PDK rikthehet në TV-në ‘e oligarkut të të gjitha sistemeve’: A i kërkoi Memli Krasniqi falje Ermal Pandurit?

Partia Demokratike e Kosovës i është rikthyer televizionit që dikur vlerësonte se është bërë de facto organ i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Periskopi. Kryetari i tanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, dikur në rolin e nënkryetarit të partisë, vlerësonte se TV Dukagjini me pronar biznesmenin Ekrem Lluka, po i jepte hapësirë Albin Kurtit për të promovuar lajme […]
Kryetari i tanishëm i PDK-së, Memli Krasniqi, dikur në rolin e nënkryetarit të partisë, vlerësonte se TV Dukagjini me pronar biznesmenin Ekrem Lluka, po i jepte hapësirë Albin Kurtit për të promovuar lajme të rreme dhe sondazhe të trilluara. Por, i njëjti sot, i është bashkuar udhëheqësit të emisionit ‘Debat Plus’, Ermal Panduri.
“Është koha t’i themi MJAFT MË kamuflimit të propagandës si kinse-gazetari. Sepse, këto janë metoda që përdoren nga diktatorët autokratë. Këto janë metoda që përdoren nga populistët. Por, Partia Demokratike e Kosovës, qoftë në qeveri apo në opozitë, do t’i zhveshë dhe do t’i zbulojë para opinionit publik motivet e vërteta të rreshtimit provokues të Ekrem Llukës me taktikat dhe qëllimet e Albin Kurtit”, shkruante dikur Krasniqi.

Përveq reagimeve në rrjeteve sociale, Partia Demokratike e Kosovës, kishte njoftuar edhe përmes një konference për media se ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin dhe çdo platformë mediale që është në pronësi të oligarkut të të gjitha sistemeve, para dhe pas luftës në Kosovë, Ekrem Llukës.
Ishte shefi i shtabit të PDK-së, njëherësh anëtari i kryesisë, Betim Gjoshi i cili kishte thënë se zyrtarët e PDK-së nga sot nuk do të marrin pjesë në asnjë debat politik të Radiotelevizionit Dukagjini, i cili ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por tashmë e ka arritur kulmin. Duke falënderuar të gjitha mediat në Kosovë, të cilat po vazhdojnë ta ruajnë korrektësinë, etikën mediale dhe raportimin objektiv, Gjoshi ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovs nuk do të heshtë më përballë manipulimeve mediale dhe presionit të pronarëve të tyre, që për shkak të marrëveshjeve të pista biznesore abuzojnë me hapësirën publike, duke u bërë mjet propagandues të Albin Kurtit, përfshirë këtu specifikisht televizionin e Ekrem Llukës.
“Për ta mbështetur këtë që po e themi, ju njoftojmë se personi përgjegjës për menaxhimin e rrjeteve sociale të televizionit Dukagjini, me inicialet H.S., është person përgjegjës edhe për menaxhimin e rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje. Pra, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të televizionit Dukagjini menaxhohen nga i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje”, kishte thënë ai.
Më poshtë keni fjalimin e plotë të Gjoshit:
Të nderuar gazetarë, Faleminderit që keni ardhur. Ju kemi thirrur në këtë konferencë për t’ju njoftuar që Partia Demokratike e Kosovës nga sot e ka shkëputur çdo komunikim me TV Dukagjinin dhe me çdo platformë mediale që është në pronësi të oligarkut të të gjitha sistemeve, të para dhe pas luftës në Kosovë, Ekrem Llukës. Nga sot, asnjë përfaqësues i PDK-së nuk do të marrë pjesë në asnjë debat politik apo çfarëdo emisioni tjetër në këtë televizion propagandues dhe manipulues. Përjashtim bëjnë vetëm ato debate që tashmë janë xhiruar gjatë ditëve të kaluara.
Radiotelevizioni Dukagjini ka kohë që është shndërruar në zyre të propagandës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Albin Kurtit, por kjo gjë tashmë e ka arritur kulmin. Ekrem Lluka dhe Albin Kurti janë bërë bashkë, krejt e njëjtë, të pandashëm dhe të bashkuar krejtësisht për qëllime të pista dhe biznesore. Për ta mbështetur këtë që po e themi, do të shpalosim ditëve në vijim dëshmi të mjaftueshme. Sa për fillim, sot ju njoftojmë se personi përgjegjës për menaxhimin e rrjeteve sociale të televizionit Dukagjini, me inicialet H. S., është i njëjti person përgjegjës edhe për menaxhimin e rrjeteve sociale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pra, llogaritë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të televizionit Dukagjini menaxhohen nga i njëjti person, i njëjti ekip, nga e njëjta zyre dhe me të njëjtat pajisje. Kjo dëshmon për koordinim të ngushtë të tyre, deri në detaje, për propagandim politik, që njëkohësisht është edhe koordinim i afërt i Ekrem Llukës me Albin Kurtin.
Ky koordinim po bëhet me të njëjtin qëllim: manipulim, mashtrim dhe trillim, në funksion të propagandës për Vetëvendosjen dhe këtë fakt duhet ta dinë të gjithë qytetarët e vendit tonë. Në funksion të kësaj shkojnë edhe sondazhet e dizajnuara nga Albin Kurti me Armend Mujën, rrogëtarin e deridjeshëm të oligarkut Ekrem Lluka, të cilët duket se e kanë kapur së bashku edhe Kolegjin Riinvest dhe financuesit e tij, duke i instrumentalizuar tërësisht për qëllimet e tyre politike.
Duke u bazuar në të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të rrinë larg ekraneve të TV Dukagjinit dhe t’i shmangen propagandës së paskrupullt të tyre. Shndërrimi i mediave në instrumente të propagandës partiake është praktikë e diktatorëve autoritarë dhe sitemeve totalitare që kanë qëllim final shkatërrimin e demokracisë. Por, këtë qëllim të Albin Kurtit e të Ekrem Llukës ne s’do ta lejojmë që të jetësohet kurrë! Për arsyet e koordinimit të afërt të oligarkut Ekrem Lluka dhe Albin Kurtit, ne do të flasim edhe ditëve të ardhshme, duke zbuluar gjithçka që qëndron pas këtij pazari.
Vlen të theksohet gjithashtu se TV Dukagjini dhe udhëheqësi i emisionit ‘Debat Plus’, Ermal Panduri, në atë kohë kishin deklaruar se nuk do t’i pranojnë në studio asnjë anëtarë të PDK-së pa kërkuar fillimisht falje.
Me pjesëmarrjen e sotme në emision, nuk dihet nëse kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka kërkuar falje TV Dukagjinit apo Ermal Pandurit.
/Periskopi/












