Zgjedhjet në Veri, KQZ’ja u vendos subjekteve politike limit të shpenzimeve për fushatë zgjedhore

Komisioni Qendron i Zgjedhjeve ka vendosur që t’ua kufizojë shpenzimet e fushatës zgjedhore subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 18 dhjetorit në komunat veriore. Përmes këtij vendimi, KQZ ka përcaktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve për subjektet që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje për komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe […]
Përmes këtij vendimi, KQZ ka përcaktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve për subjektet që do të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje për komunat Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ky kufizim mbështetet në Rregullën Zgjedhore nr. 12/2013, sipas të cilës kufizimi i shpenzimeve të fushatës do të jetë 0.5 euro për votues të regjistruar në secilën komunë. Vendimi i KQZ-së mbështetët në të dhënat jo-përfundimtare të listës së votuesve në këto komuna”, thuhet në njoftimin e KQZ’së.
Rrjedhimisht, duke marrë për bazë numrin e votuesve, në Mitrovicën e Veriut, subjekteve politike do t’u lejohet të shpenzojnë deri në 9 mijë euro, në Leposaviq mbi 6 mijë euro, ndërsa në Zveçan e Zubin Potok mbi 3 mijë euro.
Deri më tash, vetëm një subjekt politik është paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
Bëhet fjalë për subjektin politik “Iniciativa Qytetare Mitrovica”, që kandidon për pozitën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut.
Subjektet politike kanë kohë edhe dy ditë, deri më 21 nëntor, për të paraqitur kërkesat e tyre për certifikim në KQZ.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore do të mbahen më 18 dhjetor, me vendim të Presidentes Osmani. Këto zgjedhje vinë si rezultat i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës, më 5 nentor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të veturave me targa të paligjshme serbe.












