Barrikadat në veri: Akademikët serbë i ‘fryejnë zjarrit’ – ja propaganda që po bën media në Beograd

Me djalin e Aleksandër Vuçiqit mëngjesin e sotëm, që përkrah të atin me veprimet ndaj Kosovës, në një postim në Instagram, mediat serbe janë të mbushura me diskurs që promovojnë dhunën dhe rezistencën e serbëve lokal në Republikën e Kosovës. Derisa Akademia e Shkencave e vendit tonë, prodhoi një debat përçarës në shoqërinë tonë gjatë […]
‘S’ka me u dorëzu’, thotë Danilo Vuçiqi, djali i Aleksandër Vuçiqit, në një postim bërë mëngjesin e sotëm në Instagram, duke iu referuar situatës në Kosovë.
“Gjithmonë krah teje, deri në fund – nuk ka me u dorëzu”, shkruan Danilo Vuçiqi.
Dhe kësaj propagande, media serbe i fryen edhe me deklarata të sociologëve të njohur në Beograd e madje edhe akademikëve.
Njëri prej tyre, Zoran Avramoviq, i thotë Novostit se ‘ajo çka po ndodh sot në Kosovë, është test për patriotizmin serb’.
“Dhe kjo nuk është aq shumë çështje e shqiptarëve, sesa që është patriotizëm i serbëve të cilët do ta mbrojnë atë që është e drejtë e tyre historike. Problemi që e komplikon edhe më shumë situatën në Kosovë, është ndërhyrja e Perëndimit. Perëndimi nuk i detyroi shqiptarët në vitet e 90-ta për të hyrë në dialog, por i lejoi ata që të rroknin armët. Ky është fillimi i problemit të asaj që shohim se çka po ndodh sot”, thotë ky sociolog serb, deklaratën e të cilit, e jep me jehonë Novosti serb.
Ky medium, propagandon edhe deklaratën e akademikut serb Matija Beshkoviq, i cili thotë kështu:
“Kosova nuk është 15 për qind e territorit serb, por është 100% nderi dhe dinjiteti i popullit serb”, thotë ai (shih Novostin serb, sot, e martë 27 dhjetor 2022).
Kujtojmë: Në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja, një në Mitrovicë të Veriut dhe një në Zveçan, te vendi i njohur si Shkëmbi i Dudës (Dudin krsh), konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.
“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare, janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda”, tha Policia.
Barrikada e vendosur në Mitrovicë të Veriut gjendet tek udhëkryqi i Shkollës Teknike, tha Policia.
Presidenti serb, i cili është edhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar që ushtria dhe të gjitha njësitë ministrisë së Punëve të Brendshme të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, transmeton Radio Televizioni i Serbisë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha mbrëmjen e 26 dhjetorit se Vuçiq ka urdhëruar që “Forcat e Armatosura të Serbisë të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, gjegjësisht gatishmërisë deri në nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.
Ai tha se rritja në nivelin më të lartë të veprimit nga ushtria serbe bëhet për të “mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe për mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke parandaluar terrorizmin dhe terrorin ndaj serbëve kudo që jetojnë”.
“Nuk ka arsye për panik, por ka arsye për shqetësim, sepse duket se Serbia është e vetmja palë e interesuar për të biseduar, për marrëveshje politike, për t’u takuar qoftë edhe një mijë herë derisa të gjendet ndonjë marrëveshje”.
“Pala tjetër është duke bërë vazhdimisht lëvizje të njëanshme, ngritë tensione dhe vazhdimisht çon në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, që për mendimin tim, ka një synim të qartë për pastrim të plotë etnik të Kosovës dhe Metohisë”, tha Vuçeviq./Periskopi












