Si iu ulë rroga gjyqtarëve e prokurorëve në krizë e si do pësojnë qytetarët

E mërkura e kësaj jave nuk ishte aspak e dëshirueshme për sistemin gjyqësor. Kjo sepse iu vu sharrë pagave të tyre me Ligjin e ri të cilin e miratoi Qeveria e Kosovës. S’u mirëprit pikësëpari nga prokurorët e gjyqtarët, e pastaj edhe nga spektri më i gjërë i njohësve të drejtësisë. Po konsiderohet se nga […]
E mërkura e kësaj jave nuk ishte aspak e dëshirueshme për sistemin gjyqësor. Kjo sepse iu vu sharrë pagave të tyre me Ligjin e ri të cilin e miratoi Qeveria e Kosovës. S’u mirëprit pikësëpari nga prokurorët e gjyqtarët, e pastaj edhe nga spektri më i gjërë i njohësve të drejtësisë. Po konsiderohet se nga kjo pësojnë lëndët e qytetarëve, meqë veç kanë nisur të bllokohen…
Qeveria Kurti ka shfuqizuar vendimin e nxjerrë në vitin 2017 nga kabineti qeveritar i Ramush Haradinajt për ndryshimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shkruan Periskopi.
Bazuar në deklarimet e pasurisë së prokurorëve dhe gjykatësve në vitin 2017 dhe në vitin 2022, një gjykatësi pritet t’i ulet paga për 833 euro. Një gjyqtar në vitin 2017 është paguar 1.417 euro për një muaj.
Ndërsa një prokurore në vitin 2017 ka deklaruar të hyra vjetore nga Prokuroria e Shtetit 17 mijë e 454 euro, që i bie se atëkohë paga mujore e saj ka qenë 1 mijë e 454 euro.
KGJK pezullojnë aktivitetet me qeverinë, reduktojnë punën në gjykata
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Albert Zogaj, gjatë një konference për media ka thënë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim të pezullojë bashkëpunimin me Qeverinë dhe të reduktohet puna e gjykatave.
“Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe kryetarët e gjykatave kërkojnë nga Qeveria që menjëherë të anulojë vendimin e datës 23 nëntor 2022; puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm për shërbime esenciale; lista e shërbimeve esenciale do të miratohet nga KGJK nesër; KGJK dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin dhe pjesëmarrjen në cdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezent përfaqësuesit e Qeverisë; në qoftë se Qeveria nuk e shfuqizon vendimin e 23 nëntorit, KGJK më 8 dhjetor 2022 do të marr vendim për masa tjera”, tha Zogaj,
KPK afat Qeverisë për shfuqizim të vendimit deri më 8 dhjetor
Këshilli Prokurorial ka vendosur që prokurorët të reduktojnë punën dhe të ofrojnë vetëm shërbime esenciale dhe ka vendosur një afat deri më 8 dhjetor që vendimi të shfuqizohet.
“Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund.
Haxhiu: Ne nuk mundemi ta mbajmë në jetë një vendim që është i paligjshëm
“Na nuk mundemi ta mbajmë në jetë një vendim që është i paligjshëm”, tha ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në konferencë për media.
“ Është shumë më e rëndësishme se sa një ligj i paligjshëm që e ka shfuqizuar Kurti dje kjo që po e flasim tani. Siç e dini në kohën kur u mor ky vendim ka qenë që t’ia rrisin vetës pagën, duke qenë se ka qenë konflikt i interesit e kemi bërë kallëzimin penal për Haradinajn, a e dini çka ka ndodhë unë asnjëherë nuk jam ftuar. Po e përsërisë edhe njëherë, na nuk mundemi ta mbajnë në jetë një vendim një ligj që është i paligjshëm.”
Bajrami për vendimin e Qeverisë për uljen e pagave: Pse në këtë kohë turbulente
Në një postim në profilin e saj në Facebook, deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami tha se vendimi për uljen e pagave në sistemin e drejtësisë është bërë në një kohë turbulente.
Ajo ka pyetur “Pse pikërisht tash ky vendim”.
Hoti për uljen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët: Vendimi i Qeverisë është joligjor
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tash deputet i Kuvendit, ka kritikuar uljen e pagave për zyrtarët në sistemin e drejtësisë.
Hoti deklaroi se pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk duhet të preken, duke shtuar se vendimi i Qeverisë është joligjor.
“Pagat në sistemin e drejtësisë nuk duhet të preken. Vendimi i sotëm i Qeverisë është joligjor. Kjo çështje është shqyrtuar në shkurt 2020 kur është marrë vendimi për uljen e pagave vetëm për kabinetin qeveritar nga koalicioni i atëhershëm VV-LDK, e jo edhe për sistemin e drejtësisë. Këta që sot e kanë marrë këtë vendim, e dinë mirë se vendimi është joligjor.”
S’mund dhe s’duhet të lejohet: Tahiri reagon për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve
Sipas shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, kjo ulje pagash nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me kursimin, por, siç thotë ai, kjo është përpjekje e kryeministrit Kurti për të krijuar një krizë identitare ndaj këtyre zyrtarëve.
“Ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka të bëjë as me buxhetin, as me kursimin dhe as me ligjshmërinë. Ky vendim është përpjekje e paramenduar e Albin Kurtit, për të krijuar një krizë identitare ndaj atyre që punojnë për çdo ditë për rend dhe ligj”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri i AAK-së: Vendimi për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët të dërgohet në Kushtetuese
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave për gjyqtarët e prokurorët, duke thënë se si i tillë është antikushtetues dhe si i tillë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se për të qenë ironia më e madhe, ky vendim antikushtetues që shfuqizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese bëhet në emër të kthimit të ligjshmërisë në vend.
“Bëjmë thirrje te deputetët dhe tek Avokati Popullit që këtë vendim arbitrar dhe hakmarrës ndaj sistemit të drejtësisë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese për kontroll kushtetues dhe rivendosjen e kushtetutshmërisë në punën e sistemit të drejtësisë”, ka shkruar Tahiri.
Miftaraj: Vendimi i Qeverisë për uljen e pagave është i kundërligjshëm, nuk mund të zbatohet
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se vendimi i qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është i kundërligjshëm.
‘’Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu nje vendim i kunderligjshem. Më vjen keq per Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e keshillojne në çeshtje te drejtesise. Keta nuk ia dojne te miren Kryeministrit. Te njejtit nuk duhet me vene ne situata te tilla Kryeministrin.’’
Syla: Gjyqtarët e prokurorët të drejtohen në Kushtetuese, vendimi do ketë pasoja
Ish-kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka thënë se vendimi i sotëm i qeverisë për t’ua ulur pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve është i gabuar.
“Kjo, sigurisht do të ketë edhe pasoja për sistemin e drejtësisë në tërësi. E them kështu për faktin se edhe në këto kushte që deri më tani kanë punuar gjyqtarët dhe prokurorët, ka pasur kritika dhe zëra se gjoja këto paga s’i meritojnë, e që konsideroj se ka qenë një qëndrim i gabuar dhe s’është ashtu për faktin se shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë profesional. Nuk them se ndoshta një numër i vogël i tyre s’e meritojnë, por sidomos paga ndikon edhe në efikasitetin dhe punën e tyre”, është shprehur Syla në “Info Magazine” .
Zv. ministri i Sveçles: Asnjëherë s’mund ta paguajmë gjyqësorin sa janë të gatshëm ta paguajnë kriminelët
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë se shteti asnjëherë nuk do të mund t’i paguajë zyrtarët e sistemit gjyqësor aq sa janë të gatshëm t’i paguajnë kriminelët për t’i korruptuar, si përgjigje ndaj zërave se ulja e pagave në sistemin e drejtësisë rrezikon të çojë në ngritje të nivelit të korrupsionit.
“Ne kemi të bëjmë me një sektor ku nuk mund të ketë konkurrencë me paranë e krimit sepse nuk mund t’i paguajmë asnjëherë sa janë të gatshëm kriminelët të paguajnë. Ai që nuk funksionon mbi etikën, moralin dhe shërbimin ndaj të mirës së përgjithshme, 3,000 apo 3,500 euro nuk janë të mjaftueshme për ta parandaluar korrupsionin. Kjo çështje është e lidhur me etikën, me moralin dhe profesionalizmin. Ata që duan të korruptohen do korruptohen qoftë me 3,000 apo 30 mijë euro. Çka mund t’i themi një zyrtari në ministri që i merr 500 euro pagë. A t’i themi se për shkak që e ka pagën aq të ulët edhe ai duhet të korruptohet. Nëse nisemi prej këtij koncepti atëherë besoj që jemi larg ndërtimit të një shteti që funksionon mbi vlera dhe mbi ligjin”, ka thënë Dobra teksa ka folur për vendimin e Qeverisë në mbledhjen e së mërkurën për vendimin e Qeverisë, sipas të cilit pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë kthyer sikur para rritjes që ishte bërë me vendim të Qeverisë Haradinaj në vitin 2017.”.
VV më 2018: Nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave për prokurorë e gjyqtarë
Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018, nuk e kishte kundërshtuar vendimin për ngritje të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët.
Në komunikatën e LVV në vitin 2018, ku kishin kundërshtuar vendimin për ngritje pagash në Qeveri dhe kishin kërkuar të zhbëhet ky vendim por një pjesë e kësaj komunikate e thotë qartë se “ Aktualisht paga e prokurorit është 1000 euro ndërsa paga e gjyqtarit 1200 kjo shkon duke u ngritur për Apelit dhe Supremen dhe Prokurorinë speciale”.
“Sa i përket kësaj çështje, ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Aktualisht paga e prokurorit është 1000 euro ndërsa paga e gjyqtarit 1200 kjo shkon duke u ngritur për Apelin dhe Supremen dhe Prokurorinë speciale. Ata që kanë nevojë për ngritjen e pagave janë stafi civil i institucioneve të drejtësisë të cilët kanë paga nën 400 euro.”, thuhet në komunikatën e LVV në vitin 2018./Kaltërina Misini – PERISKOPI/












