.












