Plus dy barrikada: Kurti premtoi heqje të tyre brenda ditësh, por ato veç po shtohen

Janë bërë fiks 19 ditë me barrikada në veri të Kosovës. Ato lë që s’po hiqen, por veç sa po shtohen. Sa me një anë, kryeministri Albin Kurti deklaron se heqja e mjeteve të rënda është çështje ditësh, e sa na zgjon mëngjesi me kamionë të mëdhenj të vendosur madje mu në qytet të Mitrovicës […]
Situata e brishtë në veri të Kosovës po vazhdon të na përcjellë edhe në ditët e fundit të vitit. Përkundër deklaratave, thirrjeve e takimeve, as serbët por as organet e sigurisë nuk po heqin barrikadat në pika të ndryshme kufitare. Mëngjesi i së martës na zgjoi plus me dy barrikada, shkruan Periskopi.
E pak para këtij zhvillimi, është kryeministri Albin Kurti që për një media boshnjake deklaroi: Nëse këtë nuk e bënë KFOR-i, do ta bëjmë ne. S’mund të zgjasin për muaj. As për javë, por vetëm disa ditë’’.
Këtë pohim e pati nëpër konferenca për media edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke thënë se policia e Kosovës ka gjitha kapacitetet e veta për të ndërhyrë në heqjen e pengesave në veri.
Barrikada e parë brenda qytetit
Në Mitrovicë të Veriut janë ngritur dy barrikada të reja.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda. Njëra prej barrikadave është vendosur në udhëkryqin te shkolla teknike, ndërsa tjetra është vendosur te vendi i quajtur Kershi i Dudes”, thuhet në përgjigjen e policisë.
BE dënon sulmet e fundit në veri: Menjëherë të de-përshkallëzohet situata
Bashkimi Evropian ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it dhe ka bërë thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në veri.
“Bashkimi Evropian “dënon fuqishëm sulmet ndaj EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës” dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje maksimale dhe veprime të menjëhershëm për “de-përshkallëzimin e situatës, e cila përfshin përmbajtjen nga veprimet provokuese, kërcënimet apo frikësimet”, thuhet në një deklaratë të BE-së për mediat serbe.
BE-ja thekson se situata në veri të Kosovës është ende e tensionuar dhe se “duhet respektuar sundimi i ligjit dhe nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës”.
Në këtë deklaratë deklaratë, BE-ja sërish bën thirrje që të dy palët duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë në një zgjidhje politike në mënyrë që tensionet të ulen.
“Ne presim që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përkushtimit për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim në të mirë të qytetarëve të tyre, që përfshin mbrojtjen e popullatës serbe në veri të Kosovës”.
Lista Serbe me propagandë: Kurti mund të organizojë sulme ndaj EULEX-it dhe KFOR-it dhe të na akuzojë neve
Lista Serbe e ka mohuar se serbët e Veriut qëndrojnë prapa sulmeve ndaj pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it në Veri të Kosovës.
“Shtabi i krizës në emër të popullit serb i bën thirrje KFOR-it dhe EULEX-it që të rrisin vigjilencën”, thuhet në një reagim të kësaj partie.
Derisa, duke u lëshyar në konspiracion, ata shkruajnë se “shprehim dyshime serioze se Kurti është i gatshëm të organizojë një sulm ndaj anëtarëve të këtyre misioneve dhe të akuzojë serbët për këtë”.
Prandaj sipas tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “hedh gënjeshtra për sulmet ndaj KFOR-it me qëllim që serbët të futen në konflikt me KFOR-in, i cili është i vetmi formacion ligjor i armatosur në përputhje me rezolutën 1244”.
“Refuzimi i KFOR-it dhe EULEX-it për t’u vënë në shërbim të regjimit diktatorial anti-serb të Albin Kurtit është arsyeja pse Kurti kërkon të sajojë sulme ndaj këtyre organizatave me gënjeshtra”.
Sipas Listës Serbe, e cila dirigjohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përfaqësuesit politikë të popullit serb dhe anëtarët e shtabit të krizave vazhdimisht kanë ftuar publikisht qytetarët që të bashkëpunojnë me KFOR-in dhe EULEX-in./PERISKOPI/












