ZRRE-ja e fali KOSTT-in për furnizimin e serbëve të veriut pa prokurim, dënoi KESCO-n për furnizimin e shqiptarëve

Tani kur bota, veçanërisht Evropa, po përballet me një krizë të madhe energjetike, për të cilën qeveritë e vendeve po mbështesin kompanitë e tyre të energjisë elektrike, në Kosovë po ndodh e kundërta: kompanitë dënohen sepse po furnizojnë, shkruan Periskopi. Pushteti aktual, kur ishte opozitë, e kishte kundërshtuar ashpër, përmes protestave, privatizimin e ndërmarrjeve publike, […]
Pushteti aktual, kur ishte opozitë, e kishte kundërshtuar ashpër, përmes protestave, privatizimin e ndërmarrjeve publike, në përgjithësi, dhe rrjetin e furnizimit me energji elektrike, në veçanti.
Që kur ky rrjet elektroenergjetik u privatizua dhe KEDS e KESCO u krijuan si kompani elektroenergjetike, VV-ja zotohej se një ditë ato duhet të konvertohen në kompani nacionale.
Si rrjedhojë, burimet e Periskopi tregojnë se ky premtim i VV-së është kritikuar ashpër nga ambasada turke në Prishtinë dhe nga vetë Qeveria turke. Kjo iniciativë e VV-së ishte shuar kur u kuptua se KEDS dhe KESCO janë kompani të rregulluara dhe, si të tilla, në çdo ballafaqim gjyqësor vendor ose në arbitrazh do ta fitonin rastin, gjithnjë sipas kontratave të nënshkruara dhe ligjeve në fuqi.
E tash kur po hymë në një dimër, bashkë me të në një përballje të paqartë furnizimi me energji elektrike, VV-së, si duket, iu shtuan apetitet që t’ia arrijë qëllimit.
Pas një viti të vështirë që ishte vitin e kaluar për shkak të krizës energjetike, reduktimeve të gjata, krijimit të një komiteti për menaxhimin e krizës dhe shpalljes së jashtëzakonshme, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ‘u kthye prapa për një vit’ dhe i dënoi këto dy kompani me hiç më pak se 11 milionë euro.
Në seancën e 13-të të mbajtur nga ZRRE-ja më 16 nëntor, siç thuhet në komunikatën e kësaj zyre, KEDS dhe KESCO janë dënuar për shkak se vitin e kaluar nuk i kishin lënë pa furnizim me energji elektrike kompanitë Ferronikeli, Trepça dhe Sharrcem, të cilat njihen si kompani jo të rregulluara, dhe kishin shfrytëzuar energjinë e destinuar për konsumatorët e rregulluar me të drejtë për furnizim universal.
Këto kompani të parregulluara furnizohen drejtpërdrejt nga KOSTT, që do të thotë se energjia elektrike kalon përmes rrjetit të KOSTT-it. Për këtë kompania publike, KOSTT, as që është diskutuar fare nëse ka bërë shkelje ose jo. Dhe, duke qenë se kriza energjetike ishte një situatë e paqartë dhe e re për të gjithë, përfshirë kompanitë e sektorit të energjisë, puna kryesore e të cilave është prodhimi, shpërndarja dhe më pas furnizimi, të gjithë u zunë në befasi.
Siç ka mësuar Periskopi, në KEK, kjo korporatë për shkak të pamundësisë për të mbuluar mungesën e energjisë elektrike dhe prodhimin e paqëndrueshëm të saj, për shkak të çmimeve të shtrenjta dhe pamundësisë së sigurimit të importit, nuk është ndëshkuar fare. ZRRE-ja, si e tillë, as që e kishte shqyrtuar dënimin e KEK-ut për devijimet e shkaktuara për shkak të mungesës së energjisë si pasojë e rënies së paplanifikuar të blloqeve, e as të KOSTT-it për lejimin dhe devijimin gjatë kësaj kohe kur KEK-u nuk siguronte energjinë e nevojshme dhe atë detyrueshme.
Madje, dyshohet se KOSTT-i kishte furnizuar serbët në veri të Kosovës duke u larguar nga transaksionet ndërkombëtare, duke iu ofruar rrymë falas pa e prokuruar. KESCO është dënuar nga ZRRE-ja për shkak se nuk ka siguruar energji elektrike për konsumatorët në pjesët e tjera të vendit, shumica dërrmuese e të cilëve janë shqiptarë. Pra, ZRRE-ja nuk e dënon KOSTT-in, i cili dyshohet se nuk prokuroi energji elektrike për serbët e veriut, por ua dha direkt me devijim, ndërsa KESCO dënohet pse ua dha atë shqiptarëve.
Se a pritej një situatë e tillë nga kjo Qeveri për shkak të bindjeve ndaj privatizimit, kjo s’do koment.
Pavarësisht faktit se KEDS-i është një nga kompanitë e shumta të privatizimit në Kosovë, Qeveria Kurti, në vend se të ndihmojë këtë kompani për shpërndarje të energjisë, bashkë me të edhe vetë qytetarët e Republikës së Kosovës, në mënyrë që, bashkë, t’ia dalim sa më lehtë këtë dimër, ajo, në këtë situatë krize e emergjence, përmes ZRRE-së, mëton ta bankrotojë atë dhe ta kthejë në pronë publike.
Ky dënim, mund të jetë edhe një sinjal i keq për investitorët e huaj, pasi e konverton në një shtet të pasigurt për investitorë të huaj. E kthen Kosovën 15 vjet mbrapa. /Periskopi/












