Nga marrëveshja e Liburnit deri te tenderi 10 milionësh i Përparimit – Proceset e dëmshme që u stopuan dhe po hetohen pas raportimeve të Periskopit

“Nuk mjafton vetëm të mos jeni të korruptuar, por edhe duhet të punoni më shumë”. Kështu disi e qortoi kabinetin qeveritar, kryeministri Albin Kurti me të marrë detyrën, duke kërkuar më shumë angazhim nga ta, e duke shpërfaqur para opinionit se si ministrat e tij po qeverisin me ‘duar të pastra’. Por, në fakt, vartësit […]
Shkëputja e marrëveshjes së Liburn Aliut me UBT’në!
Periskopi kishte raportuar se si Ministri Liburn Aliu kishte nënshkruan marrëveshje me UBT-në, ku është i punësuar bashkë me shefen e kabinetit të tij. Në tekste janë hedhur dyshime për konflikt të mundshëm të interesit dhe favorizim.
Pas këtij raportimi ka pasur një reagim të madh të opinionit publik e ishte aktivizuar edhe Agjencia kundër Korrupsionit. Ndonëse, kjo e fundit akoma nuk e kishte përfunduar punën e vet, Aliu kishte vendosur që të prishë Memorandumin e bashkëpunimit, dhe meqë marrëveshja ishte shkëputur, edhe AKK-ja kishte ndalur hetimet.
Tenderi i kundërligjshëm në punimet e rrugës Prizren – Prevallë. Prokuroria nisi hetimet!
Periskopi kishte hulumtuar ekskluzivisht edhe rreth menaxhimit të kontratës “Rikonstruimi i rrugës Regjionale R115 Segmenti (Prizren-Prevallë). Ky tender ishte lidhur në kohën sa ishte minsitër Pal Lekaj, ndërsa është në finalizim e sipër.
“Dyshime që kompanitë po abuzojnë me punimet në rrugën Prizren-Prevallë: Ministria ua “thanë” paret për punët që nuk po i kryejnë”. Teksti ka të bëjë lidhur më atë se as asfalti e as muri mbrojtës nuk janë duke u punuar ashtu siç janë marrë vesh me letra ministria dhe kompanitë.
Pas këtij shkrimi, Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet, e cila ka qenë duke hetuar vetëm fazën e dhënies së tenderëve për të cilën besohet se ishte bërë kundërligjshëm. Se prokuroria ka zgjeruar hetimet, Periskopi ka mësuar ditëve të fundit nga burimet e veta.
Pas dhjetëra raportimeve të Periskopit, Prokuroria nisi hetimet për tenderin për mirëmbajtjen dimërore dhe verore të dy autostradave!
“Nexhat Krasniqi me dost dhe vlerësuesin e tenderit në kafe, a po bëhet ‘aksham pazar’ për tenderin 16 milionësh?” ; “Konfirmohet se ministria e Liburn Aliu nënshkroi tender të kundërligjshëm për mirëmbajtjen e autostradave”. Këtë janë vetëm disa prej shumë teksteve të publikuara, pas të cilave prokuroria ka nisur hetimet.
Periskopi ka bërë edhe rreth dhjetë raportime për problematika tjera ku ka hedhur dyshime për shkelje të ligjit në MMPHI, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë.
Në muajin tetor, Periskopi ka raportuar se si Qeveria e Kosovës e ka sponsorizuar një artikull në revistën e njohur franceze “Petit Fute” si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe.
Revista franceze që promovon guida turistike dhe prezanton vende për t’u vizituar, me financim të Qeverisë së Kosovës ka publikuar një artikull për Kosovën ku, pos tjerash, thuhet se Kosova “gjithashtu ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret e saj madhështore ortodokse serbe”
Pas publikimit të artikullit, kishte reaguar MTI-ja duke thënë se ky ka qenë një lëshim i revistës franceze dhe se do ta padisë atë.
Komuna e Përparim Ramës korrigjoi dosjen e tenderit pas hulumtimit të Periskopit!
Keq me tentimet për keqpërdorime nuk e kanë lënë as komunat. Periskopi ka raportuar lidhur me tenderin e rrugës A të Komunës së Prishtinës.
Raportimi ka të bëjë me të gjeturat se komuna, në kundërshtim me Ligjin e Prokurim Publik kishte vendosur një kriter diskriminues për kompanitë garuese, ose favorizues vetëm për një kompani.
Pas publikimit të tekstit, momuna kishte marrë masa dhe kishte bërë korrigjimin e dosjes së tenderit dhe e kishte larguar këtë kriter. Tenderi nuk është finalizuar akoma.
Siç edhe shihet qartë, keqpërdorimet më të mëdha të institucioneve publike kanë të bëjnë me lidhjen e kontratave. Shkelje ka pasur edhe në nisma të tjera, p.sh në emërime të zyrtarëve publikë, apo edhe në krye të ndërmarrjeve publike. Raportimet për veprime të kundërligjshme nuk i kanë bërë përshtypje pushteteve. Megjithatë, kanë arritur t’i çojnë përpara agjendat e veta të planifikuara. /PERISKOPI/












