Policia thotë se janë larguar barrikadat dhe ka filluar qarkullim në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak

Në veri të Kosovës, më 10.12.2022 ishin vendosur barrikadat në rrugë, si pasojë e të cilave ishin mbyllur edhe dy pikë-kalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Policia ka njoftuar se janë larguar barrikadat dhe janë liruar për qarkullim dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës thotë se ishte angazhuar […]
Edhe përkundër rrethanave të krijuara, Policia e Kosovës thotë se ishte angazhuar në të gjitha format që t’u dalë në ndihmë kërkesave dhe nevojave të qytetarëve pa dallim, si dhe të mbajë rendin e sigurinë publike.
“Bazuar në informacionet e deritanishme, është bërë largimi i barrikadave në formën siç ato ishin vendosur, dhe pas kësaj është vlerësuar edhe hapja e dy pikë-kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat sot (30.12.2022) në orët e pasdites janë hapur për qarkullim”.
Zyrtarët policorë në veri të vendit dhe në këto dy pikë kalime kufitare, do të vazhdojnë me realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të rendit publik dhe kushtetues.
Policia thotë se, liria e lëvizjes së lirë, parandalimi i akteve kriminale dhe ofrimi i sigurisë janë në dobi të të gjithë qytetarëve dhe për këtë në vazhdimësi do të angazhohën duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. /Periskopi/












