Zajednica përçanë Vetëvendosjen

Situata në të cilën është futur vendi jonë, pas fillimit të zbatimit të vendimit rreth targave, ka prodhuar edhe një situatë të re në mesin e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që kjo parti preferon ta quajë ‘Zajednicë’. Vetëm sot (e premte, 11 nëntor […]
Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, tha për Zajednicën se me situatën e krijuar së fundmi, duhet të lëvizet përpara bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Periskopi ka pyetur edhe disa kolegë të z.Abazi lidhur me këtë mendim, duke qenë se partia në pushtet (VV) dhe kryetari i saj Albin Kurti njëherish kryeministër i vendit, nuk pranon as të flasë për Asociacionin.
Visar Korenica i Vetëvendosjes, ndan të njëjtin mendim me kolegun e tij, z.Haki Abazi, se Zajednica duhet të themelohet.
Por, gjithjë sipas të dyve, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kurgjo s’po heki, asni pike (nga mendimi i Haki Abazit, v.j.) Mendim të njëjtë kam edhe unë. Po në bazë të kritereve të Kushtetueses që e pranon”, tha ai.
Kujtojmë së në konferencën e përjvashme që po mban deputeti Haki Abazi, sot deklaroi kështu:
“Është fatkeqësi qe kemi qëndrime jo të qarta sa i përket targave dhe asociacionit. Mendoj që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që na jep mundësinë për ecjen përpara për një organizim të komunave që fatkeqësisht është pranuar në të kaluarën dhe ajo nuk duhet të ketë asnjë kompetencë ekzekutive. Por në këtë situatë ku gjendemi sot, duhet patjetër të kemi lëvizjen e parë”, tha Abazi sot përcjell Periskopi.
Por shefja e dy deputetëve më lart, znj.Mimoza Kusari Lila, thotë se nuk komenton më çështje të tilla, pasi janë gjëra që diskutohen brenda grupit parlamentar dhe ato bëhen të ditura pastaj.
“Nuk komentoj tutje. Unë e kam bërë të qartë se nuk jepi mendimi tjera për këto diskutime sepse kanë të bëjn me përfaqësues të Grupit tonë parlamentar dhe i diskutojmë për brenda”, tha Mimoza Kusari, përcjell Periskopi.
Periskopi ka pyetur edhe një deputet tjetër të zëshëm të Vetëvendosjes, z.Artan Abrashi, lidhur me komentet e kolegëve të tij për Zajednicën.
“Nuk kam koment për shkak se nuk e kam përcjell konferencën, edhe dihen qëndrimet zyrtare të LVV edhe ndoshta është mirë me pyet Haki Abazin për qëndrimet tij, për besë nuk po di”, thotë ai për Periskopin.
Zoti Mefail Bajqinovci, një deputet tjetër aktiv i Vetëvendosjes, thotë se nuk është në dijeni për deklaratat e Haki Abazit (megjithëse ato janë publike dhe të qasshme leht që prej orëve të mëngjesit të sotëm: shih konferencën e zotit Abazi sot).
“Më fal e nderuar por nuk i kam parë deklaratat e Haki Abazit sepse isha me një takim, kur t’i shoh tani, më shkruani dhe mandej i komentoj”, tha Bajqinovci.
Periskopi ka kontaktuar edhe deputetin Adnan Rrustemi për ta pyetur rreth kësaj teme, por i njëjti e ka mbyllur telefonin kur e ka kuptuar që ishte numri i Redaksisë tonë.
Kurti për Zajednicën: Mos më bëni pyetje të vjetra
Në konferencën e fundit të mbajtur me gazetarë rreth situatës në veri, kryeministrit Albin Kurti, iu bë kjo pyetje – që është edhe kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare (aleatëve të Republikës së Kosovës).
Përgjigja e kryeministrit Kurti për kolegët tonë gazetarë, ishte që të mos i bënin pyetje të vjetra tashmë.
Kjo nënkupton se kryeministri nuk dëshiron të diskutojë për Zajednicën, kauzë mbi të cilën partia e tij – Vetëvendosje, është ngritur politikisht dhe ka korrur një sasi të jashtëzakonshme të votave, sidomos në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Bashkësia ndërkombëtare: Kosova ta themelojë Asociacionin menjëherë
Deputetët e Vetëvendosjes që janë pro themelimit të Asociacionit sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duket se janë në linjë më miqtë tonë ndërkombëtarë (ShBA dhe BE) për këtë çështje.
Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Sigurisë, ka thënë në konferencën për shtyp se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.
“Sa i përket Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, ky është një obligim i qartë për Kosovën që menjëherë ta themelojë, apo të nisë hapat e menjëhershëm për themelimin e këtij Asociacioni. Ky është një obligim ligjor i Kosovës dhe dështimi që kjo të bëhet, dëmton jo vetëm sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe kredibilitetin e saj. Tash, vërtet, u takon të dyja palëve që t’i zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit dhe nga dialogu”, ka thënë ai.
Me fjalën ‘menjëherë’, foli edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ambasadori amerikan, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të nisë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të ketë në tryezë një propozim për Asociacionin”, tha Hovenier, duke theksuar se ai nuk duhet të jetë diçka që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. /Besarta Hoti/Periskopi












