Kryeministri Kurti mbeti i habitur nga lirimi Pantiqit, avokati Shkoza ia shpjegon procedurat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbetur i habitur me vendimin që është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e ka ndryshuar masën për Dejan Pantiqin nga paraburgimi në arrest shtëpiak. Avokati, Armend Shkoza ka shpjeguar procedurat e lirimit të Pantiqit dhe ka këshilluar kryeministrinë Kurti që të fokusohet tek përgjegjësia e organit […]
Avokati, Armend Shkoza ka shpjeguar procedurat e lirimit të Pantiqit dhe ka këshilluar kryeministrinë Kurti që të fokusohet tek përgjegjësia e organit të ndjekjes sesa tek gjyqësori.
“Gjykata lidhet për propozimin e Prokurorisë me rastin e caktimit të masave të sigurimit të pranisë të pandehurit në procedurë. Gjykata nuk e bën ndjekjen penale, andaj edhe në rast se prokuroria bën propozim për masë më të lehtë, gjykata asnjëherë nuk vendos për masë më të rëndë.
Kjo është fryma e parimit të prezumimit të lirisë si e drejtë themelore.
Kështu që këshilltarët e KM është mirë ta këshillojnë atë që të fokusohet tek përgjegjësia e organit të ndjekjes sesa tek gjyqësori”, ka shkruar Shkoza.
Në konferencën për media pas mbledhjes së ekzekutivit, Kurti tha se është i habitur se si një njeri me akuza për terrorizëm mund të lirohet në arrest shtëpiak.
“Ai e ka statusin e paraburgosurit, por është i pandehur për terrorizëm. Meqenëse ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme në zemër, mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. Por a është e arsyeshme? E vendos gjyqësori. Kur ke një akuzë për terrorizëm e të dërgohesh në arrest shtëpiak… jam kureshtar ta marrë vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe ai gjykatës paraprak që e ka marrë këtë vendim”, ka thënë Kurti.
Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Arrestimi i Pantiqit, nxiti ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës. Barrikadat u vendosën nga disa serbë lokalë, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën me Serbinë.
Për shkak të ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë konfirmuar se Pantiq po mbahet në një stacion policor afër Jarinjës. Kosova ka kërkuar ndihmën e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) për transferimin e Pantiqit. /Periskopi/












